Maqedonia e Veriut apel Gjermanisë: Na ndani nga Shqipëria për negociatat

433
Sigal

Gjermania është e bindur se si Maqedonia e Veriut ashtu edhe Shqipëria e meritojnë hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, pavarësisht bllokimit nga Franca që kërkon reformimin e procesit të zgjerimit. Ministri i jashtëm gjerman, Haiko Maas, gjatë vizitës së tij në Shkup, inkurajoi vendin të vazhdojë reformat duke siguruar homologun e tij, Nikolla Dimitrov, se do të ketë mbështetjen dhe ndihmën e plotë të Berlinit.

Vetë Dimitrov, duke argumentuar se BE nuk mund ta neglizhojë vendin pas kompromiseve të bëra, tha se pavarësisht fqinjësisë së mirë që Maqedonia e Veriut ka me Shqipërinë, kur bëhet fjalë për anëtarësimin në BE është më mirë që secili shtet të vlerësohet ndarazi, në bazë të meritave të veta.

“Parimi bazë në procesin e anëtarësimit është: secili sipas arritjeve në reforma. Nëse i grupojmë vendosim shtetet në paketë dhe i bëjmë të varura nga diçka që nuk është në kontroll të tyre atëherë humb logjika e anëtarësimit”, tha Dimitrov.

Pak ditë më parë, edhe vetë presidenti francez, Emmanuel Macron, që me ‘jo’-në e vendosur të tij, u përpoq të sqaronte motivet e këtij qëndrimi dhe tha se vendet anëtare ishin më pozitive për Maqedoninë e Veriut se sa për Shqipërinë, por kjo e fundit nuk mund të ndahej për shkak të pasojave që një vendim i tillë do të kishte në rajon.