Frank Shkreli: Shëngeni Ballkanik–kërcënim ndaj interesave kombëtare

192

Nga Frank Shkreli

Jemi në vigjilje të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. Është kjo ditë e Nëntorit që në të vërtetë bashkon të gjithë shqiptarët pa dallim dhe kryesisht pranohet nga të gjithë si e tillë: Një ditë që kujton gëzim kur Shqipëria pas më shumë se 500 vjetësh u bë e pavarur. Na bën të mendojmë, gjithashtu, edhe për sfidat aktuale me të cilat përballet sot Shqipëria dhe shqiptarët dhe, më në fund, na jep shpresa guximtare, se shqiptari do të merret vesh me shqiptarin, me dorë në zemër, dhe në bashkëpunim me njëri tjetrin, për përvjetorë më të mirë të pavarësisë së shqiptarëve në të ardhmen. Nëntori solli pavarësinë për Shqipërinë, por fatkeqësisht Nëntori për Shqiptarët njihet gjithashtu edhe si muaji i datave jo aq të famshme komuniste:E Revolucionit Bolshevik rus me 7 Nëntor dhe dita e themelimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë, me ndihmën e pa kursyer të sllavo-komunistëve jugosllavë, si dhe data të tjera të këtij lloji. Javën që kaloi, Nëntorit iu shtua edhe një datë tjetër që mund të jetë aq fatkeqe për shqiptarët, një datë që mund të ketë të njëjtat pasoja të dëmshme për Kombin shqiptar, ashtu siç kanë pasur datat e lartpërmendura. Kryeministri i Shqipërisë, Z. Rama, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Z. Zaev dhe dhe protagonisti kryesor i i kësaj nisme anti-shqiptare, Presidenti serb, Z. Vuçiç njoftuan të ashtuquajturin Shengen Ballkanik, sipas tyre, “për qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave,” ndërkohë që Kosova refuzoi të merrte pjesë, duke shkaktuar një përçarje të atyre që, natyrshëm, duhej të ishin interesat e përbashkëta kombëtare të shqiptarëve, pra të Shqipërisë dhe të Kosovës, për një nismë të tillë. Në vend që të kemi një integrim më të madh midis shqiptarëve të dy shteteve tona shqiptare, Kryeministri i Shqipërisë duket se preferon një integrim më të madh me sllavët e Jugut, me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke mos marrë parasysh interesat dhe vullnetin e Kosovës, në veçanti.

Udhëheqësit politikë dhe shoqëria e Kosovës, në përgjithësi, kanë reaguar ashpër ndaj kësaj iniciative të Beogradit dhe janë shprehur kundër, në përmasa dërmuese. Kombi shqiptar nuk kishte nevojë, për një nismë të tillë, e cila shkaktoi një valë tjetër përçarjesh në gjirin e tij, në këtë moment të historisë së vet. Shqiptarët kanë nevojë për udhëheqës që do të harmonizonin forcat më të shëndosha të Kombit, jo vetëm anë e mbanë trojeve shqiptare, por edhe në diasporë dhe jo për udhëheqës që hapin plagë të reja në vargun e tragjedive të rrethanave tepër të vështira historike për shqiptarët. Ndërmarrje të tilla siç është “Shengeni Ballkanik” me miratimin e Beogradit – dhe me mbështetjen e heshtur të Moskës – nuk bëjnë asgjë tjetër veçse prekin palcën më të brishtë të bërthamës së shqiptarizmit. Kjo nismë është e ngutshme dhe në kohë të gabuar, për sa u përket e interesave shqiptare. Kryeministri shqiptar duhet të heqë dorë nga kjo nismë ose të distancohet, ashtu siç bëri edhe Mali i Zi. Nuk mund të ketë një Shengen të tillë, pa njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia dhe pa pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në një nismë të tillë, megjithëse e gjithë kjo ide më duket absurde. Ky është një kurth i Serbisë me qëllim të rritjes së influencës ruse në Ballkanin Perëndimor. Zgjidhja e problemeve me të cilat përballen sot shqiptarët dhe fqinjët e tyre nuk është gjendur kurrë, ekskluzivisht, në Beograd dhe as nuk zgjidhen ato sfida pa pjesëmarrjen e të gjithë shqiptarëve në Ballkan! Mos njohja e Kosovës si shtet nga Serbia, i thotë ‘ndal’ Shengenit Ballkanik! Merru vesh me vëllain tënd më së pari, Z. Kryeministër. Anuloje ose të paktën shtyje takimin e radhës së trojkës së “Shengenit Ballkanik” të 21 nëntorit në Durrës. Sidomos, përballë propagandës së përditshme ndërkombëtare serbe kundër Republikës së Kosovës edhe në nivel ndërkombëtar. Mediat serbe njoftojnë se në takimin e djeshëm në Paris me Presidentin e Francës Macron dhe me Presidentin e Kosovës, Thaçi, Vuçiçi u mburr me fushatën e Serbisë kundër Kosovës duke thënë, se edhe 10-shtete të tjera po presin të marrin vendimin për të tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, si rezultat i fushatës serbe kundër Kosovës. Ky po kërkon integrim të llojit “Shengen” në Ballkan dhe kryeministri Rama i beson këtij?

