Kristo Mërtiri: Lumi i Zagorisë, unë dhe kuçedra e oligarkisë…

303

Nuk e pashë kurrë të sertë e xanxar atë lumë të dashur, që derdhet pa zhurmë e bujë në gjirin e Vjosës hapsorkadhe e nazemadhe. Se Lumi i Zagorisë, shushurin e shkumëzon ndryshe nga të tjerët, atje, në krahun e djathtë të vendlindjes sonë të shenjtë. Ashtu si një hark jo dosido, në roje të jetës në breza, i bukur e fjalështruar në thjeshtësinë e modestinë e tij gati proverbiale. Dhe nuk u shfaq kurrë cingun, zemërgur a mospërfillës fodull përballë bashkëfshatarëve e fatit të tyre në histori. Pa i rënë kurrë gjoksit publikisht! Qysh nga koha e Ali Pashë Tepelenës, ai lumë do të shuante etjen e tokave të pakta te këmbët e Peshtanit. Por shpesh do të shuante edhe urinë e mbijetesës njerëzore. Kështu deri në vitet ’60 të shekullit që shkoi. Kujtdo që vinte nga krahina të tjera fushore a malore, e sidomos të huajve, u dukej diçka e pabesueshme vënia nën ujitje e arave në Gurra, Trëndafile, Dervene e Shëngjergje. Poshtë Qafës së Kalit e pa u puthur ende me Vjosën, u hap me shumë mundime një kanal nëpër gurët e shkëmbinjtë e gjunjëve të Qytezës së lashtë. Por mbi burimin e rrallë në Gurra, sakrificat e vetëmohimi do të sfidonin edhe vetë legjendat: Burra të fuqishëm e të lidhur fort me litarë nëpër pemë, do të hapnin një si tunel të vogël shkëmbor, të drejtuar nga ustallarë të mençur. Gabimi më i vogël u kushtonte shtrenjtë, mund ta paguanin deri me kokën e tyre… Dhe një ditë, ujët e Lumit të Zagorisë u njomi buzët tokave të thara e shterpa. Hodhën shtat misri e perimet nëpër ngastrat e rilindura. U ngrit edhe mulliri, bashkë me këngët për millonanë, si mikpritësit e parë të lumit shpëtimtar e aspak namusqar. Rrëfimet e paharruara të mullixhinjve të respektuar Seit Bajrami e Pole Kume, më ndezin herë pas here kujtesën dhe mirënjohjen e sinqertë njerëzore për të vdekurit e të gjallët. E, veçanërisht për Lumin që jo rastësisht është pagëzuar me emrin e krahinës lavdimbuluar të Zagorisë. Lumë ku janë derdhur përrenjtë e Ndëranit, Lliarit, Zhejit, Sheperit, Nivanit, Konckës, Hoshtevës, Doshnicës etj. Dhe jo më kot, e kanë përshkuar si “mes i artë” midis 10 fshatrave në male që poeti e gazetari penëhollë, Spiro Dede, i ka quajtur “Dhjetë mjegulla në brinjë”… Shënimet e mësipërme m’u fanepsën ditët e fundit të Janarit, kur befas u duk se Polit(h)ika e metropolit do të “ndizte” gjakrat opozitare edhe me Zagorinë, përballë vorbave të tjera sociale që shpesh shkrepin e shuhen si fishekzjarre! Mjafton të japin ca prova “besnikërie” dhe dëshmi të filmuara për të justifikuar fondet sekrete të OJQ-ve përgjëruese e mbështetjen e maskuar keq ndaj ndonjë lidershipi partiak. Një tablo e tillë u shfaq edhe të premten e fundit para dite të muajit të parë të vitit, rreth sheshit “Skënderbej” në kryeqytet. Madje dikush shkoi më tutje, i krahasoi me “ushtarët e Haxhi Qamilit”. Kur po zbrisja shkallët e jashtme të Ministrisë së Brendshme, u përballa menjëherë me një banderolë jo të vogël tek lëkundej mbi supet e dy aktivistëve mesoburra që lëshonin si në tym ndonjë thirrje gojore egërshane. Ndërsa nga prapa vinte një si