Detarët, të harruar nga shteti

481
Sigal

Herë pas here kemi dëgjuar premtimet e qeverisë për rritjen e pensioneve të disa prej kategorive të punonjësve, që kanë kryer ose kryejnë ende punë të vështira, si p.sh. në miniera, në industrinë e naftës, gazit dhe në metalurgji. Kohët e fundit flitet se Ministria e Financave ka përgatitur një Projektligj që do t’u japë mundësi këtyre kategorive punonjësish të kenë një trajtim financiar të veçantë më të mirë nga ai që kanë pasur deri tani nëpërmjet një pensioni suplementar, masa e të cilit do të variojë nga 0.6 deri ne 1% për çdo vit pune të siguruar.

Ne, e inkurajojmë dhe e përshëndesim këtë nismë të qeverisë dhe njëkohësisht urojmë që ta mbajë premtimin e dhënë, pasi kategoria e punonjësve të lartpërmendur e meriton plotësisht një trajtim më të mirë, madje jemi të mendimit se është e vonuar në kohë.

Meqenëse drafti i projektligjit është në fazën përgatitore është rasti dhe momenti i duhur që në këtë projektligj qeveria të mendojë dhe të përfshijë edhe një kategori tjetër punonjësish, të cilët, që nga ardhja e demokracisë e deri më sot, jo vetëm kanë qenë jashtë kujdesit dhe vëmendjes së saj, por janë lënë në harresë sikur të mos ekzistonin fare.

Fjala është për detarët, ku bëjnë pjesë marinarët e transportit detar dhe ata të peshkimit.

Pothuajse gjysma e kufirit shtetëror shqiptar është vijë bregdetare, ku ndër vite kanë ushtruar dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre me qindra e mijëra punonjës të profesioneve të ndryshme si: kapitenë anijesh, navigatorë, inxhinierë mekanik, mekanikë, elektricistë, motoristë, fugistë, nostromë, marinarë kuverte, kuzhinierë, peshkatarë etj., natyra e punës e të cilëve është e një shkalle vështirësie tepër të lartë. Pa dashur kurrsesi të ulim vlerat, apo të prekim të drejtat e punonjësve të tjerë që kryejnë punë të vështira, nuk mund të heshtim dhe të mos kërkojmë të drejtat që i takojnë detarëve, pasi natyra e punës që ata kryejnë është e një shkalle vështirësie tepër të lartë, madje shumë më e vështirë se disa profesione që janë cilësuar si të vështira. Dhe kjo shpjegohet me faktin se minatorët, metalurgët apo naftënxjerrësit, vërtetë kryejnë punë të rëndë e të lodhshme, nën tokë, në temperatura të larta apo me gazra, por ama në përfundim të orarit të punës ata kthehen çdo ditë në shtëpi, në gjirin e familjes. Krejt ndryshe ndodh me punën dhe jetën e detarit, trupi i të cilit gjatë gjithë kohës që ai ndodhet në anije nuk është asnjëherë në gjendje normale siç ndodh me atë që është në tokë. Çdo veprim që kryen detari gjatë aktivitetit të tij të punës, si dhe atij jetësor, është gjithmonë nën ndikimin e lëkundjeve të anijes për shkak të dallgëve të detit. Përveç lodhjes fizike, lagështirës së detit që ndikon në shëndetin e tyre, si dhe rreziqeve serioze për jetën që mbart mbi vete deti, detarët janë të detyruar të përballojnë edhe shqetësime e vështirësi të tjera që kanë të bëjnë me ndjenjat shpirtërore, morale dhe psikologjike të tyre (stresin) për shkak të largimit nga familja dhe Shqipëria për aq kohë sa vazhdon lundrimi, duke mos u gjendur pranë familjarëve për raste gëzimesh dhe hidhërimesh. Një shprehje thotë se anija është “burg lëvizës” ku marinari ka për “dyshek” detin dhe për “mbulesë” qiellin.

I përmendëm këto për të treguar se sa e vështirë është puna e detarëve. E keqja është se kjo nuk dihet dhe nuk vlerësohet nga hartuesit e ligjeve. Vështirësitë i di dhe i vlerëson vetëm ai që e njeh detin. Është për tu theksuar fakti se ligji i mëparshëm e vlerësonte punën e detarëve si punë të rëndë dhe të vështirë dhe për këtë arsye ata dilnin në pension në moshën 55-60 vjeç dhe përfitonin një pension pleqërie më të mire se shumë lloje të tjera profesionesh. Por, është për tu habitur, se si ligji nr.7703/1993 e ktheu, papritur dhe pa asnjë konsultim me palët e interesuara, punën e detarit nga “punë e rëndë dhe të vështirë” në “punë të lehtë”. Detarët janë ata, që në të gjitha kohërat, me punën e tyre kanë dhënë një kontribut të çmuar në ndërtimin dhe zhvillimin e ekonomisë shqiptare duke transportuar mallra të import-exportit, duke lundruar në dete e oqeane rreth e qark botës, me kohë të keqe dhe të mire, mes rreziqeve dhe vështirësive të shumta e të panumërta. Janë pikërisht këto arsyet që puna e detarit vlerësohej shumë më mirë më parë, ndërsa sot detarët ndihen të diskriminuar dhe të lënë mënjanë, pas dore, zotërinj qeveritarë dhe ju ligjvënës. Puna në det nuk është punë “qejfi”. Pa mendoni për një çast se çfarë kanë hequr detarët që kanë punuar nga 20 deri 45 vjet në det (me kontribute të paguara) dhe sot, si shpërblim, ata marrin një pension pleqërie qesharak, prej jo më shumë se 15.000 lekë të reja!

Përsërisim edhe njëherë faktin se nuk jemi xhelozë për trajtimin që kërkohet t’i bëhet minatorëve, metalurgëve dhe naftëtarëve, përkundrazi jemi në krahun e tyre, i përkrahim dhe mbështesim të drejtat që u takojnë, por kërkojmë që qeveria t’i trajtojë edhe detarët njësoj si ata, sepse edhe detarët e meritojnë trajtimin e veçantë që deri më sot u ka munguar, për shkak të lënies në harresë, jashtë vëmendjes së ligj hartuesve, apo paaftësisë së tyre.

Mendojmë dhe shpresojmë se kërkesa jonë do të vlerësohet seriozisht dhe se nuk do të përfundojë në “koshin e plehrave”. E vetmja gjë që kërkojmë është që në projektligjin që po përgatit qeveria për trajtimin e veçantë të minatorëve, naftëtarëve dhe metalurgëve me pension suplementar, të përfshihen edhe detarët, me të njëjtat kritere vlerësimi si të atyre.

Për tu realizuar kjo kërkesë nuk është e domosdoshme që detarët të ngrihen në protesta, apo të bëjnë greva. Ato që shpjeguam më lart besojmë se janë bindëse dhe mjafton vetëm dëshira e mirë që të ngrihet një komision nga Ministria e Financave në përbërje të t cilit të jenë edhe specialistë të fushës së detit, ose më gjerë me specialistë të tjerë, në mënyrë që ky shqetësim i detarëve të vlerësohet sa më drejtë të jetë e mundur.

Shoqata Kombëtare e Detarëve “ADRIJON”, me qendër në Durrës, është e gatshme të japë ndihmesën dhe kontributin e saj duke vënë në dispozicion të kësaj çështjeje, persona (anëtarë të saj) me njohuri dhe eksperiencën e duhur.

Aleksandër Gjermeni, Kryetar i Shoqatës Detare Kombëtare “ADRIJON”