Kryegjyshata Botërore Bektashiane/ Nën kujdesin e Selisë së Shenjtë dhe Kryegjyshit Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj u kremtua 25-vjetori i revistës së parë “Urtësia”. Ja çmimet fituese

932
Sigal

Nga Kujtim Boriçi

Përkujtohet 25-vjetori i daljes së numrit të parë të revistës “Urtësia”, organ i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane

Ditën e djeshme, në mjediset e “Tirana-Internacional” në Tiranë, u zhvillua ceremonia e 25-vjetorit të daljes së numrit të parë të revistës “Urtësia”, organ i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Në këtë aktivitet, të zhvilluar nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, morën pjesë Presidenti i Republikës, Shkëlqesia e Tij, Ilir Meta, Kreu i myslimanëve shqiptarë Sjkënder Bruçaj, përfaqësues të feve të tjera në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, deputetë të Kuvendit Popullor, intelektualë e besimtarë të shumtë. Në këtë aktivitet, Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar Revistën bektashiane “Urtësia” me titullin “Naim Frashëri”. Në ceremoninë me rastin e 25-vjetorit të Revistës, ku të pranishëm ishin Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, kreu i Bashkësisë Myslimane Skënder Bruçaj, klerikë të besimeve të tjerë fetarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, besimtarë të shumtë nga të gjitha trevat mbarëshqiptare, përfaqësues të medieve etj., kreu i shtetit dekoroi revistën me Urdhërin “Naim Frashëri”.

1. Në fillim fjala përshëndetëse iu dha Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili ndër të tjera tha:

…Më lejoni në radhë të parë t’ju falënderoj për pjesëmarrjen Tuaj në këtë jubile kaq domethënës që lidhet drejtpërdrejt me të vetmen revistë fetare, shoqërore dhe artistike, “Urtësia”, organ zyrtar i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Personalisht lutem që Zoti i Lartë ju pastë në vëmendjen e Tij, jo vetëm për devocionin fetar që rrëfeni, por edhe për respektin ndaj fjalës së urtë që bën mrekullira! Besoj se të gjithë ne që ndodhemi në këtë sallë, e dimë fort mirë se një çerek shekulli më parë, mjedisi ku u lind kjo revistë nuk ishte aq i ngrohtë dhe entuziast. Dhe kjo ishte e natyrshme se vinim nga një regjim që jo vetëm ndaloi fjalën e Zotit, por anatemoi, lëndoi, burgosi dhe pushkatoi të gjithë ata që fjalën e Tij, e shpallën si të pavdekshme dhe të gjithëpushtetshme. Besimtarët bektashianë, së bashku me udhëheqësit shpirtërorë të tyre, sikundër edhe ata synitë, të krishterë katolikë e ortodoksë, ndonëse u përplasën me ligjet dhe qëndrimet më paranojakë të ateizmit, sërish nuk e humbën as shpresën dhe as orientimin. Kibleja e tyre ishte dhe mbeti, dashuria e fshehtë për Krijuesin, për njeri-tjetrin. Solidariteti ynë fetar i kapërceu pengesat qesharake të regjimit. Por edhe në situata të tilla, fjala e Haxhi Bektash Veliut, amaneti i brezave të tërë të dervishëve e baballarëve bektashinj, historia e shkëlqyer e tarikatit tonë, duheshin nxjerrë në dritë të diellit, duheshin bërë ët ditura dhe duheshin respektuar jo thjeshtë si trashëgimi, por si një ndihmesë e pa llogaritshme në sfidat që na prisnin. Dalja e numrit të parë të urtësisë, u sanksionua nga Kongresi i gjashtë bektashian, i mbajtur në Tiranë në korrik të vitit 1993, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve bektashianë e gati 18 shteteve. Por unë personalisht mbaj mend përkujdesjen e klerikëve si: baba Neki Çaushaj, baba Bajram Mahmutaj, baba Sherif Canaj, baba Selim Kaliçani, të cilët, nën udhëheqjen shpirtërore të dede Reshat Bardhit, me frymën e mirësisë dhe të urtësisë tradicionale bektashiane, e bekuan qysh në djep këtë revistë, duke i uruar asaj fat të bardhë në udhëtimin e saponisur. Revista “Urtësia” në këtë udhëtim çerek shekullor, i është përmbajtur me devotshmëri frymës me të cilën u bekua, duke u shndërruar në interprete të ideve, pikëpamjeve si dhe prirjeve të Selisë sonë të Shenjtë, misioni dhe përgjegjësia e së cilës i kalon kufijtë e Ballkanit dhe të Europës, madje shkon deri më tej, pranë komuniteteve të besimtarëve bektashianë në Kanada, Australi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përmes kësaj fryme, ajo solli në faqet e saj zhvillimet më kryesore të bektashizmit, duke hedhur dritë në mënyrë të veçantë në traditën emblematike të tarikatit tonë 800 vjeçar. Kjo revistë është përpjekur dhe përpiqet vazhdimisht që kodin zakonor dhe traditat e hershme mos t’i shohë e trajtoj si relike muzealë, por si një sendërtim natyral të tyre në përshtatje me kushtet dhe kohën që po kalojmë. Kësisoj, vlerat universale të bektashizmit vijnë duke u pasuruar nga viti në vit dhe nga një brez besimtarësh tek tjetri. Ndërkaq, vlen të kujtoj për të gjithë ju se “Urtësia” në këto 25 vjet, ka dhënë kontributin e vet të çmuar edhe në kontekstin e dialogut ndërfetar shqiptar, apo në atë proces të rrallë të botës së sotme, të cilën Shenjtëria e Tij, Papa Françesku, e cilësoi në Tiranë si “vëllazëri fetare.” Në faqet e kësaj reviste kanë zënë vend të merituar figura të shquara klerikësh qofshin syni, katolik, ortodoks apo ungjillorë, të cilët i kanë shërbyer Zotit dhe kombit, përmes një ndjenje të fuqishme vëllazërimi fetar. Më vjen mirë të përmend sot në këtë fjalë, kontributin e dy kryeredaktorëve të parë, Hysen Ibrahimi dhe Kujtim Ahmataj, të cilët bënë sa ishte e mundur që revista “Urtësia” të kishte fytyrën e saj, të dashurisë dhe mëshirës universale myslimane, të kishte zërin e klerikëve të nderuar bektashianë, të kishte vetë jetën e teqeve tona anë e kënd botës. Sikundër gjej rastin të falënderoj kryeredaktorin e sotëm, zotin Syrja Xhelaj, i cili nga viti 2004 dhe deri sot, pra prej 14 vitesh pa ndërprerje, ka bërë të mundshme t’i japë “Urtësisë” jo vetëm krenarinë e besimit që përfaqësojmë, jo vetëm hapësirat bashkëbiseduese doktrinore, por edhe mendimin e kulluar intelektual, të përcjellë kurdoherë nën një vështrim të paqtë. Ndihma e zotërinjve Nuri Çuni, Kujtim Boriçi, Jetmir Bodini, si edhe dhjetëra bashkëpunëtorëve të revistës tonë, padyshim që e kanë bërë “Urtësinë” të respektuar dhe të dashur për çdo lexues.”