iso e çakorduar pjesëmarrësish të paktë. Herë-herë ndalonin hapat pak sekonda dhe hidhnin kuturu vështrimet inatçore mbi godinat e ministrive. Kur pashë me shkronja të mëdha kapitale emrin ZAGORIA, pse ta fsheh, emocionet më sollën vetiu ca si mornica e drithërima në kraharor. Dhe iu drejtova banderolmbajtësit të parë. E përshëndeta, i thashë se i kam rrënjët pranë asaj nahije, e pyeta se cilën OJQ përfaqësojnë në protestë dhe a e dinte Vendimin e Qeverisë që e kish shpallur Zonë të Mbrojtur e Park Kombëtar (madje dikush nxitoi të na filmonte me celular). Por dialogu nuk vazhdoi. Sepse banderolmbajtësi me dialekt verior, lëshoi një si klithmë kot më kot: “Sot kemi dalë për të rrëzuar këta komunistët nga pushteti, or ti shoq!”. As që e kishte haberin për problemet mjedisore. Një grua kalimtare në moshë të thyer, iu përgjigj aty për aty: “Ahaa, nuk paskeni dalë në rrugë për ekologjistët, por për komunistët?!… U vaftë mbarë!”. Dhe u largua duke buzëqeshur hidhur e me mërmërimën vetjake kuptimplote: “Lumë e Det, kush na fton në protestë!..” Në pasdite vonë po lexoja në internet edhe shkrimin e një analisti të matur e serioz. Nuk ishte koincidencë e rëndomtë. Nënvizova paragrafin e mëposhtëm: “Ka ardhur koha që Shqipëria të ketë ndërgjegjen e saj ekologjike. Jo një karikaturë aktivistësh mjedisorë që improvizojnë në ambientin politik e mediatik, por një vetëdije të konsoliduar përmes përfaqësimit fillimisht në rangun e shoqërisë civile e mediave e, më pas edhe në skenën politike. Protesta e banorëve të dëshpëruar të Zagorisë së thellë, tregon se momenti ka ardhur prej kohësh”. Sepse “improvizimet” e sforcuara, në fund të fundit, mbeten si këmborë e zile pa gjuhëz. Përvoja e thartuar e pa bukë gjatë 3 dekadave çmendurake të Tranzicionit rrumpallë, këtë ka vërtetuar nga viti në vit. Fjala vjen, “hakmarrja” e lumenjve dhe e pyjeve në Shqipërizën tonë, tashmë duket sheshit e as fshihet dot. Mjaft fjalime, ligje e vendime janë kthyer në “kartëra të djegura”. Masakrimi në praktikë vazhdon pa pikë mëshire për të sotmen e të nesërmen kurrizdalë të vendit. Mjafton të shuhet etja e një grushti oligarkësh dhe e shërbëtorëve të tyre për kamje e pasuri të pistë marramendëse. Majtas e djathtas. Për shembull, minimalisht më thoni, kush e dëmshpërbleu kasaphanën e drurit të arrës shqiptare 27 vite më parë kur palosej e syrgjynosej matanë detit?! Sa për krahinën e Zagorisë, e tha bukur e saktë një kolegu ynë: “E ka shpëtuar varfëria dhe mund ta vrasë pasuria!”…Dy net më parë, Xhafua i mirë e ekonomist i zoti, më dërgoi disa foto nga Guri i Shkallës dhe Zasteni përkarshi. Diku në mes Lumi i Zagorisë dhe Piligria që psherëtin e rënkon thellë mbi 60 vite me radhë. Për një kohë të gjatë, mbi gjethet dhe degët e një dafine farfurinte edhe një shami e bardhë vajzërie, shami koke e qëndisur nga duart e motërzezës time të madhe që mbylli sytë e bukur atje ku erërat këndojnë e qajnë me ligje (sot ka mbetur në një vizatim me ngjyra të Dhame Cangos, piktorit tonë të talentuar). “ Qerpik kyçur Guri i Shkallës

-O vëllaa,-thërret Frosina,

Lëre botën, arratinë,

S’jam bërë ende Doruntina…”.

