Sigal

Në menaxhimin e ekonomisë pritshmëritë e individëve dhe biznesit  vlerësohen gjithnjë e më shumë për ndikimin e tyre në zhvillimet ekonomike, sociale dhe politike. Cilat mund të jenë faktorët kryesorë që mund të ndikojnë në pritshmëritë e 2019-s? Cili është mjedisi ekonomik, social dhe fiskal me të cilin fillon 2019-ta? Cilat mund të jenë disa nga zhvillimet rajonale, evropiane dhe globale që mund të ndikojnë në zhvillimin e ekonomisë reale 2019-te? Përgjigjet e këtyre pyetjeve synojnë te jenë në thelbin e këtij kontributi profesional.

Vendi  ynë në 2019 do të ketë një rritje ekonomike rreth 4%, e cila konsiderohet e mirë por e pamjaftueshme për të ulur papunësinë dhe për të luftuar varfërinë. Sfida kryesore sociale mbetet thellimi i deficitit demografik i ushqyer nga rënia e lindjeve, migrimi i madh dhe plakja e popullsisë. Mungesa e politikave efektive për të reduktuar deficitin demografik përbën një rrezik të madh:

(i) social- zvogëlimi burimeve njerëzore  të rritjes;

(ii) buxhetor – sepse deficitet e skemave dhe politikave sociale po përkeqësohen;

(iii) politike – sepse rritja e emigracionit ka nxitur paqëndrueshmërinë sociale e politike edhe në vendet e zhvilluara të BE.

Viti 2009 trashëgon nga 2008 protesta e studentëve dhe riskun e përhapjes së tyre, të cilat  janë një mjet i dobishëm për një qeverisje të mirë.

Në mjedisin e zhvillimeve monetare – inflacioni  edhe në 2019 do të jetë nën objektivin 3% të Bankës së Shqipërisë. Mund të vazhdojnë luhatjet  e pa parashikueshme në kursin e këmbimit, ngurrimi i bankave tregtare për të dhënë kredi dhe hezitimi i kompanive për të marrë hua. Kjo  mund të rrisë rrezikun e burimeve gri/informale dhe të zeza/kriminale në financimin e ekonomisë tonë . Në  2019 sistemi bankar do të përballet me shitblerjen e disa bankave evropiane dhe hyrjen e aksionareve të rinj. Këto zhvillime kërkojnë rritje të cilësisë në licencimin, rregullimin dhe mbikëqyrjen e tregut bankar.

Lidhur me  qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e financave publike, 2019 do të fillojë me një nivel te paqartë të borxhit publik ne raport me PBB-në, me mungesën e njohjes së saktë të detyrimeve të papaguara në kohë të tilla si TVSH-ja, vendimet gjyqësore ndërkombëtare dhe kombëtare. Kufiri i borxhit publik mund të arrijnë nivele kritike në 2019 sidomos për shkak të totalit dhe kostove të pa qarta te investimeve me partneritetet publike dhe privat. Borxhet e papaguara mund të  mbysin rritjen ekonomike, sepse ato ulin shpenzimet dhe investimet e individëve dhe bizneseve, që janë faktorët kryesorë të kërkesës agregate. Kambana e krizës së borxhit të papaguara 2009-2013 është ende e fortë.

Në aspektin politik – 2019 do të duhet të përballet me :

(i) krizën e mosfunksionimit të parlamentit;

(ii) bllokimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor;

(iii) efektet e zgjedhjeve lokale;

(iv) të papriturat në procesin e hapjes së negociatave me BE,  nga rezultatet e zgjedhjeve të Parlamentit Evropian që mund të përforcojnë përfaqësimin politik të euroskeptikëve, të cilët janë edhe kundër zgjerimit të BE me anëtarë të rinj. Ata mund të imponojnë fokusin në thellimin e integrimit dhe te zhvendosin apo bllokojnë  zgjerimet e reja të BE. Këto zhvillime brenda BE-së mund te  dëmtojnë  perspektivën dhe vitalitetin e saj, mund të ushqejnë pa siguri dhe  pa qartësi për rolin dhe rëndësinë e BE si fuqi globale. Debatet euro-skeptike rrisin edhe rrezikun e manipulimit të tregjeve të kapitalit, duke rritur koston e financimit të ekonomive të dobëta të BE-së, siç ndodhi me Greqinë dhe aktualisht me Italinë.