  1. Kryeministër, të lutem mos i shto kalendarit të muajit të Nëntorit edhe një datë tjetër fatzezë për Kombin shqiptar, atë të themelimit të “Shengenit Ballkanik”, duke ndarë dhe përçarë edhe njëherë shqiptarët! Shqipëria dhe Kosova kërkojnë dhe presin prej teje dhe prej udhëheqësve të tjerë shqiptarë – anë e mbanë trojeve shqiptare – ndihmë për bashkimin e forcave në radhët e shqiptarëve, e jo për përçarjen e tyre. Është një zë ky i dy shteteve tona që përcjell porositë e Dëshmorëve të Kombit të të gjitha kohërave, e sidomos të atyre heronjve të ditëve tona që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Si Shqipëria ashtu edhe Kosova, përcjellin sot edhe zërin e të parëve që lanë trashëgimi gjuhën traditat dhe zakonet, në bazë të të cilave ruhet emri Shqiptar anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në botë. Është një zë, që i thotë: Kryeministër, të lutem mos i shto kalendarit të muajit të Nëntorit edhe një datë tjetër fatzezë për Kombin shqiptar, atë të themelimit të “Shengenit Ballkanik”, duke ndarë dhe përçarë edhe njëherë shqiptarët.
  2. Ndal! kësaj nisme – ai i vajit të nënave dhe të motrave, të cilave u janë shterur tanimë lotët duke qarë mbi mijëra varre të të rënëve në luftën e fundit në Kosovë dhe gjatë gjithë historisë. Shqipëria dhe Kosova presin prej jush, që në vigjilje të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, t’i drejtoni njëri tjetrit, shqiptari-shqiptarit, në Tiranë dhe në Prishtinë – një ftesë dhe një urim për bashkim dhe jo për përçarje midis shqiptarëve, si më poshtë:

“E vërtetë lum vëlla, që atdheu ynë i vogël po vjen duke u përplasur me rryma vigane ngjarjesh që, jo vetëm, veprimtaria jonë e ka shumë zor t’i përballi, por edhe mendja me shumë vështirësi mund t’i kuptojë. Eja këtu afër meje. Kemi qëlluar të vegjël e kemi shumë nevojë të grumbullohemi bri për bri, që të mos lejojmë duhin të na përpijë ndër gjiret e veta të furishme. Vetëm duke rreshtuar dërrasat e kraharorëve tanë, mund t’ia ndalojmë hovin shkulmit të rrëmbyeshëm që do të zhgulë me kulm e me themel, jo vetëm trojet shqiptare, por edhe traditat që në to kanë lëshuar rrënjët jetike. Eja të punojmë e të luftojmë së bashku kundër armikut të përbashkët. Eja të ngadhnjejmë ose të vdesim së bashku… Premtoftë Perëndia që edhe sot të mblidhen të gjithë krerët e njohur shqiptarë – pa mungesën e asnjërit – me atë zemër e me ato mend që i zbardhën faqet fisit tonë në mbledhjen e Lezhës me 1444, të Lidhjes së Prizrenit të vitit 1878 dhe të Vlorës, më 1912. Çasti historik sot ka të njëjtën rëndësi. Paçin edhe krerët e sotëm të fisit, të njëjtën zotësi!” (Autori i panjohur, botuar në “Albanie Libre”)

Ishte kjo thirrja dhe urimi i një autori pa emër, me rastin e Ditës së Pavarësisë në vitin 1950, por aktuale edhe sot, ashtu siç ishte edhe gjatë shekullit të kaluar. Shpresoj që këtë 28 Nëntor të Pavarësisë së Shqipërisë, përballë sprovave dhe sfidave me të cilat po përballet aktualisht Kombi Shqiptar, që në radhët e udhëheqësve të sotëm shqiptarë, të mbizotërojë ndjenja e thjeshtë e interesit kombëtar, e mjaftueshme për të shpërndarë këto re të zeza që po kërcënojnë horizontin e trojeve shqiptare. Nuk mund të ketë “Shengen Ballkanik” pa paqe të vërtetë në Ballkan, sidomos midis shqiptarëve dhe serbëve, pa reciprocitet dhe pa njohje dypalëshe midis Serbisë dhe Kosovës.

Kryeministri shqiptar duhet të heqë dorë nga kjo nismë ose të distancohet, ashtu siç bëri edhe Mali i Zi. Nuk mund të ketë një Shengen të tillë, pa njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia dhe pa pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në një nismë të tillë, megjithëse e gjithë kjo ide më duket absurde. Ky është një kurth i Serbisë me qëllim rritjen e influencës ruse në Ballkanin Perëndimor.

Nuk mund të ketë integrim ballkanik me një paqe të brishtë midis dy vendeve, një paqe që vazhdimisht po kërcënohet nga armatimi i Serbisë nga Rusia dhe nga përpjekjet e Moskës për të influencuar politikën dhe ekonominë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, qoftë edhe nëpërmjet “Shengenit ballkanik”. Nuk luhet me interesat kombëtare, në këtë mënyrë! Vetëm paqja e vërtetë midis dy popujve dhe demokracia, sigurojnë jo vetëm përparimin ekonomik dhe politik kombëtar, por edhe sigurinë rajonale që, eventualisht, edhe mund të çojë në një integrim më të madh, sidomos ekonomik, të vendeve të Ballkanit, por eventualisht, në kuadër të integrimit të vërtetë, politik, ekonomik dhe ushtarak të tyre, në organizmat euro-atlantike dhe të sigurisë afatgjatë që ofron një integrim i tillë i vërtetë për vendet anëtare.

Ish Drejtor i VOA-s për Euro Azinë*