Demokracia dhe emigrantët

Kristal Meleqi

Vendosja e demokracisë edhe në Shqipëri ishte një ëndërr për shqiptarët, sepse ishim i vetmi shtet në Evropë që për mbi 40 vjet jetuam të izoluar. Prandaj studentët, të rinjtë, shtresat e shtypura e të persekutuara, të dënuar me vdekje e me burgim të përjetshëm, si dhe intelektual të shumtë, qysh në fillimet e para të vendosjes së demokracisë gjatë viteve 1990-1992 me të drejtë thërritën e brohoritën: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” Kështu për një jetë më të mirë, me qindra e mijëra të rinj, burra e gra të moshuar morën rrugët e emigrimit për në vendet evropiane, kryesisht në dy shtetet fqinjë, Greqisë dhe Italisë sepse ishte kusht favorizues transporti. Greqia si shtet fqinjë dhe me kufi tokësor të gjatë me Shqipërinë priti rreth një milion emigrantë shqiptarë. Familjet greke u hapën dyert e shtëpive familjeve si motra shqiptare që gradualisht filluan të miqësoheshin, ambientoheshin me zakonet e traditat e lashta të popullit vëlla grek dhe me detyrimet e të drejtat që burojnë nga ligjet demokratike të vendit. Gradualisht u bë sistemi me punë i të rinjve, burrave dhe grave, duke përballuar vështirësitë në komunikim për shkak të gjuhës. Po kështu ndodhi edhe me Italinë ku emigruan mbi treqind mijë vetë si dhe në vendet e tjera të Evropës. Aktualisht gjatë viteve 1990-1992 e në vazhdim kanë emigruar përafërsisht një milion e gjysmë shqiptarë, ku: 

Së pari, emigrantët u njohën me funksionimin e demokracisë me detyrimet dhe të drejtat që janë për të gjithë njëlloj e që mbështeten në ligje e norma juridike të detyrueshme për të respektuar e zbatuar nga të gjithë pa asnjë përjashtim. 

Së dyti, familjet shqiptare u ambientuan e u përshtatën dhe zbatojnë me rigorozitet rregullat dhe normat shoqërore demokratike në vendet e vendosura.

Së treti gradualisht ato rritën mirëqenien e tyre me të ardhura që sigurojnë me punët që kryejnë.

Së katërti për familjet emigrante është gëzim i madh sistemimi i fëmijëve të tyre në punëra e shkolla dhe përfundimi me sukses i mësimeve, ku shumë prej tyre u arsimuan e po arsimohen në universitete të vendeve të rëndësishme ku dhe janë punësuar e dalluar për punët që kryejnë. Familjet shqiptare të rinjtë e të rejat kurrë nuk e kanë harruar dhe harrojnë vendlindjen, atdheun, sepse veç atdhetarizmit, kanë lënë pas prindërit e të afërmit e tyre si në qytete e fshatra. Nga të ardhurat që ata sigurojnë ndihmojnë dhe prindërit duke ditur vështirësitë ekonomike të tyre me pensione të vogla që nuk mjaftojnë për të blerë ilaçet. Shumë të rinj që janë në emigracion me të ardhurat e tyre kanë rindërtuar e rregulluar shtëpitë e tyre. Gjithashtu janë për t’u përgëzuar banorët e jugut e të veriut të vendit që në vitet e para të demokracisë lanë vendlindjet e tyre të vështira për jetesë dhe zbritën e u vendosën në periferitë e qyteteve të mëdha si në Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Shkodër etj., ku me punën e tyre kanë ndërtuar shtëpitë e tyre. Por natyrshëm që shteti duhet t’i ndihmojë këta për t’u krijuar kushte sa më të mira duke shtruar rrugët, ujin e pijshëm, t’u ndërtojë shkolla e kopshte për fëmijët e tyre dhe vende çlodhëse. Dhe këto investime kërkojnë nga shteti studime që t’i përgjigjen perspektivës, disa dhjetëra vjeçarë. Në përgjithësi investimet e kryera nga bashkitë me aksione e me shumë bujë kryhen në prag të fushatave elektorale, të cilat jo vetëm që janë të pakta por dhe të pa studiuara, duke harxhuar paratë e taksapaguesve pa vend, vetëm për të fituar votat e zgjedhësve, në themel të këtyre abuzimeve të maskuara me zërin “investime” veprohet me tenderë që u jepen padrejtësisht firmave që vihen në shërbim të partive politike për të fituar zgjedhjet e për të ndarë fitimet së bashku gjatë katërvjeçarëve në pushtet si të majtë e të djathtë qofshin pas asnjë dallim.

