Duro MUSTAFAI/ Kur takohesh me Filip Çakulin…

571
Sigal

Edhe pse njihemi prej shume vitesh, me Filip Çakulin jam takuar rrallë e fare rastësisht. Kështu më ndodhi edhe atë ditë…Një frenim i lehtë i një veture buzë trotuarit, dhe burri përmend emrin, e përtej xhamit të dritares më përshëndet. Ishte ai, shoku im i zyrës e kolegu im i dikurshëm, që nuk i ka harruar shokët e vjetër edhe pse ata prej vitesh quhen pensionistë e “njerëz në harresë”. Por, Filipi ka mbetur po ai që kemi njohur edhe 45 vite më parë: dashamirës, “djali i ri”, dhe energjik, pa e fshehur  dhe atë nënqeshjen e tij të menduar. Se edhe me të kërkon të thotë diçka, që duhet lexuar e kuptuar…

Kohë më parë, e pata takuar në korridorin e Shtëpisë Botuese “Toena”, kur me Mitro Çelën, merrte nga Fatmir Toçi kopjon e parë të librit të tij, që pritej të dilte në dritë. Ishte një libër me skica e tregime humoristike me titullin e veçantë e kureshtar: “Mitro Çela me Filipin”… Ata janë dy shokë të humorit, që gjithnjë kanë qenë e janë bashkë, si duket ushqejnë e frymëzojnë njëri-tjetrin në krijimtari, edhe si bashkëpunues në emisionin investigativ, stigmatizues “Fiks Fare”.

Nuk di, por kur takohem me Filip Çakulin, ndjej një ngrohtësi e dashuri të veçantë për të. Ndoshta nga ajo që e kam njohur e më ka pëlqyer karakteri i çiltër e natyra e hapur, që rrezaton burrëri e trimëri, në punë e në jetë. Këto veti i kam vërejtur qysh në rini e në fillesat e krijimtarisë së tij humoristike, tërheqëse e të guximshme. Më ka bërë të mendohem për piperin e “specin djegës” në fjalën e tij e që kritikët e artit i quajnë të “qeshurat e hidhurat”. Por që godasin në zëmër që të zgjojnë mendjet e fjetura. Të zgjohen ata që e flenë për të ndjerë, sado pak përgjegjësinë e njeriut qytetar të këtij vendi, kur preken interesat qytetare. Janë të qeshura që shkaktojnë dhimbje në shpirtin e njeriut, të ndjeshëm për të këqijat që e rrethojnë e që duhen shmangur. Satira e humori i Filipit këtë synon. E kemi parë atë, në shkrimet e botuara dikur te revista “Hosteni” e Niko Nikolles dhe në organe të tjera  të shtypit, madje edhe te “Zëri i Popullit”, duke dashur të na thotë edhe atëherë, përpara viteve ‘90-të, se çfarë kërkonte në të vërtetë populli.

Gazetaria investigative është një armë e fuqishme spastrimi, një mision fisnik e human. Filip Çakulli është një nga më të shquarit e kësaj fushë-beteje. Dhe dashuria për të, s’mund të rri e fshehur. Ajo  shfaqet në mënyra të ndryshme nga të gjithë ata që e njohin atë dhe punën e tij. Dhe, më e pakta për të, është urimi e përgëzimi. Kështu ndodhi edhe me mua atë ditë, pranë një trotuari të Tiranës, kur me sinqeritet i thashë se, “Koha jonë ka nevojë për më shumë gazetarë të tillë, të drejtë e të guximshëm”, që shikojnë përtej vetes së tyre. Pastaj do të pendohesha për ato fjalë, dhe jo pse nuk i meritonte, por mu duk sikur i fsheha kohën tjetër të jetës së tij. Filip Çakuli në çdo kohë, ( edhe në atë kohën, kur thoshin se gazetarët “udhëtojnë nëpër mina”), ai shpërthente me shkrimet që godisnin të këqijat e kohës. Natyrisht, pa kaluar të gjithë kufijtë, që të çonin në vetëvrasje, sidoqoftë, nga kjo luftë ai nuk do te dilte “pa lagur”. Për disa vite do të mbetej i plagosur, e i degdisur, larg Tiranës e profesionit të tij.

