Dilaver Goxhaj/ Nëntori Shqiptar

65

Porsa afrohet muaji Nëntor, natyrshëm, shqiptarëve u duket se erdhi muaji i tyre. Kjo, për arsye se të gjitha datat më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar kanë ndodhur në muajin Nëntor. Për herë të parë ka hyrë në historinë tonë, muaji nëntor i vitit 1443, kur Gjergj Kastrioti, i njohur me emrin Skëndërbeu, mori nën kontroll kështjellën e Krujës dhe nëpërmjet saj tërë administrimin drejtuese të zotërimeve të të parëve të tij dhe, në mitingun e ditës së nesërme, 28 Nëntor 1443, para popullit të Krujës dhe të banorëve për rreth, e deklaroi atë të lirë, si dhe tërë trojet e tjera të shqiptarëve, duke u shprehur: “Lirinë nuk ua solla unë, atë e gjeta midis Jush”.

Në muajin Mars 1444, ai organizon Kuvendin e Lezhës, ku morën pjesë tërë princat shqiptarë dhe ata të Malit të Zi. Ai ishte kuvendi i parë në Europë i atij lloji. Sikundër dihet, fillimisht princat shqiptarë patën hezitime midis tyre për të pranuar bashkimin nën një drejtues të vetëm. Kjo për arsye se, secili donte të ishte i parë ose të kishtte një rol të rëndësishëm në atë bashkim, i cili u quajt Lidhja e Lezhës. Ishte plaku lab, Gjergj Aranit Komnen Golemi, 72- vjeçar, i njohur përmbi 10 vjet nga e tërë Europa (1432-1443), si Gjenerali fitimtar ndaj pushtuesve osmanë, i cili mundësoi bashkimin, pasi, duke pranuar Skënderbeun të parin e vendit dhe se vet ai do t’i paguante taksa dhe do të dërgonte ushtarë nën komandën e tij, i detyroi princat e tjerë të bënin të njëjtën gjë. Gjegj Aranit Golemi ish plot autoritet, pasi 10 vjet më parë kish udhëhequr kryengritjen e Labërisë kundër turqve dhe kish fituar, ndaj emri i tij qe popullarizuar në tërë Evropën.

Nëntori i Dytë ishte ai i vitit 1912, kur, plaku tjetër lab, Ismail Qemali, nga dera e Gjergj Aranit Komnen Golemit, ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Edhe këtu u mbajt kuvendi i tërë trojeve shqiptare. 28 Nëntori njihet e festohet edhe si Dita e Flamurit, nga të gjithë shqiptarët në botë.

Nëntori i Tretë është ai i vitit 1944, 29 Nëntor, kur Shqipëria e sotme u çlirua nga pushtuesit nazi-fashistë, pas një luftë 5 vjeçare. Mirëpo, nuk është e thënë që këtu të mbaronin festat e shqiptarëve për muajin Nëntor.

Në 27 Nëntor 1997, Nëntori i Katërt, shpërthen Kryengritja e Armatosur në Kosovë për çlirimin e saj nga pushtimi 85- vjeçar i Serbisë. Për koincidencë, edhe Komandanti i asaj lufte, Adem Jashari, e ka datëlindjen në 28 Nëntor 1955. Duke qenë se në muajin Nëntor shqiptarët kanë patur Katër datat më të rëndësishme të historisë së tyre, me të drejtë mund ta quajmë atë muaj: Nëntori i Shqiptarëve. Vlen të theksohet se të 4 festat e Nëntorit tonë janë në 3 data: 27, 28, 29 Nëntor.