2. Më pas, fjala iu dha gazetarit Syrja Xhelaj, kryeredaktor i revistës “Urtësia”, i cili ndër të tjera theksoi: “Dita e sotme, jubileu i mbarë i daljes në dritë të “Urtësisë”, ofron për të gjithë ne, një det’ valësh të ndjesive të mrekullueshme, të kthyer tanimë në baticë kujtimesh. Njerëzit kanë nevojë për kujtime, siç kanë nevojë për ajër. Revista “Urtësia”, në çdo këndvështrim është kuintesenca e një çerek shekulli plot sakrifica, brenda të cilit koha, me kryeneçësinë e saj, vuri në provë jo thjeshtë Selinë e Shenjtë Bektashiane këtu në Tiranë, por vetë frymëmarrjen ekzistenciale të tarikatit tonë, të shpërndarë sot në më shumë se 31 vende në të gjithë kontinentet ku ushtrohet besimi. Në vitet ’90 të shekullit që lamë pas, së pari ne duhej të ringrinim besimin, të goditur për jetë a vdekje nga katrahura ateiste. Na duhej të çelnim dritare për të parë larg, shumë larg se realiteti i trishtë që jetonim, ndofta për ato hapësira ku për vite me radhë kishim bashkuar ndjesitë tona me krahët e zogjve. Pikërisht në këtë kontekst, revista “Urtësia”, merr përsipër misionin e saj historik. Unë përfytyroj me një kthjelltësi të çuditshme, një mbrëmje të ftohtë dhjetori të vitit 1993, që ndërsa zjarri në kafeoxhakun e Kryegjyshatës po shuhej, ndizeshin shkëndijat e një meraku. Si do të quhej kjo revistë e bektashinjve? Çfarë e kishte mbajtur gjallë këtë tarikat nëpër rrjedhat e kohërave plot luftëra fetare, mëri të zymta etnike, konflikteve të fshehtë dhe të hapur midis ortodoksisë synite dhe kumteve të lirisë që shpërndante mençuria e Haxhi Bektash Veliut? Si do të mund të ecte ky lum i mistizmës islame dhe traditës së baballarëve bektashinj, përmes ligjeve të kohërave moderne” Dikush nga baballarët e pranishëm, duke shtyrë urët e zjarrit në vatër thuajse këndoi, vargjet e të parit poet bektashian, Jonuz Emre: “Pa duar, kundër atyre që na qëllojnë,/Pa fjalë, kundër atyre që na mallkojnë./

