Të ecim përpara, sakrificën përherë ta kujtojmë!

111

Nga Harry Bajraktari

 

Marshimi i forcave të NATO-s dhe i UÇK-së, më 12 Qershor të vitit 1999, i sollën Kosovës lirinë aq gjatë të pritur por gjithmonë me shpresë të pashuar. Kjo ditë e madhe i dha fund terrorit dhe tërbimit të egër serb dhe, në të njëjtën kohë, hapi një kapitull të ri për Kosovën dhe popullin e saj. Pra, triumfoi e drejta, që shqiptarëve iu kishte mohuar më shumë se një shekull nga Serbia.

Sot, para 20 vjetësh, shqiptarët me aq entuziazëm e gëzim të papërmbajtur deri në lot, përshëndetën hyrjen e mijëra ushtarëve të NATO-s në Kosovë. Në këtë ditë të jashtëzakonshme, sundimi serb mbi Kosovë, dha shpirt përgjithmonë. Kësaj ngjarje të madhe historike i parapriu Marrëveshja e Kumanovës.

Kosova sakrifikoi shumë për liri: Mijëra të vrarë e të dëbuar, femra të dhunuara, mijëra të zhdukur e të hedhur në këneta e varreza masive. Mbi gjithë këtë sakrificë Kosova nisi ringjalljen nga gërmadhat e luftës për të formuar shtetin dhe organet e saj legjitime demokratike.

Sot kur po kremtojmë 20 vjetorin e lirisë në Kosovë, duhet të falënderojmë me gjithë zemër Aleancën Veri-atlantike, e në mënyrë të veçantë SHBA që na mbështetën pa rezervë dhe ishin në të drejtën tonë. Gjithashtu, duhet ta ndjejmë në shpirt gjakun e dëshmorëve dhe martirëve që ranë në beteja të shumta që sot na sollën këtu ku jemi, të lirë e të punojmë për veti, për shtetin tonë.

Dolëm nga lufta me shumë viktima civile, por fituam gjënë më të çmueshme të njerëzimit, lirinë dhe pavarësinë që nuk mund të matet me asnjë vlerë tjetër.

Vuajtjet e shqiptarëve me shekuj, të ndarë padrejtësisht nga të tjerët, tani janë kthyer në mundësi reale për zhvillim ekonomik, thellim të demokracisë dhe integrim kombëtar e evropian. Bashkimi i gjithë shqiptarëve ka qenë dhe mbetet ëndërr e jonë e përhershme. Me Kosovën e pavarur jemi shumë afër te ndërtimit të kësaj ëndrre, të nisur nga ideologët tanë para një shekulli.

Të zgjedhurit, të votuar nga vota e lirë e popullit, organet shtetërore e qeveritare, kanë obligim moral e politik të punojnë shumë me shumë që në Kosovë të krijojnë kushte për një jetë më të mirë e më të qëndrueshme për gjithë qytetarët. Këtë ua kemi borxh atyre që u sakrifikuan për liri, fëmijëve tanë dhe breznive që vijnë pas nesh.

Në rrugën e saj 20-vjeçare, Kosova ka pasur progres dhe sfida përballë zhvillimit dhe zbatimit të ligjit në fusha të ndryshme.

Kosova pas formimit të ushtrisë duhet të ecë më shpejtë në inkuadrimin e saj në NATO, si pjesë e sigurisë dhe e paqes në Rajon, e të përfundojë rrugën e saj jo të lehtë në Bashkësinë evropiane.

E ardhmja jonë varet nga vetë ne, sa punojmë, sa e duam atdheun dhe shtetin, sa krijojmë kushte që qytetarët tanë të jetojnë të lumtur e të lirë, me një perspektivë të sigurt në të ardhmen.

Ky përvjetor i 20-të i lirisë, duhet të jetë më tepër se ëndërr e më shumë se përpjekje për të udhëtuar bashkë me mundësitë e realitetin tonë.

Të ecim përpara në ndërtimin e shtetit modern, duke mos e harruar kurrë sakrificën që dha populli ynë në luftën e fundit dhe para saj.