Skandali, QSUT mjekon pacientët me barna të skaduara

    504
    Sigal

    Kontrollet e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, abuzime me fondet publike, ndjekje penale për abuzuesit

    Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka intensifikuar kontrollet në të gjitha subjektet e kontraktuara, mjekët, farmacitë dhe depot farmaceutike, duke konstatuar një sërë abuzimesh dhe dërguar në prokurori dosjet përkatëse. “Abuzimet me fondet publike, të destinuara për kategoritë më në nevojë, si pensionistët, të sëmurët rëndë, invalidët etj, do të kenë ndëshkimet maksimale ligjore. Rastet abuzive, të cilat, ndryshe nga çka ndodhur më herët, nuk do të mjaftohen me ndëshkime si;  gjoba, dëm ekonomik apo ndërprerje kontrate, por çdo rast flagrant do të dërgohet në Prokurori, për ndjeke penale”, deklaroi drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Sigurimeve, z. Astrit Beci.

    Më konkretisht, drejtoria e Kontrollit Parësor dhe Farmaceutik në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, ka dërguar në prokurori dosjen e plotë për abuzime me fondin e rimbursimit për dy abuzues të skemës, të cilët kanë marrë rimbursime të dyfishta nga 2 mjekë familjeje në Tiranë, në vlera të konsiderueshme, disa milionë lekë.

    Përpos fenomeneve të hasura deri më tani, ekspertët po evidentojnë fenomene të reja abuzive, më të sofistikuara, për të cilat janë kryer kontrolle investiguese deri te pacientët, duke evidentuar shkelje me fondet publike për rimbursimin e barnave. Më konkretisht, 2 raste po investigohen në kryeqytet dhe rrethinat, ku janë evidentuar farmaci pa kontratë me ISKSH-në, por që deklarojnë të kundërtën, duke ushtruar aktivitet të paligjshëm e më pas recetat dërgohen pranë një farmacie me kontratë, që i përdor ato si farmaci “satelite”.

    Vetëm gjatë muajit të fundit, drejtoria e Kontrollit Parësor dhe Farmaceutik, ka kontrolluar 12 qendra shëndetësore, 42 subjekte me kontrate, nga këta 11 Drejtorë të QSH dhe 31 MPF të kontraktuar me këto qendra në Tiranë. Janë vërejtur problematika që lidhen me konstatimin se, mjekë familjeje nuk i plotësojnë kartelat personale me të gjithë treguesit e domosdoshëm për ecurinë dhe vazhdimësinë e sëmundjes. Shkeljet e konstatuara lidhen me barnat me rimbursim që kanë të bëjnë me nozologjitë mjekësore, të sistemit të kardiologjisë, urologjike, endokrinologjike, për barna që kanë vlerën më të lartë të rimbursimit.

     Masat e marra gjatë kontrollit 1- mujor në Tiranë 

    •Masë administrative, gjoba në vlerën 10  000  lekë  për 3( tre) mjekë të familjes

    •Masë detyrim shpërblim dëmi në vlerën 147 267.8 lekë për  21 (njëzet e një) mjekë të familjes

    •U konstatua në një rast se i njëjti pacient kishte hapur librezë shëndetësore në dy qendra shëndetësore të veçanta, në 2(dy) mjekë të familjes të ndryshëm dhe përfitonte pa të drejtë rimbursim, duke shkaktuar dëm të përgjithshëm ekonomik, në vlerën 373 482 lekë.

    •Pacienti ka dorëzuar te mjeku i familjes, 13 shkresa miratimi për dhënien e mjekimit për një periudhë 6 (gjashtë) mujore, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara, pasi nuk janë të regjistruara në DRSKSH Tiranë. Për këtë arsye, çështja është dërguar në Prokurorinë e rrethit Tiranë, për hetim të mëtejshëm, ku nuk përjashtohen as drejtues të lartë të institucioneve përgjegjëse.

     Elbasan: Barna pa pullën e Ministrisë së Shëndetësisë

     Kontrolle të imtësishme në shërbimin farmaceutik, janë realizuar në rrethin e Elbasanit, ku janë konstatuar shkelje me përfitime të paligjshme nga rimbursimi i barnave i disa farmacive si dhe gjendje barnash në farmaci pa pullën e Ministrisë së Shëndetësisë. Masat e marra janë si vijon:

    •Masë administrative gjoba në vlerën 48 000 lekë për 4 (katër) subjekte farmaceutike.