Së pesti, emigrantët kanë prurë e po sjellin në atdhe një frymë të re dhe eksperiencë të madhe në fushën e marrëdhënieve të punës në shoqërinë shqiptare. Veçanërisht në botën e biznesit, të kulturës, artit etj, por që politikat 27 vjeçare të të ashtuquajturës “demokraci” alla shqiptare, ka bërë pak përpjekje të ndershme për rritjen e nivelit jetësor të shtresave të varfra të popullsisë, pasi është përdorur dhe po përdoret pushteti prej saj si një “lopë“ për përdorimin me pakujdesi dhe shpërdorim të të ardhurave të taksapaguesve shqiptarë dhe të burimeve të shumta materiale, natyrore e tokësore, duke nxitur e masivizuar korrupsionin, duke u përfshirë në të edhe segmente të shkëputura të organeve shtetërore e parlamentare, që nëpërmjet firmave fantazmë janë grabitur e po grabiten pasuritë e popullit me forma e mënyra të ndryshme. Kjo gjë e shëmtuar që po ndodh po e shpie gradualisht vendin në një falimentim total të ekonomisë.. Një fenomen i rrezikshëm për vendin është papunësia në rritje, ku të rinjtë e të rejat bëjnë përpjekje të largohen nga vendi siç ndodhi në vitet e para të demokracisë, sepse niveli i jetesës është nga më të ulëtat e krahasuar me vendet fqinjë të Ballkanit, pa bërë fjalë krahasimi me vendet evropiane. Kriminaliteti është në rritje të vazhdueshme që vjen nga korrupsioni i paparë nga moszbatimi dhe respektimi i ligjeve një lloj për të gjithë, sepse guri themelit të demokracisë që është “prona” grabitet nga më të “fortët” si dhe nga paraja e “pistë“ që sigurohet në rrugë të shumta, e veçanërisht nga mbjellja e vendit me drogë. Qeveritë shqiptare të majta e të djathta, duhet të kthejnë sytë nga shtetasit e tyre emigrantë, për t’i përkrahur e ndihmuar për zgjidhjen e halleve e problemeve të shumta që kanë si në vendlindjet e tyre dhe jashtë ku jetojnë. Emigrantët kanë kontribuar për vendin me remitancat në valutë të huaj të dërguara në Shqipëri duke u mundësuar tregtarëve sigurimin e valutës së nevojshme për blerjen e mallrave të nevojshëm ushqimor e industrial për vendin mbasi ekonomia tonë nuk prodhon asgjë për konsum të brendshëm dhe eksport. Këtë dhjetëvjeçarin e fundit të demokracisë kanalet e shumta televizive, shtypi shkruar si dhe partitë politike të vendit, kanë kryer e po kryejnë një propagandë të madhe që me të drejtë mund ta quash antikombëtare duke ngatërruar emigrantët me grupet e shumta kriminale Brenda Shqipërisë që merren me një mori punësh të pista si drogë, prostitucion, grabitje me dhunë, ndërtime restorantesh, hotelesh etj., me paratë e krimit. Prandaj organet ligjvënëse e ligjzbatuese nga qendra në bazë duhet të marrin masa të rrepta për të ndaluar keqbërësit brenda vendit duke ju prerë fijet e errëta me bandat e huaja kriminale, për të shpëtuar e mos ngatërruar emigrantët që punojnë e jetojnë jashtë vendit. Shumica e emigrantëve po i afrohet moshës së daljes në pension pleqërie, ku një pjesë e madhe e tyre kanë punuar dhe punojnë në të zezë, pa derdhur kontribute shoqërore. Gjithashtu, emigrantë të shumtë fitimet e siguruara në valutë të huaj i kanë sjellë në vendlindjet e tyre të cilat kanë shërbyer për daljen e vendit nga krizat e herëpashershme financiare, prandaj është detyrë e qeverisë të studiojë mundësinë e njohjes të viteve të largimit të emigrantëve për siguracione si vite pune, për të siguruar edhe ata një pension minimal jetese. Emigrantët shqiptarë kanë qenë dhe janë përfaqësuesit më të denjë të kombit tonë nëpër botë, prandaj e meritojnë një kujdesje e interesim të jashtëzakonshëm të Parlamentit e qeverisë shqiptare.