Dr. Selman Meziu: Masakrimi i pyjeve, pasurisë më të çmuar kombëtare, në këto 30 vjet është bërë vetëm për interesat klienteliste të “mafies së gjelbër’

582
Sigal

Masakrimi i pyjeve, pasurisë më të çmuar kombëtare, në këta 30 vjet është bërë  vetëm për interesat klienteliste të “mafies së gjelbër”

 Dr. Selman Meziu

Mjedisi është një çështje që na përket të gjithëve,sikur edhe brezave që vijnë. Kuptohet që nga qeveritë kjo duhet të shihet me prioritet të veçantë, përmes strategjive afatgjata. Si qëndron problemi në Shqipëri?

Mjedisi është një koncept mjaft i gjërë ku ndërthuren, mpleksen, bashkëveprojnë e bashkëjetojnë qenie të gjalla e jo të gjalla, secila në sherbim të njëra- tjetrës. Dobësimi edhe i një hallke të vetme shkakton dëmtime, keqësim të funksionimit të të tjerave,  prishje të ekuilibreve, deri në zhdukjen e specieve bimore e shtazore. Këto çrregullime nuk vijnë menjëherë, por  duhen dhjetra e qindra vjet, duke u pregatitur nga sjelljet e pa përgjegjshme të njeriut si objekt e subjekt i mjedisit, natyror, gjeografik, shoqëror etj. Janë 291 kompani, të cilat operojnë në fushën e guroreve, prodhimit të çimentos dhe gëlqeres, në Shqipëri. Analiza e transformimit të mjedisive të mësipërme është domosdoshmëri, për një shoqëri të kulturuar dhe për të ndërtuar një politikë ekonomike të drejtë në dobi të mirëqenies së popullit. Fatkeqësisht, analiza të pakryera në harkun kohor tridhjetëvjeçar. Dihet gjithashtu se, në korrik 2019, qeveria shqiptare ka miratuar një strategji kombëtare për ndryshimin e klimës për 2019-2030, biles me objektiva për vitin 2050. Strategjia është hartuar për  energjinë, transportin, bujqësinë, përdorimin e tokës dhe pyjet, me  objektiv të prodhimit të energjisë së rinovueshme prej 32%. Po të kërkosh realizimin e tyre, ose ndonjë masë konkrete të marrë do të mbetesh i zhgënjyer plotësisht. Mbi të gjitha, në dy të fundit që përbëjnë bazën themelore dhe më të rëndësishme të mjedist prodhues e jetësor të njeriut, familjes, fisit, fshatit, qytetit kombit, që janë toka dhe pyjet.

Fondi pyjor është paksuar, me rreth 100 mijë ha nga këto 50 mijë ha nga zjarret

A përbën masakër kombëtare, të pasurisë, shkrumbimi i pyjeve edhe ato që priten për interesa të ngushta klienteliste e fitime të majme e të shpejta?

Pyjet shqiptare, që nga shkurret mesdhetare,  buzë detit Adriatik e Jon e në vazhdim,  ato të dushqeve, ahut dhe pishave kanë qenë objekt i djegjeve shkatërrimtare, zhdukëse, shkrumbëzuese të gjithçkaje të gjallë e organike, mbartëse e rilindëse të jetës. Fondi pyjor është paksuar, me rreth 100 mijë ha nga këto 50 mijë ha nga zjarret, kryesisht të qëllimshme dhe, 50 mijë të tjera nga prerjet pa çekiç damkën a specialistit të pyjeve. Mbi pyjet si pasuri më e çmuar kombëtare, në këta 30 vjet është prerë  pa kurrëfarë rregullash silvoteknike, pa damkime, pa akt marrëveshje shfrytëzimi e dorëzimi sipas rregulloreve teknike në fuqi. Duke u konsideruar si mall belik, pa të zotin  e vetë. Klientelat e dalura prej sirtareve të qeverive kanë siguruar gjithnjë fitime të majme, duke prodhuar e shitur materialin drusor. Ato kanë përfituar nga organizimi i keq i mbrojtjes së kësaj pasurie dhe nga që kjo gjëndesh në natyre si dhuratë e saj, pa shpenzime finaciare dhe energjish njerëzore, mendore e fizike.

 Mafia e gjelbërt u shfaq e shtriu kthetrat e saj dhe i futi thellë,  në çdo cep të pyjeve shqiptare, që nga ato të Zepës në Kukës; në Munellë, Qafë Bari të Pukës, në Kaçinar, Bjeshkët e Oroshit…

Mungesa e veprimit të shtetit i ka hapur rrugën asaj që quhet “Mafia e gjelbër”. Cili dhe sa është dëmi i veprimtarisë së saj në vendin tonë?

