Presidenti i Ukrainës shkund politikën. “Qeveria nuk i zgjidh problemet tona. Qeveria është problemi ynë…”

332

“Aktori komik” që po shkund sistemin politik të Ukrainës

Fjalimi i marrjes së detyrës nga presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski

Përktheu, Petro Luarasi

Të dashur ukrainas! Pas fitores sime në zgjedhje, djali im gjashtëvjeçar tha: “Babi, ata thonë në TV, se Zelenski është Presidenti … Pra, kjo do të thotë se … Unë jam … Presidenti gjithashtu?!» Në atë kohë, kjo tingëlloi  qesharake, por më vonë kuptova se ishte e vërtetë. Sepse secili prej nesh është Presidenti. Jo vetëm 73% që votuan për mua, por të gjithë 100% e ukrainasve. Kjo nuk është vetëm imja, kjo është fitorja jonë e përbashkët. Dhe ky është shansi  ynë i përbashkët që ne jemi së bashku përgjegjës. Nuk jam vetëm unë që sapo kam bërë betimin. Secili prej nesh sapo ka vënë dorën e tij mbi Kushtetutën dhe është  betuar për  të qenë besnik ndaj Ukrainës. Tani, imagjinoni titujt: «Presidenti nuk paguan taksat», «Presidenti i  dehur kaloi me  dritë të kuqe» ose «Presidenti po vjedh në heshtje, sepse gjithkush kështu vepron.» A do të pohonit se është e turpshme? Kjo është çfarë mendoj kur them që secili prej nesh është President. Që tani e tutje, secili prej nesh është përgjegjës për vendin që ua lëmë fëmijëve tanë.

Secili prej nesh, në vend të tij, mund të bëjë gjithçka për mirëqenien e Ukrainës. Vendi ynë evropian fillon me secilën prej nesh. Ne kemi zgjedhur një rrugë për në Evropë, por Evropa nuk është diku atje tej. Evropa është këtu (në kokën tonë – shën. P.L.) Dhe pasi ajo të shfaqet këtu (në zemrën tonë – shën. P.L.) ajo do të jetë kudo, në të gjithë Ukrainën. Kjo është ëndrra jonë e përbashkët. Por ne gjithashtu kemi një dhimbje të përbashkët. Secili prej nesh ka vdekur në Donbas. Çdo ditë humbim secilin prej nesh. Dhe secili prej nesh është një refugjat – ai që ka humbur shtëpinë e tij dhe ai që ka hapur derën e shtëpisë së tij, duke ndarë dhimbjen. Dhe secili prej nesh është një emigrant – ai që nuk mund të gjejë veten në shtëpi, por ka gjetur të ardhura në një vend të huaj dhe ai që lufton me varfërinë,  i detyruar të humbasë dinjitetin e vet. Por ne do të kapërcejmë gjithë këtë! Sepse secili prej nesh është një ukrainas.