Ai, gazetari që në vitet ‘70-‘80, i shikonte në sy disa nga plagët e shoqërisë dhe me kuraje i nxirrte në dritën e diellit, do të mbetej edhe vet në syrin vëzhgues të strukturave që drejtonin nga “lartë” e nga “poshtë”.  Për pak kohë ai punoi në gazetën “Zëri i Popullit”, por ishte njëri prej zërave të vërtetë të popullit. Prandaj nuk do të mungonin shqetësimet edhe me letrat e shumta anonime, që përfundonin me atë pyetjen alarmante: “Filipi, gazetar, që vetëm kritikon? Pse e mbani atë? Si është e mundur?”. Dhe bashkë me fjalët denigruese edhe ndonjë “fakt” për largimin e tij: “Gjyshi i Filipit ka qenë ballist”!… Edhe kjo duhej?.. Pas saj dhe të tjerave, do vinte urdhri “Të largohet !.. Dhe ai familjarisht u vendos në një fshat të Lushnjes.

E kam takuar Filipin edhe atje, “në bazë”, dhe kish mbetur po ai, njeriu me humorin që nuk ju nda nga goja: “Ke ardhur të takohesh me nipin e një ballistit, më tha, dhe nuk ke frikë se..?!”

-Po unë kam dëgjuar, se gjyshi yt kishte vdekur para se të krijohej Balli, i thash me mëdyshje, po

-E, e, po ti nuk paske dëgjuar që edhe të vdekurit ngjallen… ?

 Pak kohë më pas edhe miku i tij, Mitro Çela do të dërgohej për riedukim në Elbasan, sepse edhe këtij nuk i rrihej pa hedhur ndonjë shigjetë dhe atje “lartë”…Tani ata të dy nuk ndahen nga njëri-tjetri, si atëherë. I bashkojnë karakteret, e idealet e pastra të rinisë. Gazetarët e “viteve të socializmit”, e dinin se “thana kishte kufirin e vet”, por shpesh nuk dinin ç’pasoja kishte kapërcimi i “kufirit të thanës”. Po  Filipi mbetej Filip.

Kam përpara një dhuratë të kolegut tim të hershëm. Është libri me tregime humoristike “Unë i nënshkruari, kam…”, që Çakuli e ka botuar në vitin 1985. Dhe, që në tregimin e parë vë në lojë sekretarët e partisë, që kontrollonin skeçet, paroditë dhe tekstet e këngëve të estradave, se mos devijonin nga “vija”…E ka provuar në shpinë Filipi devijimin e “vijës”.. Kam qenë në zyrë bashkë me të kur një i kritikuar, do të vinte nga Fieri, ku punonte, me kërcënimin se do ta shikonte punën e tij, duke nxjerrë nga xhepi edhe një letër ankese për në Komitetin Qendror për fejtonin e tij: “Paçim gjumin e rojeve”. Tipa të tillë Filipi i priste dhe i përcillte me një buzëqeshje domethënëse… Por, do të gjendej një shkak e ai, ndonëse kish pak kohë që punonte si gazetar i thjeshtë te “Zëri” ta largonin familjarisht në një fshat të Lushnjes.  Shkaku ishte Filipi që “krijonte probleme”. Dikush tha: “Ta verifikojmë, ta shohim edhe njëherë”. Por urdhri nga lartë ishte i prerë: “Le të shkojë humoristi në fshatin e gruas, në Lushnje”, pastaj e verifikojmë. Dhe e degdisën në fshatin ku nuk mungonin të internuarit, “të deklasuarit” e “armiqtë e popullit”.

I guximshëm, si atëherë dhe tani, ai nuk pajtohej me të keqen, nuk është kurrë në kompromis me të dhe me mbartësit e tyre, qofshin këta “të fuqishëm” e me mbështetje nga “lartë”. Prandaj e duan Filipin, sidomos njerëzit e thjeshtë e në nevojë, që e kanë “hamallin e halleve të tyre”.

Për këto e të tjerat, çdo mbrëmje dalin e na flasin ata, djemtë e vajzat e “Fiksit” dhe pas tyre, është ai, “i padukshmi”, që nuk fshihet, se ka me vete të vërtetën e atë mbron, gazetari e shkrimtari, Filip Çakuli.

