Prof.Ass.Dr.Gjok Vuksani: Bujqësia shqiptare e harruar

437
Sigal

Prof.Ass.Dr.Gjok Vuksani 

Universiteti Bujqësor i Tiranës

Shqiptarët kanë një lidhje të veçantë me tokën, të pakrahasuar me asnjë kombësi tjetër . Toka, fshati , shtëpija e të parëve janë emocione të pashlyeshme tonat, që ne i marrim gjithmonë me vete kudo që shkojmë, kudo ku jetojmë në çdo vend të botës.

Rrallë mund të gjesh një shqiptar, që nuk ka mbjellë një fidan, që nuk ka vjelë një frut, që nuk ka bërë një punë të rëndomtë në bujqësi, gjë e cila është shumë rrallë për francezët, amerikanët apo gjermanët.

Kjo lidhet edhe me faktin që deri në vitin 1990 rreth 75% e shqiptarëve kanë jetuar në zonat rurale të Shqipërisë dhe aktualisht rreth gjysma e tyre jetojnë po aty.

Në Shqipëri ka rreth 700 mijë ha tokë bujqësore, nga të cilat 85 % janë privatizuar dhe 15 % vazhdojnë të jenë pronë shtetërore.

Por gjendja e bujqësisë dhe fermerëve ka ardhur duke u përkeqësuar vit pas viti. Unë guxoj të them se një nga faktorët kryesor të prapambetjes të zonave rurale, është nënvlerësimi nga qeveria veçanërisht këto vitet e fundit.

Të krijohet bindja që “QEVERITARËT”e kanë harruar bujqësinë dhe fermerin. Ata merren nga mëngjesi deri në darkë me gjithçka tjetër si: ndeshjet e futbollit, ngjyrat e autobuzëve …por jo me bujqësinë dhe me fermerët, që kontribuojnë me rreth 20% në GDP shqiptare.

Ky nënvlerësim i bujqësisë deklamohet qartësisht kur vëren drejtuesit e dikasterit të bujqësisë që parakalojnë njeri pas tjetrit ndër vite, pa pasur asnjë fije lidhje me fshatin.

Sot e ke të vështirë të gjesh në krye të një institucioni qendror apo rajonal të bujqësisë një drejtues agronom, veteriner apo zooteknik, pasi shumica janë katapultuar nga jurisprudenca, bankat apo shkencat sociale.

Pikërisht për këtë arsye është praktikisht e pamundur të presësh politika të qarta për zhvillimin e bujqësisë, profesionalizëm, ekspertizë dhe aftësi për transferimin e teknologjive të reja tek fermeri.

Situata bëhet edhe më dramatike nga mbështetja qesharake që qeveria jep për bujqësinë, ku vetëm 3 euro / hektar shkon direkt tek fermeri, ndërsa 42 euro/hektar shkon tek institucionet që kanë si detyrë monitorimin e saj, në diferencë nga vendet e rajonit ku shumica e fondeve shkon direkt tek fermeri ( Grafiku i mëposhtëm sipas FAO).

Fqinji ynë Maqedonia e Veriut alokon 143 euro/ha mbështetje shtetërore direkt tek fermeri dhe 45 euro/hektar tek institucionet mbështetës.

Gjatë vitit 2018 vendet e rajonit si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi kanë dhënë mbështetje direkte te fermeri 53 euro /hektar, ndërsa vendi jonë jep vetëm 3 euro për hektar ose 18 herë më pak.

Argumentat janë të shumtë, por pa dashur të mërzisim lexuesin po përmendim edhe një: Bilanci tregtar në bujqësi është tepër negativ në raportin import-eksport 3:1, ose e shprehur në vlerë monetare kemi një total importesh prej 900 milion euro/vit, kundrejt afërsisht 300 milion euro/vit eksporte.

Kjo harresë e qëllimshme e bujqësisë ka bërë që nga zonat rurale të emigrojnë në Europë dhe USA një numër i madh shqiptarësh.

Sot fshatra të tëra në zonat malore të Pukës, Kolonjës, madje edhe në zonat bujqësore më të zhvilluara si Korça , Shkodra dhe Lezha janë braktisur nga rinia. Aty mund të gjesh veç të moshuar, që mezi çapiten nëpër rrugët e vetmuara.

Duket sikur “tablonë” po e pikturoj me ngjyra të errëta, por kjo është e vërteta e hidhur e bujqësisë së vendit tim dhe e vendit tuaj.

Por çfarë duhet të bëhet që të ndryshojë kjo gjendje katastrofike e bujqësisë??

Së pari mendoj se duhet të rritet mbështetja direkte për bujqësinë e krahasueshme të paktën me vendet e rajonit: Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi.

Shqiptarët nuk mund ta punojnë tokën me naftën 250 lekë/litër (2.3$). Kjo është pikërisht arsyeja që vitet e fundit në disa zona të vendit ka filluar rishtas punimi me kafshë i tokës, teknologji që kishte 75 vite që nuk aplikohej më në vendin tonë.

Është urgjente të subvecinohet nga shteti për uljen e kostove të prodhimit në bujqësi me qëllim që të kultivohet toka dhe çmimet e produkteve bujqësore të jenë konkuruese, të paktën në tregun rajonal.

Një masë tjetër e domosdoshme është lehtësimi i barrës fiskale në bujqësi. Vetëm vitet e fundit janë bërë dy ndërhyrje fiskale nga qeveria. Konkretisht: është rritur me 10% taksa doganore e inputeve bujqësore si dhe është hequr vlera prej 6% e rimbursimit të TVSH- së produkteve bujqësore, të cilat kanë ndikuar në rritjen e çmimeve të inputeve dhe produkteve bujqësore.

Pra qeveria në vend që të mundësonte lehtësimin e barrës fiskale në kushtet e krizës globale të ushqimit, ka vepruar në kah të kundërt duke e përkeqësuar atë.

Duhet që bujqësia të mos lihet në mëshirë të tekave të natyrës, prandaj mendoj se është domosdoshmëri subvensionimi nga shteti i skemave të sigurimeve të pronës në bujqësi nga përmbytjet, zjarret dhe sëmundjet në blegtori deri 50 % të sigurimit .

Një problematikë tjetër që duhet të afrontohet nga qeveria është numri mjaft i reduktuar i studentëve që studiojnë në degët me rëndësi të veçantë për ekonominë shqiptare si Agronomi, Veterinari apo Inxhinier Pyjesh.

Shqipëria ka nevojë edhe për juristë e ekonomistë, por një vend bujqësor si Shqipëria nuk mund të zhvillohet pa agronomë dhe inxhinjer pyjesh ku rreth 18 % të sipërfaqes e zënë kullotat dhe 37 % pyjet.

Prandaj duhet të mbështeten me bursa studimi studentët, që studiojnë në fushat e bujqësisë në mënyrë që të përgatiten specialistë të aftë për zhvillimin rural dhe transferimin e teknologjive të reja tek fermerët.

Siç shihet hallet e bujqësisë janë të mëdha dhe sygjerimet mund të jenë të shumta, por shpresoj që të fillohet me dashamirësinë e politikbërësve për bujqësinë dhe fermerët.

Të shpresojmë se shqiptarët e diasporës kur të vijnë në vendin e tyre të shijojnë produktet autoktone të vendit tonë; djathin e Gjirokastrës apo qershinë e Dibrës , domaten “zemër kau” dhe jo fetën greke apo domaten italiane!