Ne jemi të gjithë ukrainas: Nuk ka ukrainas më të madh ose më të vogël, ose ukrainas të saktë ose të gabuar. Nga Uzhgorod në Luhansk, nga Çernigiv në Simferopol, në Lviv, Harkiv, Donjetsk, Dnipro dhe Odesa – ne jemi ukrainas. Dhe ne duhet të jemi një. Në fund të fundit, vetëm atëherë ne jemi të fortë. Sot i bëj thirrje të gjithë ukrainasve në botë. Ka 65 miliona prej nesh. Po, mos u habitni: Ka 65 milionë prej nesh – ata të lindur në tokën e Ukrainës. Ukrainas në Evropë dhe Azi, në Amerikën Veriore dhe Jugore, Australi dhe Afrikë – Unë iu bëj thirrje të gjithë ukrainasve në planet! Me të vërtetë kemi nevojë për ju. Për të gjithë ata që janë të gatshëm të ndërtojnë një Ukrainë të re, të fortë dhe të suksesshme, me kënaqësi do t’iu japim shtetësinë ukrainase. Duhet të vini në Ukrainë, jo si vizitorë, por të ktheheni në shtëpi. Ne po presim për ju. Nuk ka nevojë të sillni dhurata nga jashtë, por ju lutemi, sillni njohuritë tuaja, përvojën dhe vlerat tuaja! Kjo do të na ndihmojë të fillojmë një epokë të re. Skeptikët do të thonë se është e pamundur, një fantazi. Paçka nëse  është, në fakt, ideja jonë kombëtare – le të bashkohemi dhe të bëjnë të pamundurën kundër të gjitha gjasave. Mos harroni ekipin e futbollit të Islandës në Kampionatin Evropian – kur një dentist, një drejtor, një pilot, një student dhe një pastrues mbrojti nderin e vendit të tyre? Askush nuk besonte se mund ta bënte, por e bëri! Dhe kjo duhet të jetë pikërisht rruga jonë. Ne duhet të bëhemi islandezë në futboll, izraelitë – në mbrojtje të vendit të tyre, japonezë – në teknologji dhe zviceranë – në aftësinë për të jetuar me njëri-tjetrin në harmoni, pavarësisht nga të gjitha dallimet. Megjithatë, detyra jonë e parë është armëpushimi në Donbas. Më kanë pyetur shpesh: Çfarë çmimi jeni i gatshëm  të paguani për armëpushimin? Është një pyetje e çuditshme. Çfarë çmimi jeni i  gatshëm  për të paguar për jetën e të dashurit tuaj? Unë mund t’ju siguroj se jam i gatshëm të paguaj çdo çmim për të ndaluar vdekjen e heronjve tanë. Patjetër që nuk kam frikë të marr vendime të vështira dhe jam gati të humbas famën time, vlerësimet ndaj meje dhe, nëse është e nevojshme – pa asnjë hezitim, ofiqin tim për të sjellë paqe, për sa kohë që ne nuk heqim dorë nga e drejta mbi territoret tona. Historia është e padrejtë. Ne nuk jemi ata që kemi filluar këtë luftë. Por ne jemi ata që duhet ta përfundojmë atë. Dhe ne jemi gati për dialog. Unë besoj se hapi i parë i përsosur në këtë dialog do të jetë kthimi i të gjithë të burgosurve ukrainas.

Sfida jonë e ardhshme është kthimi i territoreve të humbura. Me gjithë ndershmërinë, ky formulim nuk duket krejtësisht i saktë për mua, sepse është e pamundur të kthejmë atë që ka qenë gjithmonë e jona. Si Krimea dhe Donbasi ka qenë toka jonë, e Ukrainës, por edhe toka ku kemi humbur gjënë më të rëndësishme – njerëzit. Sot ne duhet të kthejmë mendjen e tyre – kjo është ajo që kemi humbur. Gjatë viteve, autoritetet nuk kanë bërë asgjë për t’i bërë ata të ndihen ukrainas dhe të kuptojnë se ata nuk janë të huaj, por ata janë populli ynë, ata janë ukrainas. Dhe, edhe nëse u jepet 10 pasaporta të ndryshme, nuk do të ndryshojë asgjë. Për të qenë ukrainas nuk është një vizë në pasaportë – ukrainasi ndjen këtu (në zemër – Shën. P.L.) Unë e di këtë me siguri. Unë e di se nga ushtarët që tani po mbrojnë Ukrainën, heronjtë tanë, disa prej të cilëve janë folës ukrainas, ndërsa të tjerë – folës rusë. Atje, në vijën e frontit, nuk ka grindje dhe mosmarrëveshje, ka vetëm guxim dhe nder. Pra, unë dua të apeloj tek mbrojtësit tanë tani: Nuk mund të ketë ushtri të fortë në një vend ku autoritetet nuk i respektojnë njerëzit që çdo ditë sakrifikojnë jetën e tyre për vendin. Unë do të bëj gjithçka që mundem për t’ju bërë të ndiheni të respektuar. Kjo do të thotë të mirë, dhe më e rëndësishmja, të siguroheni që pagat, kushtet e jetesës, profesionin e lënë pas misioneve luftarake dhe festat tuaja dhe të familjeve tuaja. Ne nuk duhet të flasim vetëm për standardet e NATO-s – ne duhet të krijojmë këto standarde. Sigurisht, përveç luftës, ka shumë probleme të tjera që shqetësojnë ukrainasit. Midis tyre janë tarifat e shërbimeve shokuese, pagat dhe pensionet poshtëruese, çmimet e dhimbshme dhe papunësia. Ekziston edhe mungesa e kujdesit shëndetësor që shihet si e përmirësuar më së shumti nga ata që kurrë nuk kanë qenë në një spital shtetëror me ​​fëmijën e tyre. Dhe pastaj, ka edhe rrugët mitike të Ukrainës që po ndërtohen dhe riparohen vetëm në imagjinatën e pabesueshme të dikujt.

