Agim Jazaj: Emigrantët dhe fasadë – mashtrimi…

811
Tam-tamet e politikës së ditës kumbuan-kulmuan edhe këto ditë, duke u apeluar emigrantëve; të bëhen pjesë e zgjedhjeve dhe jo e zgjidhjeve të rezultuara deri më tani. 

Deri në vitin 2005 thuhej e shkruhej nëpër tabelat statisikore se: 1/3 e shqiptareve janë larguar nga vendi, nëpër rrugët e kurbet- lumit. Tashmë kjo shifër është bërë edhe më alarmante, duke u tkurrur vendi, aspak nuk qederoset politika, kastrepsen Lider-Kalanderët. 

Pra, ende nga vendi edhe pas 27 viteve rezulton dhimbshëm fakti kujevënës: As 1 për qind e emigrantëve nuk kthehen në vendin e tyre, ku u ka bërë koka dëng, madje po ikin çdo ditë nga sytë këmbët, me dhimbjen e thellë: “Në vendin e tyre nuk jetohet”. “Ky vend nuk bëhet, e ka marrë lumi”… Duke u hedhur një sy premtimeve nëpër fushata elektorale, përsëritet i njëjti refren, premitim-mashtrim: Në vitin 2005, emigrantëve në Greqi, ku është dhe përqindja më e madhe iu premtua: “E drejta e votës në vendin ku punojnë e jetojnë”. “Zëri i tyre duhet të dëgjohet, dhe vota e tyre duhet të numërohet”! Dhe pas 12 viteve emigrantët e përkthejnë premtimin e para 12 viteve dhe në fushatën e katërt zgjedhore- 2017: “Zëri i tyre nuk dëgjohet, vota e tyre nuk po numërohet”! “Emigrantët nuk përfaqësohen as në nivelet më të ulëta të administratës”. Ata shtrojnë pyetjen e arsyeshme: “Pse nuk u realizua në zgjedhjet e mëparshme, të premtuara me tam-tamet nga lider-kalanderët në ato të vitit 2005, as në të vitit 2009, as në vitin 2013, dhe as në vitin 2017, kur u bë dhe premtimi”- nga partia që është dhe mban në këmbë qeverinë aktuale?! Edhe pas katër legjislaturave duhet bërë i njëjti premtim, mashtrim me të njëjtin refren?: “Zëri duhet dëgjuar, vota duhet numëruar”? Kur emigrantët drejtohen me klithma: “Pse zërin nuk e kini dëgjuar dhe pse votën nuk e kini numëruar”? “Pse ne emigrantëve na kini mashtruar, dhe prapë duhet besuar? Sërish i njëjti premtim edhe në këtë prag fushatë nga PS, LSI, të shohim nga PD kur të nis tam-tamet e fushatës! Premto e mos realizo, premto e mashtro- arsyetojnë emigrantët në opinionet e tyre edhe në shtypin e emigracionit edhe këto ditë në Athinë. Udhëheqësit e politikës shqiptare të këtyre viteve të tranzicionit- tërkuzë kanë zbritur shpesh herë në prag fushatash edhe në Athinë, ku është dhe përqendrimi më i madh i emigracionit shqiptar, gati 1/3 e popullsisë për të marrë bekimin, pse jo dhe votën e tyre. Madje ne kemi përcjellë në opinionet mediatike të kohës se: Emigrantët janë votuesit, përfaqësuesit, madje dhe frymëzuesit dhe përcaktuesit në të 100 (ish) zonat elektorale, kur ato ishin të tilla. Bilanci në tabelat e publikuar të emigracionit pas premtimeve bujë-mëdha rezulton: Zëri nuk dëgjohet. Vota nuk numërohet. Emigracioni sërish mashtrohet dhe nuk përfaqësohet!
Premtim- mashtrimet pa kufi
Në kujtesën e emigrantëve të Greqisë ku është dhe prania më e madhe, si dhe premtimet mashtrimet më të mëdha, kanë mbetur të shënuar fortë në kujtesë premtimet, por tashmë të vlerësuara prej tyre (të mbetur në mashtrimet) të ish liderëve si të PS Fatos Nano në hotelin: “Divan Karavel”, ku u prit edhe me protestë për qeverinë e shërbesave, kupto të pengesave. Vijuan premtimet- mashtrimet e ish kryeministrit Berisha në hotel “Britania” në sheshin “Sintagma”: “Biznes falas për emigrantët për 5 vjet dhe legalizim të menjëhershëm i ndërtimeve informale të tyre”. Premtimet në fushatën dhe themelimin e PS në Athinë, të kreut aktual të P S z. Rama, në “Palio –Faliro”: “Për përfshirjen e tyre në politikë bërje” etj! E kush është përfshirë ne politikë bërjen, në listat e deputetëve të kryetarëve, apo në administratën shtetërore?