Në nivel rajonal, Shqipëria përfiton nga çdo hap i integrimit euro-atlantik të çdo vendi të Ballkanit Perëndimor. Por kjo perspektivë gjatë vitit 2009 mund të ngadalësohet apo dëmtohet  nga zhvillimet politike  si:

(i) rreziku që Syriza  të humbasë zgjedhjet e ardhshme, dhe një shumicë e re qeverisëse te  pengojë  marrëveshjen midis Greqisë dhe Maqedonisë;

(ii) dështimi për të miratuar këtë marrëveshje nga parlamentet e të dy vendeve do të bllokonte qoftë edhe  përkohësisht anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE;

(iii) zhvillimet politike mes Kosovës dhe Serbisë pa një vullnet të qartë të faktorëve globalë  mund të përkeqësojnë perspektivat e tyre euro-atlantike;

(iv) lufta tregtare Kosovë – Serbia mund të vazhdojë dhe të zgjerohet,

dhe (v) paqëndrueshmëria politike në Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoni dhe Serbi mund të prodhojë më shumë politikë se sa vendet e Ballkanit mund të konsumojnë. Ballkani Perëndimor mund të vazhdojë të konsiderohet një Rajon  me risk të lartë.

Në nivel evropian, zhvillimet në vendin tonë mund të ndikohen nga:

(i) thellimi i krizës ekonomike në Itali, partner strategjik i Shqipërisë;

(ii) luhatjet e euros, të cilat rritin pasiguritë dhe paqartësitë tek eksportuesit;

(iii) efektet në ekonominë evropiane të BREXIT-it që mund të zgjojë debatin – Who is Next?;

(iv) sfidat e një lidershipi te ri  të Bankës Qendrore Evropiane për (mos) vazhdimin e politikave monetare lehtësuese :

(v)  sfidat e një lidershipi të ri në institucionet e BE pas zgjedhjeve parlamentare të BE-së

dhe  (vi) risku që rezultatet e zgjedhjeve parlamentare te BE-se të jenë katalizatorë për instabilitet politik deri ne zgjedhje të parakohshme në disa vende të saj.

Ne nivelin  global mund të përfshijnë:

(i) Riskun e një krize të re financiare në mes të 2019-s. Efektet e saj  direkt mund të ndihen më vonë në ekonominë tonë por  është  e domosdoshme tani hartimi dhe zbatimi i reformave që amortizojnë goditjet e jashtme dhe lehtësojnë daljen shpejte dhe me kosto te ulëta nga krizat potenciale

(ii) rritja e efekteve negative në ekonominë globale të efekteve të  luftës tregtare SHBA-Kinë

(iii) efektet negative të luftës së monedhës midis fuqive ekonomike globale;

(iv) luhatjet e çmimeve  të lëndëve të para që pasqyrojnë jo vetëm raportet ofertë-kërkesë. Ekonomia jonë e mund të ketë efekte jo pozitive nga  luhatjet në bursat e lëndëve të para, naftë, gaz.  krom etj., të cilat kanë një impakt të konsiderueshëm në totalin e eksporteve tona;

(v) një aspekt jo më pak i rëndësishëm mbi ekonominë globale është edhe  modeli spontan dhe i paqëndrueshëm i qeverisjes, i pranishëm edhe në disa vende të BE-se.

Vendi ynë ka premisa pozitive reale për një të ardhme më të mirë. Ne jemi një ekonomi e vogël por e hapur, që do të thotë e ekspozuar ndaj goditjeve/zhvillimeve jo pozitive në nivel rajonal, evropian dhe global. Gjatë periudhave më të mira të ekonomisë sonë, ne duhet të përgatitemi për të reduktuar pasojat shumëdimensionale të krizave potenciale.  Vetëm një ekonomi më konkurruese  dhe vibrante  mund të amortizojë goditjet e jashtme dhe të mbështetë më mirë arritjen e objektivave sociale dhe politike.