Mafia si një grup kriminal i mirë organizuar nën ombrellën e shtetit, korr fitime të majme pa ju bindur ligjeve natyrore dhe të shoqërisë që drejtohet nga shteti.  Kur ai nuk funksonon, kur ai nuk zbaton ligjet, rregullat, atëhere edhe mafia e gjelbërt, ka bërë e po bën kërdinë në atë pasuri kombëtare që çdo ditë muaj e vit po zhduket.  E përbërë kjo nga  lënda drusore  si prodhim parësor dhe ato dytësore të vjelura nën e pranë grumbujve pyjorë. Mafia e gjelbërt u shfaq me makina, zetorë, me armë zjarri e thika që në trazirat e kobëshme, gjakëderdhëse të vitit 1997. Dhe ajo nga viti në vit, fatkeqësisht, veç u forcua ekonomikisht e politiksht, shtriu kthetrat e saj dhe i futi thellë,  në çdo cep të pyjeve shqiptare, që nga ato të Zepës në Kukës; në Munellë, Qafë Bari të Pukës, në Kaçinar, Bjeshkët e Oroshit e Valmar të Mirditës, në pyjet e Lurës, Prates e Kacnisë të Dibrës së Poshtme, në Bizë të Tiranës, në Dardhë, Bredh të Drenovës në Korçë, e Ballabanovë të Ersekës etj., etj. Në qeverinë ‘Rama 1’, ku ministër i Mjedisit e pyjeve ishte Lefter Koka, mafia e gjelbërt eksportoi mijëra e mijëra metra sterë dru zjarri, mijëra tonelata qymyr, mijëra metro kub lëndë të sharruar, duke realizuar fitime të mëdha e forcuar pozitat e saj ekonomike- politike. Nga eksportimi i ketyre produkteve vetëm për vitin 2014, janë marë nga eksporti 1 miliard e 2226 milionë lekë, përfunduar neto në xhepat e mafiese së gjelbërt.  E kjo bën vulën kriminale mjedisore të shkatërrimit, shkërmoqjes, zhdukjes  të organizimit piramidal të qeverisjes së pyjeve. Një veprim i studiuar në kulisat e mafies së gjelbërt shqiptare ishte edhe prerja, shfrytëzimi i lëndës drusore të ngastrave dhe më pas, vënia e zjarrit duke zhdukur çdo gjurmë kriminale të krimit biologjik, ekonomik, e humbur ato të mos zbatimit të rregullave e teknikës së zbatimit të prerjeve në volum, sipërfaqe e mënyrën e prerjeve e asortimenteve të nxjerra.

Dy kushte themelore, për ruajtjen të pasurisë pyjore, kullotave e ujrave, ështe dhënia në dorë e drejtimit teknik, ekonomik  të inxhinierëve e teknikëve të pyjeve

A mendoni që përveç krimit ekonomik të pandreqshëm, kemi të bëjmë edhe me një krim ekologjik, që në këtë rast nuk prek vetëm Shqipërinë?

Shkretimi, shfarosja, e pyjeve trungishte të pishës, bredhit, ahut etj., padyshim është një krim i madh ekonomik me pasoja për disa breznish të popullit tonë që jetojnë në male, kodrina fusha e qytete. E kjo është shfaqur në eksportimin e druve të zjarrit nga Maqedonia, Greqia, Mali i Zi etj., me çmime shumë të larta. Rrjedhimisht duke rritur me hapa galopante koston e jetesës, thelluar varfërinë e nga ana tjetër, duke shtuar presionin mbi prerjet pa leje të pyjeve të mbetura në këmbë. Thelbësore është të kuptohet që nga shtetasi i thjeshtë dhe deri teK politikbërësit, se krimi së pari, duhet të ndalohet mbi shfrytëzimin e pyjeve dhe djegiet e tyre; së dyti, duhet të merren masat silvikulturore  në pyje e organizimi i një qeverisje të re ku pylltarët të jenë medoemos violina e parë. E kjo që të riparohet, duhet  të paktën njëqind vjet. Pra që të arrijmë të vjelim materialin drunor, prodhimin rentabël, normal duke siguruar vazhdimësinë e prodhimit. Duhet medoemos  të arrijmë të fitojmë një ekosistemin pyjor me të gjitha ndikimet e tij, në përmirësimin e treguesve klimatik në popullimin me kafshë, shpendë, bimësi barishtore e shkurrore, mikrorganizma, stabilizimin e rregjimit ujor, formimin e arkitekturës peisazhistike, mikroklimën etj. Kuptohet vetë vetiu se ndotja e mjedisit me gazra helmuese, rrafshimi i mijëra hektar pyje, ka ndikuar  fuqishëm në klimën e cilësinë e ajrit te ne dhe  vendeve fqinje e me rradhë në kontinentin evropian e mbarë botën.Po sjellim vetem një fakt të freskët por mjaft tronditës, frikëndjellës e kujtesë për qeverinë e re shqiptare që do të formohet: ‘…Ndryshimet klimatike në rruzullin toksor si asnjë herë tjetër, po ndodhin: ‘’Pa as më të voglin dyshim për  fajin, gabimet e njeriut, nga  veprimtaria e padisiplinuar e pa kontrolluar e tij.,, Thuhet në raportin e Organizatës së Kombeve të Bashkuar mbi ndryshimet klimatike mbarë botërore, të ditës së hënë me datë 23.08 2021.