Në gjithë fushatat elektorale u kanë premtuar edhe emigrantëve lugën e floririt. Gjithë propaganda dhe premtimi i tyre ka qenë për më shumë të drejta, më shumë përfaqësime të tyre edhe në administratën e shtetit. Të drejtën e votës së emigrantëve, aty ku janë ishte premtimi nga kreu i LSI, qysh në prag fushatën e vitin 2005, etj. Kanë kaluar vite, dhe po vjen e katërta fushatë zgjedhjesh. Premtime të dalë boje- me të njëjtin refren: Premto e mashtro! Nuk kanë mjaftuar dhe nuk e ka pasur mundësinë edhe kjo forcë politike e radhës të vendos, të realizojë këtë premtimin ndaj emigrantëve?! 
Fasadë- fushata e radhës 
Fasadë fushata ka nisur me gjithë dinamizmin e saj fushata zgjedhore e vitit 2017. Gjithë partitë dhe lukunia e partiçkave, në gjithë shpalosjen e programeve të tyre deri më tani në këtë prag fushate, po u bien, ose më açik po përsëritin ritualin e premtim – mashtrimeve të vjetra me nota të reja! 

Diaspora e re, dhe më e madhja e diasporës shqiptare, mbi një e treta e shqiptarëve, e vendosur kryesisht për afro 27 vjet vjet në Greqi, ka merita të pakontestueshme, duke qenë së pari investuesja më e madhe e vendit, por dhe kontribuesit më të pa vlerësuar të vlerave qytetare-evropiane, pjesa më e emancipuar dhe e civilizuar e vendit. E thonë edhe vet krerët e politikës, rezulton e thënë për fasadë-mashtrim. Përveç këtyre kontributeve emigracioni ka përfituar dhe ka shpalosur vlera të qytetërimit. Ka ruajtur dhe ka pasuruar edhe aty traditat, ka ruajtur e zhvilluar gjuhën amtare, ka demonstruar qytetërim dhe lëvizje të cilat edhe brenda vendit mungojnë, sa dhe admirohen dhe duhen të lakmohen. Emigracioni është pjesa më e emancipuar e shoqërisë sonë. Për këtë nuk ndihemi keq, por nuk duhet të ndihemi as mirë, nga përçmimi që i bëhet nga politika e zgjatur e stanjacion- tranzicionit dhe fyerja që u bën kësaj pjese, nga më të emancipuarat e shoqërisë… Në inkursionet e shumta të emigracionit dhe të ikonës së tij si prijëse, kryesisht në Athinë, kemi ndjekur, pasqyruar, jemi dhe kemi frymëzuar në mënyrë të ndërsjellë, akte madhore të demonstrimit publik edhe përpara rezidencave evropiane në mbrojtje të çështjes kombëtare, të popullit shqiptar të Kosovës. Në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të emigrantëve, kundër dhunimit dhe vrasjeve nga plumbat mbi trupin e emigrantëve, bij shqiptarësh. Ballafaqimet e shpeshta në mediumet publicistike dhe mediatike, për të mbrojtur çështjen kombëtare të popullsisë së Kosovës dhe të shqiptarëve në trojet e tyre në Maqedoni janë përballuar nga përfaqësues të emigracionit. Ata nuk kanë përfaqësuar vendin e tyre, kombin po dhe kanë mbrojtur edhe kauzën shqiptare. Dhe këto ballafaqime të pa barabarta, dhe nën trysninë mbi emigrantët, e pa sigurt dhe të kërcënuar nga albanofobia e kudo ndjerë, kanë mundur të përballen denjësisht emigrantë të thjeshtë, intelektual të emigracionit, shkuar diplomatëve, të cilët kanë mbrojtur kauzën shqiptare. Përpara këtyre njerëzve që kalojnë në heshtje deri dhe në përçmim, ngrehemi më këmbë, duke nderuar kontributin e tyre të shumëfishtë për vendin dhe mbarë kombin. Shqiptarët ende ndodhen në udhëkryq, duke kërkuar me pishë ende shtetin e qytetarëve, shtetin e munguar, për të votuar edhe kjo pjesë përcaktuese dhe civilizuese! Por, politika busull thyer e turinj thyer, nuk e realizojnë, premtojnë dhe mashtrojnë për këtë të drejtë universal të emigracionit, sepse e kanë frikë votën e arsyes, votën përcaktuese të emigrantëve, përballë votës qorre në shumicë…
Shpërndarja e emigracionit në botë. 
Të dhëna i përkasin viteve 2005-2006, por gjithsesi është i ndryshuar, pra numri real është edhe më i rritur.

Greqi 6000- 7000 mijë
Itali 250 mije
SH.B. A 150 mijë
Britani e Madhe 50 mijë
Gjermani 15 mijë
Kanada 5 mijë
Belgjikë 5 mijë
Turqi 5 mijë
Francë 2 mije
Austri 2 mijë
Zvicër 1.5 mijë 
Sigal