Më lejoni të citoj një aktor amerikan, i cili u bë një president i madh amerikan: “Qeveria nuk i zgjidh problemet tona. Qeveria është problemi ynë. »

Unë nuk e kuptoj qeverinë tonë që vetëm ngre supet dhe thotë: «Nuk ka asgjë që mund të bëjmë.» Aspak e vërtetë. Ti mundesh. Ju mund të merrni një fletë letre dhe një stilolaps dhe të përcaktoni  lirisht kush i meriton vendet (mandatin Shën. P.L.),  ata që mendojnë për gjeneratat e ardhshme dhe jo për zgjedhjet e ardhshme! Bëni atë dhe njerëzit do ju vlerësojnë. Duartrokitja juaj është shumë e lehtë … Unë mendoj se jo të gjithë i pëlqejnë ato që po them? Shumë keq, pasi nuk jam unë, por populli ukrainas që po e thotë këtë. Zgjedhja ime dëshmon se qytetarët tanë janë të lodhur nga sistemi politik pompoz i eksperimentuar që  gjatë 28 viteve ka krijuar një vend të mundësive – mundësive për ryshfet, vjedhje dhe përvetësimin e burimeve. Ne do të ndërtojmë vendin e mundësive të tjera – atë ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit dhe ku të gjitha rregullat janë të ndershme dhe transparente, të njëjta për të gjithë. Dhe për këtë, ne kemi nevojë për njerëz në pushtet që  t’i shërbejnë popullit. Kjo është arsyeja, pse unë vërtet nuk dua fotot e mia në zyrat tuaja, sepse Presidenti nuk është një ikonë, një idhull apo një portret. Vërini fotot e fëmijëve tuaj në vend të tij  dhe shikojini ato çdo herë që merrni vendime. Unë mund të vazhdoj, por ukrainasit dëshirojnë veprime, jo fjalë. Pra, të dashur deputetë! Ju e caktuat inaugurimin tim të hënën, një ditë pune, e cila ka një përfitim – kjo do të thotë që jeni gati për të punuar.

Prandaj, ju kërkoj që të miratoni:

  1. Ligjin për heqjen e imunitetit parlamentar.
  2. Ligjin që përcakton përgjegjësinë penale për pasurimin ilegal.
  3. Kodin Zgjedhor të shumëpritur dhe listat e hapura.

Gjithashtu, ju lutemi të shkarkoni:

  1. Shefin e Shërbimit të Sigurisë të Ukrainës.
  2. Prokurorin e Përgjithshëm të Ukrainës.
  3. Ministrin e Mbrojtjes të Ukrainës.

Kjo sigurisht që nuk është e gjitha që mund të bëni, por tani për tani, do të mjaftonte. Ju do të keni dy muaj kohë për ta bërë këtë. Bëjeni. Dhe merrni të gjitha medaljet për këtë –  një veprim jo i keq para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Unë po shpërndaj sesionin e tetë Parlamentar!

Lavdi  Ukrainës!

Dhe më në fund:

Komb i dashur!

Gjatë gjithë jetës sime unë u përpoqa të bëja gjithçka që munda, në mënyrë që ukrainasit të qeshin. Ky ishte misioni im. Tani unë do të bëj gjithçka që mundem në mënyrë që ukrainasit të paktën të mos qajnë më.