Viron Bezhani / Z. Çoku, mos u bëni i verbër dhe shërbëtor i radhës

590
Sigal

I nderuar z.Çoku, me gjithë respektin që kam për institucionet publike jam i detyruar t’ju përgjigjem juve, pasi keni vënë në diskutim  moralin, vërtetësinë e fjalëve dhe dokumenteve të mia.

Z. Çoku, ju siguroj se, në qoftë se gjeni një fjalë të vetme jo të  vërtetë në artikullin tim,  jam i gatshëm të përgjigjem ligjërisht.

Unë dhe familja ime nuk e kemi në moral të gënjejmë dhe të themi të pavërteta, por përkundrazi  pavarësisht pasojave, në çdo moment dhe në çdo  situatë, i kemi denoncuar ato dhe do vazhdojmë ta bëjmë një gjë të tillë sa herë të ndeshemi përballë të pavërtetave.

Unë ju kuptoj juve që ju kanë detyruar të jepni deklaratë, por jeni gabuar rëndë me mua. Pse?

– Edhe atë fakt që kishit dhënë se do dhe një muaj të dalë raporti, jeni gabuar,  pasi mua më ka ardhur raporti.

A e dini ju z.Çoku se, kontrolli  juaj më ka sjellë shkresat për problematikën e këtij kontrolli në lojërat e fatit, ku thuhej vetëm për disa gjoba jo të mbledhura, që  unë nuk kam fare  përgjegjësi dhe asnjë problem tjetër.

Nëse gjobat janë të pambledhura, përse zoti Çobaj nuk i mbledh, pasi ato janë detyrime që nuk u shmanget dot asnjë subjekt dhe nuk i merr me vete askush që largohet, ato detyrime?

Është detyrë e Z. Çobaj që t’i mbledhë ato detyrime, por më sa duket i leverdis, pasi nuk e shqetëson aspak buxheti i shtetit, mjafton që të jetë mirë me buxhetin e tij apo të një rrethi të ngushtë.

A e dini ju  z.Çoku  se, të gjitha certifikimet  që janë bërë nga NJMLF, me ardhjen e z.Besnik Çobaj janë bërë pa firmën e Drejtorit të Certifikimit, detyrë të cilën e kam patur unë personalisht?

A e dini ju z.Çoku se, ç’thotë ligji për certifikimin e pajisjeve elektronike të lojërave të fatit?

A e dini ju z.Çoku,  se unë i kam kërkuar Kryetarit tuaj për problematikat e këtij institucioni që para një muaji që të jem prezent në trajtimin dhe shqyrtimin e problematikave nga ana e grupit të audituesve tuaj,  gjë që  në fakt nuk ka ndodhur?

Si mendoni  ju, z. Çoku, a e ka bërë mirë punën  grupi i kontrollit,  kur nuk thërrasin drejtorin e certifikimit për sqarime, apo vallë ata s’e kanë vënë re që shkresat nuk janë firmosur nga ana ime si Përgjegjës Sektori dhe më pas Drejtor Drejtorie????

A e dini ju z. Çoku se, çdo shërbim që bënin inspektorët që kam patur në varësi, e bënin  pa urdhrin  tim?

A e dini ju z. Çoku që dokumentet që  vinin për problematikat e shoqërive,  inspektorët që unë kisha në varësi, i grisnin dhe në bashkëpunim  me Drejtorin e Përgjithshëm, z.Çobaj, fusnin dokumente  te tjera.

Ju siguroj që të gjitha këto veprime kryheshin sipas porosive verbale të z.Çobaj.

A e dini ju z. Çoku se,  për të gjitha shkeljet  që kam konstatuar, kam bërë raport te z.Çobaj  dhe ky u fundit i ka anashkaluar dhe përbuzur, duke mos i marrë në konsideratë fare.

Si mendoni ju z.Çoku, kështu funksion një institucion publik shtetëror?

Kam përshtypjen, se jeni gabuar  shumë rëndë ndaj personit tim  kur më udhëzoni, që  t’i drejtohem  Prokurorisë.

Ju z.Çoku, që doni të  mbroni “Qeverinë me dy standarde”  po ju shpjegoj, se unë z.Çoku,  jam drejtuar me dy shkresa  ku denoncoj  korrupsionin:

1-ish/ Presidentit  të Republikës Z. Bamir Topi

2-Kryeministrit të Shqipërisë  Z.Sali Berisha

3-ish/ Prokurores së Përgjithshme   Znj.Ina Rama

– Më thoni ju z.Çoku, a ka më shumë dyer ku mund të denoncohet korrupsioni se, mbase unë nuk kam informacionin e duhur?

Ajo që mendoj, se kam bërë gabim në gjithë këtë është se nuk i jam drejtuar  Këshillit të Europës. Këtu po, që ju jap të drejtë, kur më thoni që kam vepruar gabim.

A e kuptoni ndryshimin midis personit tim dhe personit tuaj z.Çoku.

Unë i shërbej shtetit ligjor dhe aspak marrëveshjeve politike, atë gjë të cilën mendoj se ju nuk po e bëni aspak, për arsye të cilat vetëm ju i dini.

Ajo ç’ka unë kam denoncuar në artikullin, të cilin ju e përgënjeshtroni, është shumë e lehtë të verifikohet dhe tani që ju po lexoni këtë kundër-përgjigje.

Mjafton që t’i vesh gishtin  një salle lojërash fati “kazino elektronike” në qytetin e Tiranës kudo qoftë ajo, në mes të qytetit apo në periferi, dhe do të shihni  realitetin  pa marrë  parasysh  qindrat e makinave te pacertifikuara  dhe që punojnë në informalitet. Pra, z.Coku, ju nuk  doni të shikoni  realitetin, juve nuk ju preukupon denoncimi i bërë nga një ish/ punonjës i kësaj strukture për parregullsi në këtë  institucion, por mjaftoheni duke zbatuar vetëm  “urdhra” të cilat nuk di të kujt janë.

Vetëm një “i Verbër”  nuk  mund të shohë atë që është kudo dhe në çdo cep të territorit të Republikës së Shqipërisë. Mund ta mohoni dhe këtë z.Coku, pasi kjo po ndodh shpesh në Shqipëri, por ama është një e vërtetë që juve mesa duket ju leverdis.