Përse sipas jush, nuk zbatohet Moratoriumi 2016? Përse fshihen shifrat e katastrofës reale të zhdukjes së pyjeve?

Së pari, duhet të njihemi me kuptimin e kësaj fjale të huaj që shkurt mund të shqipërohet: Ndalim, Ndërpreje me kohëzgjatje te ndryshme. Gjë të cilën ky vendim qeverie nuk e realizoi. Të flasim me gjuhën e fakteve: ‘’Vlera e të gjitha prodhimeve drusore të eksportuara gjatë viteve 2012-2016, variojnë nga 1 miliard e 7 milionë lekë në vitin 2013,, Gjithashtu nga i njëjti burim: ‘’Eksporti i lëndës drusore me vlerë 1 miliard e 111 milionë lekë për vitin 2016.(I.Meko. G. Kacorri. ‘’Pyjet në rrjedhjen e një shekulli,, f. 176.Tiranë 2018)   Pra kuptohet qartë vazhdimësia e barbarizmave mbi arin e gjelbërt. E njëjta situatë vazhdon deri në këto meomente, në pyjet shqiptare, shembulli më i freskët i muajve të fundit të masakrës në ekonomitë pyjore Sopotit e Polisit të Librazhdit dhe Orgockës të Kolonjës.  Dëshmi kokëforte se mafien e gjelbërt  nuk kanë arritur ta ndalojnë në shfrytezimin e atyre pak pyjeve  të ahut qa kanë mbetur në Shqipëri, i ashtu quajturi moratorium. Mafia e gjelbërt e masakrimit të pyjeve ka lidhje të forta me mijëra fije me gjithë strukturat koncesionardhënëse, me ato kontrolluese të qeverisë së sotme, duke ushqyer kontrabanadën e eksportit të druve te zjarrit, lëndës së sharruar, qymyrit të drurit, kuptohet pa lëna asnjë gjurmë në statistikat e shtetit. Kjo ështe shprehur edhe me fshehjen e të dhënave të invantarizimit të pyjeve të kryer gjatë viteve 2020-2021, duke mos e botuar asgjëkundi. Ato duhet të viheshin në dispozicion të specialistëve të pyjeve e institucioneve të ndryshme për të zbuluar ndryshimet ne volume e sipërfaqe të pyjeve, me inventarin  e 1985 ose të 2002.

 A mendoni se kjo situatë mund të ndryshoje, dhe si?

Le ta fillojmë nga Moratoriumi, i cili mund të mos ishte vendosur duke e zgjidhur problemin me një organizim tjetër piramidal, me krijimin e strukturave kontrolluese në zbatimin e ligjeve, mbi gjuetinë pa leje, kontrabandën e materialit të nxjerrë nga prerja e pyjeve dhe përgatitjen e tregtimin e qymyrit të drurit.

Tanimë mjaft specialistë pyjesh, janë shprehur në shtyp, në radio e televizion, nëpërmjet librave të shumtë të botuara etj. Dhe ja rrugë zgjidhjet:

Kalimi i pasurisë pyjore, kullosore e ujrave si drejtori e përgjithshme në vartësi të Ministrisë së Bujqësisë; Me degët brenda saj, silvikultur, mbarështrim, inventarizim, kadastër;  shfrytëzim ripërtirtje, pyllëzime sistemime malore; mbrojtje pyjesh nga sëmundje dhe zjarret; policia pyjore; Kryerja e ndarjes së pyjeve e kullotave në tre pronësi, private, komunale (meraja), shtetërore. Kadastrimi i tyre në terren e harta topografike; Krijimi i strukturave të tilla në qarqe, bashki e deri në komuna me inxhinierë e teknikë pyjesh si mbrojtës e zbatues të silvikulturës; Hartimi i strategjisë kombëtare mbi zhvillimin e pyjeve, kullotave,  i ligjeve, rregulloreve e statuteve; Krijimi i një bordi këshillues me specialistët më të mirë e më me eksperiencë në pyje, pranë qeverisë.

Dy kushte themelore, me rëndësi vendimtare në vënien mbi binar të fortë të pasurisë pyjore, kullotave e ujrave, ështe dhënia në dorë e drejtimit teknik, ekonomik  të inxhinierëve e teknikëve të pyjeve dhe ndarja në tre pronësi e pyjeve e kullotave, siç e njeh tradita qindravjeçare shqiptare dhe përvoja e shumë vendeve perëndimore.