Engjëll Musai: Kujt i duhej djegia e Rajshtagut tonë?

637
Sigal

Engjëll Musai

Drejtor i “Telegraf”

Dje në orën 10.00 mbarë opinioni shqiptar brenda dhe jashtë vendit ishte të përqendruar në një nga sallat e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë ku për herë të parë figura numër Një e Shtetit, Presidenti i Republikës theu të gjitha tabutë dhe u paraqit përpara një “Komisioni Hetimor Farsë” të ngritur nga një grup deputetësh të pozitës. Qëllimi i këtij Komisioni është të godasë të vetmin institucion të pavarur që “Rilindja” nuk ka mundur ende ta kapë apo ta nënshtrojë për interesat e saj klienteliste dhe për ta vënë më vonë në shërbim të oligarkëve të Ramës dhe qarqeve antikombëtare. Nuk kishte ndodhur asnjëherë që Kreu i Shtetit në detyrë apo Kryeministrat e vendit, edhe pse Shqipëria ka kaluar trazira të jashtëzakonshme dhe skandale të përmasave botërore të ishin paraqitur në një komision parlamentar hetimor. Nuk po futemi në shkaqet dhe maskaradën që shoqëroi këtë farsë, që nga ideimi, ngritja dhe mënyra e fabrikimit të akuzave bajate prej sharlatanëve të pushtetit dhe palaçot rreth tyre, të inkriminuar e zënë me “presh në dorë” me zë dhe figurë në trafiqe, kontrabanda, në kanabizimin e vendit dhe vjedhjen masive të votës qytetare me paratë e krimit, të mbështetura nga bandat më famëkeqe. Presidenti i Republikës Ilir Meta, me vendimin e marrë për anulimin dhe shtyrjen e zgjedhjeve i qëndroi besnik Betimit të kryer ditën e zgjedhjes si President i Republikës së Shqipërisë. Parimi i tij, se Liria dhe Drejtat e Njeriut janë parimet më të shenjta të botës demokratike ishin mishërimi i një vendimi që parandalojë një katastrofë edhe më të rëndë se 21 Janari i organizuar dhe ideuar nga Edi Rama apo ngjarjet e 1997-1998, kur u ekzekutua edhe Lideri i Dhjetorit Azem Hajdari. Por një gjë e tillë nuk i erdhi për shtat “Rilindësve” të konsumuar, të cilët e kanë kthyer Shqipërinë në “Lajmin e Parë” në Evropë dhe Botë. Ndaj ata, pasardhësit dhe bijtë e diktaturës komuniste kërkuan me ngut mbledhjen e votave, shkarkimin e Presidentit të Republikës që t’i hapin rrugën instalimit të një diktature të re dhe kthimin në sistemin monist njëpartiak. Një gjë të tillë ata e realizuan përkohësisht me pushtetin lokal nëpërmjet Grusht –Shtetit institucional, të mbështetur nga KQZ dhe Kolegji Zgjedhor, çka u evidentua saktësisht edhe nga Raporti përfundimtar i OSBE/ODHIR. Por ajo që dihej dhe përflitej nga të gjithë shqiptarët por që mori vlera ditën e djeshme kishte të bënte me faktin se, individë të caktuar ishin të përgatitur të digjnin Kuvendin e Shqipërisë, njëlloj sikurse piktori gjerman dhe më vonë Diktatori i Botës Adolf Hitler me bandat e tij dogjën Rajshtagun. Disa tentative ishin bërë me bomba Molotov dhe, fatkeqësisht apo çuditërisht, nuk pati asnjë të ndaluar, edhe pse ministria e Lleshit vendosi kamera speciale dhe mjete të tjera vëzhgimi. Të jetë rastësi apo ndoshta këta njerëz kanë qenë të infiltruar në radhët e protestuesve për të krijuar trazira të tilla masive dhe me pasoja të rënda për vendin dhe imazhin e opozitës shqiptare?! Ishin të futur nga qarqet antishqiptare apo të hedhur mes protestuesve nga pushteti i “Rilindjes”?! Si ka mundësi që policia kontrollonte autobusët dhe qytetarët një për një dhe përsëri disa persona posedonin mjete të tilla?! Rasti i disa protestuesve meshkuj dhe femra që kalonin lirshëm kordonet e policisë, që më vonë sikurse dolën nga videot u tregonin policisë dokumente policie apo të një zonje që vajti dhe u fut në makinën e policisë, ndërkohë që pak më parë qëllonte me mjete të forta policinë, tregojnë implikimin e këtyre personave dhe qëllimet ogurzeza ndaj institucioneve shtetërore. Të mos harrojmë se edhe 21 Janari që do të mbahet mend në historinë e vendit dhe që do të konsiderohet si njollë e zezë, kishte të njëjtët protagonistë. A nuk u emërua kryetari i grupit të zjarrit të Gardës si kryetar i PS-së në Burrel dhe në votimet e fundit kandidoi si Kryetar i Bashkisë dhe sot është ulur në kolltukun e kryebashkiakut? Po si ka mundësi që këta njerëz të arrestuar për vrasjen e 4 qytetarëve në mes të bulevardit, lirohen nga burgu, fitojnë pafajësi dhe, pas kësaj, shpërblehen me poste drejtuese pikërisht nga ata që organizuan protestën e 21 Janarit. Janë të emëruar dhe graduar nga qeveria e Rilindjes, e cila për hipokrizi vendos lule në çdo 21 Janar. E pra, deklarata e Presidentit të Republikës, mbështetur në faktin dhe informacionet e dhëna nga shërbimet e specializuara, se në protestën e fundit do të kishte trazira të rënda dhe djegie të Kuvendit të Shqipërisë janë më se të sakta. Pikërisht këto të dhëna dhe ky arsyetim ishte një arsye më shumë që zgjedhjet u shtynë dhe Shqipërisë nuk iu përsërit djegia e Rajshtagut si në kohën e Hitlerit. Me anulimin e zgjedhjeve, Presidenti Meta nuk mendoi dhe logjikoi për elektoratin, por për shtetin. Sharl de Gol ka thënë: “Në politikë është e nevojshme të tradhtosh ose atdheun, ose elektoratin tënd…Unë parapëlqej të tradhtoj elektoratin”. Qëndrimet e qeverisë, kreut të saj Edi Rama dhe gjithë klanit “sorosian” i ngjajnë qymyrit që kur është i nxehtë të djeg, kur është i ftohtë të nxin. “Rilindësit” aktual i kanë të dyja këto veti.