Bashkim Koçi / PËR TË MOS UA PARË BOJËN…

115

Ka shkuar deri në kufijtë e banalitetit përdorimi me vend e pa vend i fjalës “mik”. Sapo dëgjojmë që dikush na drejtohet me këtë fjalëz të magjishme, nga më të bukurat e nga më fisniket e gjuhës shqipe, na turbullohet gjaku, na bën ta shikojmë “dikushin” drejt e në sy me ndjenjën e dyshimit, duke bërë vlerësimin real, atë që na e thotë zemra: “është apo nuk është prej vërteti ky zotëria, miku im”?

Ndoshta  në këtë fushatë elektorale (por edhe ato të kaluarat) togfjalëshi  “miqtë e mi”, “miku im i vjetër”, “të dashur miq”, “po ku të kam, o mik” etj., etj. është përdorur me falsitet të pështirë, me një hipokrizi  të neveritshme. E kanë baltosur keqas, gati-gati në ato nivele sa po na vjen ndot ta përdorim ne njerëzit e thjeshtë, atëherë  kur kjo fjalëz ka vendin e vet, meriton të thuhet me dashuri. Sepse një politikan, i cili flet e sillet në emër të subjektit që përfaqëson, nuk mund të jetë mik i të gjithëve, madje as i një grupi të caktuar njerëzish. Pyetja është fare e thjeshtë: ku, si je bërë mik me banorët e këtij qyteti, komune apo fshati? Ku na qenke  “miqësur”  me atë minatorin e Bulqizës, i cili të tromaks kur del nga galeria; me bariun e Çukës së Tomorrit, atë që të mallkon për prapësitë e tua në Parlament; ku e ke pirë  kafenë me peshkatarët  e Golemit, kur ata realisht nuk ta kanë parë kurrë surratin? Të jesh mik i dikujt, do të thotë që të kesh kaluar vite e vite bashkë, në ditë të mira e të këqija, në një farë mënyre të “kesh bërë kurbet”, të kesh ngrënë “një thes me kripë”, siç thotë populli. Me këtë kontigjent politikanësh që kemi, që na kanë hequr zvarrë e na kanë zënë frymën këtu e 22 vjet, të gjitha këto rrëzohen, janë rrena. Ata janë thjesht miq për fiq, miq për të na grabitur votën.

Dëgjoja këto ditë kryeministrin kur iu drejtua bashkëpatriotëve të mi skraparas  “miqtë e mij”. Po si mund t’u drejtohesh kështu, si mundet  që ata njerëz fisnikë, të zakonit e të traditës, të jenë mik me dikë që i ka trajtuar si “të harruar”, si të përjashtuar  nga çdo e drejtë që u jep një shtet normal? A ka fjalë më fyese, më hipokrite, e cila në një rast si ky, i ka kaluar kufijtë e të sjellurit si shtetar, si politikan që vjen e u kërkon të votojnë për një mandat tjetër qeverisës? Më së pari,  ky “i suksesshëm” duhet t’u japë llogari për punët e pakryera; për rrugën Berat-Çorovodë, historia e së cilës po i ngjan asaj të këtu e 80 vjet më parë, të merhumit Zog; për të papunët, të cilët zënë radhë për të marrë lekët e, mender, ndihmës ekonomike, etj. Ka kurajo pastaj ky zotëri t’u drejtohet skraparasve  “miqtë e mi”?

  Kam mendimin që nuk duhet humbur kohë për të zgjidhur ekuacionin me një të panjohur  “na kanë, apo nuk na kanë, i kemi, apo nuk i kemi  miq” të gjithë ata që na janë drejtuar me këtë term, në këto ditë të nxehta të fushatës zgjedhore. E thënë shkurt dhe shkoqur ata nuk i kemi asgjë, as miq e as armiq. Do të bëhen miq nëse do mbajnë premtimet që kanë shpalosur publikisht dhe nëse e mbajnë fjalën për të na u gjendur pranë “në kohë me shi e në kohë me diell”, kur na duhen, dhe jo kur u duhemi. Deri tani nuk kanë dhënë asnjë provë, nuk kanë treguar asnjë fije besueshmërie se do jenë të tillë. Vini re këto ditë revoltën e votuesve, zemëratën e tyre, deklaratat dëshpëruese, të cilat kanë të njëjtën përmbajtje “të mos ua shohim bojën!”. E di pse? Sepse këta “të zgjedhurit” tanë (ata realisht, janë të  zgjedhurit e partive) sapo marrin votën, sapo marrin mandatin e deputetit nuk duken më, humbasin, të gjitha përbetimet në fushatën elektorale zhduken si me magji. Dhe fjala “mik” është kthyer, po si me magji, në “armik”. Nuk ka më asnjë kuptim, nuk ka asnjë vlerë morale, nuk ka më asnjë lidhje shpirtërore. Dëgjoja ministrin e Ministrisë së Mbrojtjes, Arben Imamin, i cili në bashkëbisedim  elektoral me komunitetin rom, iu drejtua tërë hipokrizi: “miqtë e mi”! E beson kush, e hanë romët atë që aristokrati Arben të jetë miku i tyre, që nesër-pasnesër, kur ai të jetë në karrigen e deputetit  do t’u gjendet për hallet që kanë? I gjori ministër, kujton se ua hodhi romëve!

 Të të nderojnë, do të thotë të të duan. Kjo sidomos për një të zgjedhur nga vota popullore, për deputetin. Është gjëja më normale, madje nga më njerëzoret të shfaqësh nderim e respekt për dikë që i ke dhënë besimin dhe ai e ka mbajtur fjalën. Dhe është po kaq normale  të shpërthesh në zemëratë, të bëhesh “bishë” për sjellje që kanë humbur komunikimin, bërë njësh me harresën. Këto të fundit janë bërë gjërat më të rëndomta, më normalet, nga më të shëmtuarat e këtyre viteve në pluralizëm. Është tronditëse dhe me zhgënjim të pariparueshëm nëse edhe në këto zgjedhje të 23 Qershorit do të ngjasë ashtu si deri më tani, të japim votën për ata që na drejtohen sikur të na kenë miq, e që do të na harrojnë fiks një ditë më pas, sapo të kenë ligjëruar mandatin.

Sigurisht, llogaritë bëhen nga ne, votuesit. Ne jemi “mbretërit”, ata që vendosin këtë të djelë se kush do të jenë qeverisësit tanë për katër vitet e ardhshëm. Vetëm një moment, një çast fare i vogël ndan të mirën nga e keqja, të përzgjedhësh atë që të duhet, apo dikë tjetër, atë që do të ndjehesh i fyer, sepse të është shfaqur si “mik” pa e patur të tillë.

Ne si popull jemi “të uritur” për të na qeverisur njerëz të mirë, që të mund të sakrifikojnë  diçka për të na nxjerrë nga gropa ku kemi rënë. Ata që na drejtuan deri tani, le të mbeten ca vulëhumbur  që nuk ua pamë hajrin. Pra, këta që na kanë lodhur për 22 vjet, duke na u shfaqur si “miq”,  le t’i dëbojmë me votë më 23 Qershor! Kjo do të ishte për ta edhe e “e mira”  e mundshme.