Gentian Çala: “Dua ti shoh me sytë e mi…!”

457

Nga Genti Çala:

“DUA TI SHOH ME SYTË E MI…!”

Po çfarë është ky njeri, i gjithëditur, kapadai, që nuk do ti dalë kërkush përpara dhe që do ta shohë me sytë e tij gjithçka? Po si është e mundur që çdo ditë ne duhet të durojmë shfaqjen e tij prej kllonuni, herë me çitjane, herë me fëmijë të prekur nga tragjedia, herë me hallexhinj dhe herë me servilë?! Si mund të jetë dikush kështu, si mund të punosh apo të bashkëpunosh me të?! Si mund të kërcënojë median në mes të ditës, apo këdo që i vjen në mendje? Ne kemi vuajtur nga të gjithëditurit që dinë pak ose që nuk dinë asgjë, ndaj më brengos kjo pjesë. Disa punë duan ekspertë, grupe specialistësh, projekte, strategji, nuk bëhen duke vënë gishtin në hartë ose duke parë me sy të lirë zonën ku pretendon të rindërtosh. Kjo nuk është picture, që mund ta bësh si të duash!

Ka edhe një aspekt që ka të bëjë me marrëdhëniet me publikun, njerëzit kanë nevojë për zgjidhje dhe jo për një Kryeministër të lodhur, nervoz dhe që nuk jep shpresë. Ata presin zgjidhje nga personalitetet, nga ata që kanë në dorë dhe mund të vendosin për ardhmërinë e tyre. Të gjitha mëndjet dhe energjitë duhen bërë bashkë. Kjo është detyra e Kryeministrit, koordinimi dhe udhëheqja, por kurrësesi të bëjë gjëra që nuk i takojnë apo për të cilat nuk është ekspert. Sjellja e tij, prej njeriu të sëkëlldisur nuk ndihmon, por vetëm shton mosbesimin te institucionet, te shteti dhe shterojnë vetëpërmbajtjen e qytetarëve.

Ne kemi më shumë nevojë sot për ata me përvojë, të ditur dhe që njohin mirë aspektet e kësaj tragjedie, kemi nevojë për ata që thonë se ku është gabuar, për zgjidhje të përkohëshme të atyre mijra banorëve të pastrehë, kemi nevojë të vlerësohet se çfarë duhet shembur dhe riparuar, kemi nevojë për një plan rindërtimi. E gjitha kjo kërkon mijëra punonjës, specialist, kërkim donacionesh, koordinim të tyre dhe transparencë. Kjo nuk mund të bëhet me ju Z.Rama, që nuk respektoni as ata që ju rrinë në krah që herë i shtyni dhe herë i ofendoni. Ju nuk duhet të shihni me sytë tuaj dhe të vendosni me mëndjen tuaj, por duhet të dëgjoni dhe të mirëpritni këdo që ju bashkohet në këtë sfidë.

E fundit që doja të thoja është se jetojmë në një vend të lirë, ku gjithëkush mund të kontribuojë, mjafton që qeveria ti krijojë lehtësirat për ta bërë. Ndaj ftesa juaj për ti futur nën ombrellën e qeverisë fondet e mbledhura nga fondacione apo individë duket jo vetëm e pakuptimtë, por le vend për vend për dyshime. Askush veç jush, nuk ka faj pse shqiptarët sot besojnë më shumë një klerik, apo një gazetar, sesa ju dhe sejmenët tuaj.