Dr. Ilir Pecnikaj/ Panariti, Ministër Bujqësie apo analist rajonal?!

144

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti, pas shumë vitesh njohje dhe pune me të, në një farë këndvështrimi, vetëm sot arrita ta kuptoj. Ju, miku im, qenkeni një “supermen”, një super analist, por mbi të gjitha një super demagog.

Këto po i shkruaj duke marrë shkas nga show-i juaj i radhës në Lushnje, dhe nga publikimi më datë 21 mars 2014 në faqen zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të artikullit: “Ministri Panariti në Lushnjë” Laboratorë në çdo qark për të analizuar direkt produktet e freskëta të serave”.

Shpresoj shumë që një deklaratë të tillë si kjo, të dilni dhe ta minimizoni sepse është një gënjeshtër megalomane, dhe mashtrim i paskrupull që ju po bëni. Nuk ekziston absolutisht asnjë metodë analitike, i nderuar z. Ministër, që të përfshijë të gjitha këto analiza së bashku, në një të vetme (shiko deklaratën e botuar në faqen e ministrisë). Një gënjeshtër demagogjike si kjo, edhe Lenka Çuko do t’a kishte zili. Ku janë këta specialistë që nuk e hapin gojën asnjë, edhe pse jam i sigurt se “po qeshin me gojë në grusht” siç thotë populli. Ju jeni edhe profesori i toksikologjisë dhe dilni e bëni një show të tillë para gjithë shqiptarëve, për t’ju treguar që me një analizë toksikologjie arrin të bësh gjithë karakterizimin e përmbajtjes së trupave të huaj në prodhime të freskëta vegjetale.

Nuk dua të bëj polemikë politike, sepse tanimë unë nuk jetoj në Shqipëri, dhe nuk është ky qëllimi im. Po shikoj me keqardhje si janë katandisur ministrat e kësaj qeverie, që të gjithë, kush më shumë e kush edhe më shumë, të marrin kompetencat e specialistëve, drejtuesve, politikbërësve, teknikëve e deri të pastrueseve në disa raste… Kjo është e pafalshme.

Për rastin në fjalë, po jua shpjegoj unë fare thjesht se analiza që ju keni bërë në Lushnje nuk është një analizë, e cila bëhet në perime të freskëta, sepse këto tip toksinash që ju kërkoni të detektoni nuk janë të pranishme në perime të freskëta, por edhe në qoftë se janë, ato evitohen me një larje me tretësirë sode buke pa bërë gjithë atë show me minj në Lushnje. Po të fusim këtu edhe anën profesionale të kryerjes së analizës, kjo e gjykuar nga fotot e postuara nga vetë ju, e bën veprimin tuaj sa qesharak po aq dhe të pabesueshëm. Kur bëhen analiza analitike z. Ministër, prezumohet se kampionet që merren në analizë janë të kontaminuara, dhe gjëja e parë sipas ISO 9001, 14001 dhe 17025 është mbrojtja e analistit, pra e juaja ne këtë rast, si personi më i ekspozuar (në këtë rast ju që po e kryenit analizën pa asnjë mjet mbrojtës). Pra, në këtë rast, ju mund të ishit edhe kontaminues i miut dhe e kundërta. Nuk më zë meraku për ju, por për ata që shikojnë dhe në naivitetin e tyre thonë “e shikoni ministrin si i përvishet punës…?!” Jo të nderuar lexues, po i përvishet demagogjisë.

Provë e pavlefshme profesionalisht!

Përse nuk e keni publikuar në ndonjë revistë shkencore përpara se ta bënit publike në Lushnje? Po ta publikoje, i dashur mik, që arrin të bësh një gjë të tillë, jam shumë i sigurt që shumë shpejt do merrje ose çmimin “Nobel” ose çmimin “Trangull”. Ju si ministër duhet të dini të bëni dallimin midis shërbëtorit të politikës dhe përrallave që u tregohen fëmijëve me Frankenstein-in.