Te Fiksi i Filipit dhe shokëve të tij, ne kemi raste të shohim edhe “shkopinjtë e maliqëve“ të ligjit, si godasin në shpinën e fatkeqëve, duke pasqyruar haptas dukurinë, sikur ligjet janë krijuar për të mbrojtur ata që i kanë hartuar. E kjo të kujton atë thënien e mençme se “ligji shpesh vepron si ai qeni që nuk e ha të zotin“. Po mund të ndodh dhe e kundërta, si ne rastin e ligjëtarëve të Pukës, ku Fiksi  përgatiti prangat për ta. Dhe ai këto ditë do të dekorohej si një luftëtar i guximshëm kundër  korrupsionit, kësaj sëmundjeje të rrezikshme për shoqërinë tonë.

Në ndihmë të punës së tij ai zgjodhi dy protagonistë. Të dy profesionistë të zot e djem trima,  Saimirin e Doktorin, pa harruar Fonin me të tjerët, e tani edhe të mirënjohurin, të famshmin Koço Devolen, një nga figurat më te dashura e gurë i çmuar i humorit. Se, trimi i mirë me shokë shumë, bëhet më trim.

Ne shpresojmë, e kemi besim…Se, edhe tani “Fiksi po ecën në të njëjtën rrugë, në atë të zhbirimeve në anët e zeza të një shoqërie që kërkon të eci përpara, por që në rrugën e saj nuk mungojnë “mollët e ndaluara” dhe “bukuria që vret”… Për këto e të tjerat, çdo mbrëmje dalin e na flasin ata, djemtë e vajzat e “Fiksit”, që drejtohen nga ai, “gazetari rebel”, i papranueshmi i ”të paktëve” dhe miku i të shumtëve, ndonëse të vërtetën e shohin dhe e duan të gjithë. Paçka se në rrugë “minat nëpër këmbë”, nuk mungojnë… Fiksi ka gjetur një platformë interesante, të afërme për shpirtin e njeriut: Të qeshim, po pa e hequr gishtin nga plaga që dhëmb, se e qeshura e hidhur është si ai ilaçi i hidhur, që shëron. Materiale të shumta me tematikë që përfshin jetën reale të vendit dhe qytetarëve të tij në vuajtje e halle, i vënë në pozita qesharake autorët e tyre. E dalin si “Mbreti lakuriq” në skenë edhe disa të quajtur “Baballarë të kombit”, që veç për kombin nuk punojnë.

Tani ai, Filipi ynë, gjendet në vendin e vet, atë të gazetarit, po edhe në një kohë tjetër e në kushtet, kur ra një qeveri e hipi një tjetër, që përballohet me sfida të shumta. Dhe fronti i punës për “Fiksin”, ka qenë e mbetet i hapur. Në çdo kohë ka të liq e të mirë, dhe burokratizmi, si të gjitha dukuritë negative e ligësitë, shpesh ndërrojnë ngjyrë. Po gazetari i vërtetë, vigjilon e mban atë anë që duhet, siç veprojnë me guxim gazetarët  e “Fiksit”.

Në një takim me Filipin, ai do më ftonte të pinim një kafe. Nuk i thashë që me “nipin e ballistit”, nuk më lidh asgjë, se kisha frikë mos më thoshte që “Edhe mua me ish-komunistët, bijtë e nipërit e komunistëve, nuk më lidh asgjë”. Nuk i thashë, sepse tani jemi në demokraci e demokracia e lejon pluralizmin e bashkëjetesën, ndryshe s’bëjmë gjë tjetër, veç ngjallim një luftë të re klasash. Megjithatë, edhe në kohën tonë e mira me të keqen janë pranë. Ja pse kur takohesh me Filip Çakulin, te del përpara “Fiksi”, që nuk e duan vetëm ata që mbjellin konflikte e fatkeqësi, por e do populli dhe Filip Cakuli prej 12 vitesh me radhë vazhdon të drejtojë me aftësi e profesionalizëm emisionin investigativ “Fiks Fare”. Dhe populli di të falënderojë me zëmër edhe gazetarët, që punën e tyre e vënë në shërbim të zhvillimit të vendit, bukurisë së jetës dhe zbulimit të të vërtetave të hidhura që nuk duhet të mbulohen, por te shërohen.