Bardhyl BERBERI/ Frutat e hidhura të demokracisë shqiptare

555
Në këto 25 vjet në historinë e të ashtuquajturës demokraci, shqiptarët do t’i mbajnë mend shumë gjatë. Asnjë pjesë e një kombi tjetër nuk ka duruar aq sa ka duruar populli shqiptar jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha hapësirat ku jetojnë ata. Por fillimisht le të zbresim në terrenin tonë. Ndonqse ka 25 vjet që kemi rrëzuar diktaturën, fjala ‘Demokraci’ e ka humbur peshën e saj specifike për ne shqiptarët. Në këtë vorbull ku jetojnë shqiptarët, ajo është zbehur dhe duket se është zvetënuar. Politikanët tanë, të paaftë nga të dyja polet, në këto 25 vjet e zvarritën popullin në vend që ta udhëhiqnin. E keqja ishte se fatet e politikës i morën politikanë që kishin dalë nga e njëjta mitër, ajo e PPSH. Çfarë solli ky dominimin dhe legjimitetin e pushtetit “shënjtërimin” e drejtuesve të institucioneve që zbehën dukshëm vlerat e vetë institucioneve duke krijuar një përshtypje të përgjithëshme se pa liderin nuk ka institucion, se me largimin e liderit shuhet vetë institucioni. Rikthimi i liderit në një emblemë të vetme të institucionit krijoi imazhin e rremë se pas tij nuk ekziston mundësi reale për drejtim, se nuk mund të investosh besim. Por faktet treguan se koha e liderit mistik ka kaluar, koha e ka nxjerrë jashtë loje. Por çfarë kanë sjellë këta liderë të përjetshëm që vijnë nga e kaluara me makiazhin e demokracisë? Nuk kanë eksperiencë nga shoqëria demokratike, janë të pavendosura në çastet kur merren vendime kapitale për vendin, janë të brishtë, me mungesë të vullnetit politik duke aplikuar standarte të dyfishta. Nga ana tjetër ushtrimi i mekanizmit të ndëshimit, si një ndër rrugët ligjore për të ruajtur demokracinë dhe zbatimin e ligjit, ka qenë i mangët dhe i motivuar politikisht. Le të marrim tragjedinë e Gërdecit apo katër qytetarë të pafajshëm që u vranë në bulevard më 21 janar. Mos veprimi ndaj shkaktarëve, jo vetëm që ka prishur imazhin e shteti por dhe dhunimin e ligjit duke i lënë rrugë zhvillimit spontan që sjell anarki dhe korrupsion. Zyrtari i lartë nuk ka frikë nga ligji dhe e shkel atë me të dyja këmbët. E keqja më e madhe është se paaftësia për të ushtruar pushtetin justifikohet me pamundësinë e menaxhimit të realitetit shqiptar, ndërkohë që ky realitet ushqehet nga qëndrimi në pushtet si zgjidhja më e mirë në këtë kaos dhe ky serviret si një realitet i pashmangshëm, deri në kufijtë e fatkeqësisë. Kjo ka sjellë një klimë pesimizmi dhe mungesë alternative për të ardhmen, duke ndihmuar në zgjatjen e agonisë dhe mbijetesën e një mentaliteti të dështuar që dëgjojmë shpesh herë se ky vend nuk bëhet. Personalisht i besoj fjalës së lirë dhe demokracisë, fjalës së thënë troç nga njerëzit e mençur. Heshtja e njerëzve të mençur ka bërë që të paaftit të merren me politikë. Vetëm njerëzit e mençur dhe idealistë të mësojnë se si duhet kombi dhe atdheu pa pasur asnjë fije urrejtje ndaj tij dhe njerëzve të thjeshtë që punojnë me vetëmohim me djersën e ballit. Ende nuk është kuptuar siç duhet në këto 25 vjet demokraci tranzitore, ende nuk është kuptuar se nuk duhen urryer njerëzit, por duhet urryer pushteti zhgënjyes që jeton në luks zyrash, “Jaguarësh” dhe korrupsion …Dashuria për atdheun dhe kuptimi i thelbit të lirisë në demokraci duhet të kuptuar në një dimension të gjërë dhe lufta për ta çuar atë deri në fund duhet të jetë një aspiratë e gjerë për gjithë secilin. Kur ne mendonim se lufta e klasave u shua me diktaturën na mbiu një luftë e re “klasash”, partia që merr pushtetin zvëndëson intelektualët në institucione edhe pse janë të zotë, me tituj shkencorë dhe vijnë dështakët me teserat e partive, me shkolla të dyshimta, me diploma të blera që e çojnë vendin në majë të greminës. Dëshpërimi ka arritur deri atje saqë një tesër partie vlen shumë më tepër se një diplomë me tituj shkencorë. Dhe duke mos i patur punët mirë Tirana zyrtare, kjo ndikon tek shqiptarët përtej kufijve tanë në Maqedoni, Kosovë, Preshevë dhe Mal të Zi, të cilët kanë jo pak probleme që nga rrethanat historike, gjeopolitika e shtrembëruar. Interesat afatgjata, por pafundësisht të mjegulluara, kanë bërë që kjo gjendje të vazhdojë për kaq vite, pa ndryshuar asgjë. Kur them rrethanat historike, kam parasysh idenë që shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, padrejtësisht, pa vullnetin e tyre u desh që të ndajnë jetën dhe të ardhmen e tyre me një popull tjetër në një shtet të ndërtuar pa asnjë themel ku shqiptarët ndonëse janë shtet formues ata nëpërkëmben nga sllavo-maqedonasit që kanë një shtet problematik të sajuar me arna. Bullgaria nuk ia njeh Maqedoninisë kombësinë, Serbët nuk i njohin kishën, ndërsa Greqia nuk u njeh emrin dhe Shqipëria nuk u njeh teritorin. Kosova fitoi pavarësinë, por edhe këtu udhëheqësit e saj nuk janë në nivelin që i kërkon koha për t’u integruar në familjen europiane. Salla e parlamentit të Kosovës ngjan me një arenë lufte e jo dialogu; politikanë e rinj nuk kanë një gjë të qartë se pushteti nuk merret me gazlotsjellës dhe përplasje fizike, por me votë. Pikërisht këtu edhe qëndron problemi më i madh që e ardhmja të ndërtohet në bazë të mos pasjes së një vullneti të brendshëm, madje shpërfill dhe aleatët që ty të sollën lirinë dhe pavarsinë e Kosovës. Padyshim që në këtë disekuilibër ka mëkate edhe Shqipëria, e cila nuk duhet të mbajë sehir kur vëllai i saj bëhet gaz i botës dhe gjeste të papranueshme, por të ulet dhe të dialogojë që çështja shqiptare jo vetëm të mos cënohet por të ruhet dhe prestigji i Kosovës që fitoi lirinë dhe pavarsinë e saj me lumenj gjaku. Këto ishin ca fruta të hidhura të në këto 25 vjet të demokracisë të brishtë shqiptare me ulje-ngritjet e saj që padyshim kanë sjellë një dëshpërim dhe pesimizëm që shpesh thuhet ky vend nuk bëhet me këtë politikanë që kemi.
Sigal