    •Detyrim shpërblim dëmi në vlerën 254 799.5 lekë për 7 (shtatë) subjekte farmaceutike.

    •Masë administrative kusht penal në vlerën 50 000 lekë për  3 (tre) subjekte farmaceutike.

    •Zgjidhje kontrate për 2 (dy)  subjekte farmaceutike.

    Përtej rasteve të abuzimeve nga subjektet me kontratë, vëmendje e posaçme i është kushtuar rasteve korruptive. Për të gjitha shkeljet e konstatuara nga drejtoria e Kontrollit Parësor dhe Farmaceutik në ISKSH, specialistët e degës Elbasan, nuk kishin marrë asnjë masë, pavarësisht kontrolleve të ushtruara. Kësisoj, janë marrë masa disiplinore  “Vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna” për një punonjës të DRSKSH-Elbasan, dhe “Vërejtje” për dy punonjës të DRSKSH-Elbasan.

    Kontrolli në Lezhë

    Kontrolle të imtësishme janë ushtruar gjithashtu në rrethin e Lezhës, ku janë konstatuar: tregtim barnash me rimbursim pa dokumentacionin ligjor, duke u rimbursuar padrejtësisht për barna pa i patur gjendje në farmaci, në kundërshtim me detyrimet kontraktuale me ISKSH-në, mangësi në plotësimin e dokumentacionit, sipas detyrimeve kontraktuale, praninë e librezave të shëndetit të pacientëve në ambientet e farmacisë, duke mos qenë prezent pacienti. Gjithashtu, është vënë re se një subjekt farmaceutik rezultoi me diferenca në plus (gjendja fizike është më e madhe se gjendja kontabël) të pajustifikuara mbi 150 000 lekë, për të cilat është vendosur masa “zgjidhje kontrate”.

    Për këto shkelje janë marrë masat e mëposhtme:

    •Masë administrative “gjoba” në vlerën 23 000  lekë për 4 subjekte farmaceutike.

    •Detyrim “shpërblim dëmi” në vlerën 1 050 968  lekë për gjashtë subjekte farmaceutike.

    •Masë administrative “kusht penal” në vlerën 30 000 lekë për tre subjekte farmaceutike.

    •Zgjidhje kontrate për një subjekt farmaceutike.

    box

    QSU/ 1 milion dollarë, vlera e barnave të skaduara

    Një tjetër fokus i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore janë spitalet, për të cilat do të ketë kontrolle të vazhdueshme për mënyrën se si i përdorin fondet publike, si dhe për cilësinë e shërbimit që u ofrojnë pacientëve. Drejtoria e kontrollit spitalor pranë ISKSH-së, në zbatim të kontratës me Spitalet, në funksion të përmirësimit të punës dhe mirëmenaxhimit të fondeve, ka kryer kontrolle të plota në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” si dhe në spitalet rajonale. Një nga shkeljet e hasura në QSUT, ka të bëjë me prezencën në spital të barnave të skaduara. Vetëm gjatë  viteve  2011, 2012 janë konstatuar rreth 50 barna të skaduara në sasi të ndryshme, të cilat kanë qenë gjendje në QSUT. Keqmenaxhimi i mëparshëm i fondeve, ka sjellë një dëm të dyfishtë si për buxhetin e shtetit, po ashtu për pacientët, pasi ai fond, mund të përdorej për plotësimin e nevojave të spitalit me barna të tjera apo materiale mjekësore të nevojshme.

    Shifra është afro 20 milionë lekë (të reja) për vitet e sipërpërmendura, dëm i shkaktuar nga barnat e skaduara vetëm në QSUT.  Së bashku me barna nga donacionet, vlera e barnave të skaduara arrin në 1 milion dollarë. “Nëse ky fond do ishte përdorur me efikasitet, situata do të kishte qenë tjetër, pasi të gjithë i dimë mungesat e mëdha që ka patur kjo qendër universitare, më e madhja në vend. Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka angazhimin maksimal, për të eliminuar kulturën e pandëshkueshmërisë, me synim dërgimin e çdo qindarke që jepet për shëndetësinë, tek përfitimet e pacientëve”, u shpreh dr. Astrit Beci, drejtori i Fondit të Sigurimeve.