Zërin e saj elegjiak që më thyente vetminë fatgremisur buzë Pireut, e hodhi në valët e Radio-Tiranës regjisori i shquar e zemërllagar, Xhelil Aliu nga Kalivaçi. (Nuk ish zëri i “Frosinës së Janinës” në romanin e Mira Meksit, ishte zëri i Frosinës sime të Dafinës!…). Pranë saj, në zallin e thatë bregut të Lumit të Zagorisë, vite më vonë do të jepte shpirt bariu i dashur për tërë peshtanakët, Çome Kora “shpirt njeriu”. Thonë se gati çdo mëngjes (jo vetëm në fotot e Xhafos), kur dielli ngre qerpikët mbi majën e Zastenit dhe shkrin vesën mbi dafina, lisa e trëndelina, një ylber shumëngjyrësh aspak i rremë e hiç figurë letrare, bashkon si me gjysmë harku të ndritshëm atë park të rrallë për të vdekur e të gjallë… Unë ua di mirë fjalët këngës së tufave të zogjve në atë luginë-fole të heshtur në pamje; ua di krojeve e burimeve të shumtë; staneve e tendave; çajit e lule blirit që na përcillte me këmishë e pantallona të reja në shkolla; kafshëve të egra e të rralla në pyllin e pafund etj. gjurmë të pashlyera që pikojnë ende nostalgji e mall përvëlues. Kur themi sot se ajo krahinë nuk duhet nanuritur e malaksur me Polit(h)ikë e folklorizëm mjedisor, me kompani kombëtare a ndërkombëtare, me aktivistë që më tepër duken se i bien fyellit të shtogut pa palcë nëpër trotuaret e metropolit, nuk do të thotë të mos begeniset fare ai Lumë i bekuar. Dhe një ditë ta përlajë Kuçedra e Oligarkisë për hidrocentrale e “kërkim nafte”, duke harruar qëllimisht se edhe ai lumë i vogël “ka pjesë në detin e madh”! Se nuk është thjesht ajo Kuçedra e përrallave të moçme popullore me dy deri trembëdhjetë kokë, por do jenë ata pasanikë politiko-financiarë të pashpirt e përbindësha që nuk bëhen kurrë esëll. Lumi i Zagorisë, përgjithësisht e historikisht ka falur jetë e dashuri.

“Mos ma shaj lumin.

Në brigjet e tij fluturoi fëmijëria;

mos m’i bjer me gurë pjesës

 më të dhembshur të jetës !”…

Dhe s’duhet harruar: Ai nuk kthehet prapa !

Mirëpo, me sa i tregon gjarpri këmbët, aq i tregojnë pasanikët hajdutë. Këta zakonisht rrëmbejnë e gjarpërojnë bashkë me Polit(h)ikën zuzare. Vendimi i Qeverisë duhet mbrojtur e zbatuar me çdo çmim ! Sot dhe nesër. Pa u joshur nga përrenjtë mashtrues me euro e dollarë. Se vërtet mjaft masa hidroteknike të shtetit monist u zhdukën pa nam e nishan në emër të Lirisë së shtetit pluralist (një nga arsyet e braktisjes biblike të fshatit shqiptar), por në rastin konkret Lumi i Zagorisë është aty, bashkë me udhën e vet të mundimeve titanike për të mbajtur në këmbë njerëzinë; cicërimat e pafajshme të zogjve; pylltarinë dhe kullotat e famshme që i ka falur natyra; kanionet e rralla; vetë Turizmin e virgjër. Hileqarët e frikacakët që udhëhiqen vetëm nga “paraja-maskaraja” nuk heqin kollaj dorë nga avazi neveritës “Prish bucela e bëj kënaçe”! Veçse kjo racë nuk bie dot “në gjak” me atë lumë të urtë, aspak llafazan, aspak i vrazhdë e nursëz. Por as gjaklepur e frikaman. Megjithatë, siç na thotë shpesh një miku ynë, inxhinier i vjetër hidroteknik: “Kujdes, lumi që fle edhe të mbyt!…”