Ju keni një Institut reference që i “tundni kambanën”, i cili ka 5 prova të akredituara, dhe shumë modestish dua të them që akreditimi i atyre provave është bërë edhe falë këmbënguljes time dhe profesionalizmit tim në atë Institut. Dua t’ju them i nderuar mik Ministër, se vetëm për mbetjet në produktet ushqimore me origjinë jo shtazore janë mbi 900 analit. Përsa i përket metodave analitike të tyre, nuk mund të përdoret e njëjta metodë analitike për të njëjtin analit, në dy kampione të ndryshme. Pra siç e shikoni numri i llojeve të analizave është shumë-shumë i madh. Nga ky numër janë mese të detyrueshme për t’u analizuar të gjitha mbetjet e PMB që importohen dhe që prodhohen në Shqipëri. Në Shqipëri deri më sot janë të regjistruara mbi 240 PMB të ndryshme, dhe bashke me metabolitet e tyre arrijnë në një shifër mbi 600 komponent të ndryshëm për t’u analizuar. Këto të nxjerra nga “European Food Safety Authority” e “DG SANCO” . Pra të gjithë këtë komponent, Ju e thjeshtëzuat në  një procedurë dhe i thatë popullit shqiptar që “arrini t’i bëni me një injektim në minj” jashtë çdo kushti laboratorik dhe higjieno-sanitar. Duhet të kesh zemër ariu dhe mendje miu për t’i thënë një gjë të tillë popullit.

Unë po shkruaj për dy arsye. E para, ndihem thellësisht i fyer profesionalisht nga kjo që keni publikuar në faqen zyrtare të ministrisë dhe së dyti, duke qenë se për një kohe mbi 3 vjeçare kam dhënë kontributin tim në ringritjen e ISUV-it si i vetmi institut i kontrollit ushqimor në Shqipëri dhe jam ai person që kam ngritur nga zero laboratorin e kontrollit të produkteve për mbrojtjen e bimëve, barnave bujqësore (PMB), që ju i quani pesti-cide (cide=vrasës). Shkenca moderne këtë fjalë e ka hequr nga fjalori.

Ky laborator u ndërtua si një laborator ndër më modernët në Ballkan dhe ka një efiçensë të plotë përsa i përket kontrollit të PMB. Në atë laborator, nga dita që kam ikur unë nga ai institut, nuk është vënë dorë në të për ta përmirësuar, vetëm nëse është vënë për ta shkatërruar. Aparaturat janë të gjitha të pakolauduara dhe të pacertifikuara, sepse u ka skaduar afati dhe nuk është rinovuar më për shkak të mungesës së fondeve operative.

Mos i detyroni drejtuesit apo specialistët e ISUV-it të dalin e të bëjnë deklarata qesharake. Ndiej keqardhje për trajtimin e tyre dhe aq më shumë kur ata detyrohen siç mund të jetë detyruar të bëj një deklaratë krejtësisht të rremë edhe zv.drejtori i ISUV-it që kanë analizuar 452 mbetje të ndryshme për sa i përket këtyre produkteve. Që të bësh analizat e 452 mbetjeve të ndryshme, gjëja më e pakët është të keni standardet analitike për 452 komponentë, gjë e cila nuk ekziston, është e pamundur sepse ISUV, nuk i disponon dhe as nuk i ka disponuar kurrë një shifër të tillë standardesh analitike.

E dyta, duke qenë se në ISUV është hera e parë që bëhen analiza të tilla, aty duhet të kesh një staf të kualifikuar për këtë qellim, gjë që nuk është. Të kesh në dispozicion, koha fizike për të shtruar dhe për të validuar metodat analitike për këto produkte, në kushte ideale, është më shume se 2 vjet. E treta, e cila e bën të ç’fryhet kjo flluskë, është se ISUV nuk ka një laborator të tillë. Pra siç e shikoni është një farsë e radhës që del nga urdhrat tuaja z.Ministër dhe e atyre që ju rrethojnë. Pra është koha që të ndihmojmë ISUV-in që të realizojë këto analiza, t’i krijohen kushtet për të bërë një gjë të tille e më pas për ta akredituar në bazë të rregulloreve të European Food Safety Authority.

Për të bërë një punë të tillë duhen para. Të shikojmë sa para ka vënë në dispozicion këtë vit Ministri Panariti për ISUV-in. Nga buxheti i vitit 2014, të publikuar nga kjo ministri në faqen e saj zyrtare janë këto zëra: 23.000.000 shpenzime operative, 10.000.000 shpenzime veterinare (ky është fondi minimal për vaksina blegtorale), 2.000.000 bioprepatare veterinare (vaksinë murtaje), 16.000.000 reagentë, monitorim, 30.285.000 IPA 2010 “Ndërtimi i laboratorit Veterinar”. 20.000.000 TVSH e IPA 2010 “Ndërtimi i laboratorit Veterinar”.

Pra siç e shikoni mungon totalisht zëri për ngritjen e laboratorëve për kontrollin e mbetjeve të PMB në produktet bujqësore e për fat të keq, nuk ka asnjë lek për investime dhe mund të them me plot gojë se është viti i parë, që nga 2006-a, që në atë institut mungon zëri investim (mos të ngatërrojmë investimet e IPA-s të cilat janë për ngritjen e laboratorëve veterinarë që është komplet gjë tjetër).

Zoti ministër, e dini mire se sa para janë harxhuar vetëm për akreditimin e 5 analizave të para. Vetëm nga Fondacioni Italian për Zhvillim janë shpenzuar 3,5 milion euro, pa llogaritur që ishte një strukturë e ngritur më përpara. Për lexuesin, Ministri Panariti ka qenë një nga menaxherët e këtij fondi, i cili është menaxhuar nga OBSH.

Duhet të ndalem në këtë pikë sepse e njoh shumë mirë. Gjithmonë është kërkuar që të bëhen analizat e mbetjeve të PMB-së në produktet jo shtazore, dhe analizat e PMB-së në të njëjtin laborator. Është një gjë e paarritshme. Nuk ka funksionuar kurrë dhe as kësaj here nuk ka për të funksionuar. Në termin analitik quhet “cross-contamination” që e përshtatur në shqip është “ndotje nga mbivendosja”. Për ta shpjeguar për publikun e gjerë, është njëlloj sikur t’i thuash një druvari ne pyll që “meqenëse ke një motosharrë për të prerë lisa, në pushim të drekës fillo dhe bëj ca kruajtëse dhëmbësh po me të njëjtën motosharrë”. Ia del dot?! Një mundësi tjetër është përdorimi i laboratorëve të mbetjeve në produktet me origjinë shtazore. Nëse bëhet një gjë e tillë kjo do të thotë se edhe laboratorët e mbetjeve në produkte shtazore kanë marrë fund, për të vetmen arsye që ju thashë më sipër. Edhe në këtë rast do kishim një mbivendosje të mbetjeve. Pra, siç thotë populli “lesh e li”. E papranueshme nga të gjithë rregullat europiane në fuqi. Këtë do të bëjë edhe Ministria e Bujqësisë me laboratorin e kontrollit të PMB-së apo të kontrollit të mbetjeve të barnave veterinare?!

Gjithmonë është kërkuar që të punohet me urdhra nga lart: “Duhet të bëni këtë që them unë ose përndryshe mos u paraqit nesër në punë”. Kështu do të vazhdoni të drejtoni i nderuar ministër edhe ju?! Analizat nuk bëhen me urdhra, por me investime dhe me një përkujdesje më të madhe karshi një instituti, i cili është unik për Shqipërinë dhe që ka specialistët më të mirë dhe më të përkushtuar që janë sot në vendin tonë.

Mos vazhdoni ta shikoni popullin si barngrënës.

Unë, i nderuar ministër, nuk do e kisha besuar kurrë që do binit kaq poshtë, dhe kisha besim në ju se do ta ringrinit sadopak këtë ministri. Por me ç’duket, kjo nuk qenka detyra e shumë personave që kanë ardhur në atë post. Edhe ju fatkeqësisht po shkoni në brazdën e pararendësit tuaj. Një turp i madh. Nëse pararendësi juaj do mbrohej duke thënë se “nuk ishte i fushës”, ju si do mbroheni?

Është e disata herë që ju bëni gafa të tilla i nderuar ministër. Jeni gjithmonë në ballë dhe i aktivizuar fizikisht. Pretendoni që i bëni të gjitha ju, dhe harroni të bëni atë që duhet: t’i krijoni mundësinë taksapaguesve shqiptarë për të marrë në mënyrën më të mirë të mundshme shërbimet e nevojshme e të domosdoshme, pa i mashtruar ata. Edhe me rastin e kastravecëve në vjeshtë, dolët dhe i thatë popullit se duhet të hani 11 kg kastravecë që të intoksikoheni prej tyre. Edhe në këtë rast i bëtë “lopë” konsumatorët (u kërkoj ndjesë lexuesve për termin nga ana ime) apo ndoshta nga zanati si veteriner që jeni, doni sa më shumë pacientë?

Deri kur…?!

*Pedagog në Fakultetin e Shkencave Bujqësore, Ushqimit dhe Mjedisit, në Universitetin Katolik, Piacenza Itali.

Kërkues shkencor, Departamenti i Kimisë,Universiteti i Milanos, Itali