Ky kusht fatsjellës, pa u kuptua si duhet në brigjet e Azisë dhe Anadollit në shekujt e 13 e 14, kish udhëtuar drejt viseve shqiptarë, në Ballkanin e trazuar, përmes misionit bektashian. Titulli i revistës u shpall butësisht dhe u pranua me një ngazëllim të skajshëm: Urtësia! Në mënyrë krejt intituive ata, të parët dhe të mençurit baballarë të asaj nate dhjetori të vitit 1993, e patën kuptuar se emri i revistës përpara se të mëshironte kredon estetike, devocionin ndaj Krijuesit, gjenezën identare dhe mozaikun e tarikatit, vlente të ishte një majë shumë e vështirë për t’u arritur nga njeriu: Urtësia! Duhen vite të tëra drite, udhëtim drejt vetes, të mund t’i afrohesh urtësisë. Sa rrallëkund në historinë e letrave botërore, këshilli botues i një reviste, identifikohej me këshillin gjyshëror bektashian. Ky identifikim ka shërbyer si fat që e shoqëron revistën ende sot. Personalisht, nuk do më hiqen kurrë nga mendja, fjalët e dede Reshat Bardhit, fundmajin e vitit 2004, ndërsa ulesha ën zyrën e kryeredaktorit të revistës: “Biri im! Për gazetari nuk të jap mend. Por më dëgjo një fjalë. Tek ‘Urtësia’ flasin shumë. Verua veshin të gjithëve, por dervishët dhe baballarët e mijë ti duash ndryshe të tjerëve. Me ata e kam jetën unë. Me ata e mbajmë gjallë frymën e Haxhi Bektash Veliut.. Ata janë të urtët e Zotit dhe fati i robit!”. Një konvecion i tillë, dhënë përmes një këshille sqimtare, më ka shërbyer kurdoherë ti shoh klerikët bektashianë si bashkëbisedues të sinqertë në faqet e revistës, njëherazi edhe si aktorë të një realiteti fetar dhe kulturor të caktuar. Çdo bisedë me ‘ta, i shëmbëllen nëj dere të hapur, prej nga mund të udhëtosh nëpër mistikën drithëruese dhe filozofike sepse në fund të fundit perceptimi më i kthjellët literalisht për ‘të, është dashuria për urtësinë. Jo më kot, i famshmi Heidergjer thotë se filozofia kërkon vëmendjen tonë, pëshpërit emrat tanë, na thërret të dalim prej vetes dhe të përballemi me vetë qenien.

Elitarizmit shpirtëror ekzoterik të klerikëve bektashinj të shfaqur jo rrallë në udhëtimin 25 vjeçar të “Urtësisë” është e pashmangshme t’i shkëputësh befasimet e këndshme, të ardhura prej studimeve apo poetëve me origjinë bektashiane, por që arritën me artin e tyre lartësitë e epërme të letrave shqipe. Nder dhe respekt të veçantë për Dritëro Agollin, Xhevahir Spahiun, Ali Aliun, Moikom Zeqon, Ali Podrimen, Sadik Bejkon, Musa Vyshkën etj, të cilët i falën revistës sonë momente arti për t’u shpërblyer me vite bekimesh. Së fundmi, pa dashur të shënoj një hierarki vlerash përshëndes edhe paraardhësit e mijë, Hysen Ibrahimin përtej qiejve dhe Kujtim Ahmatajn përtej oqeanit në SHBA, jo për t’i nxjerrë sot nga muzeu i vetëdijes sonë, por ti kujtoj se mbeten gurë themeli në ngrehinën shpirtërore që na ka mbledhur sot, në këtë sallë. Një respekt i veçantë i dedikohet sot baba Mondit, sugjerimet e të cilit për “Urtësinë” i dëgjojmë me shumë vëmendje. E para sepse ka vizionin e Kryegjyshit. E dyta sepse është djali biologjik i kryeredaktorit të parë Hysen Ibrahimit.”

Revista “Urtësia” është vazhduese e traditës së teologëve dhe poetëve të mëdhenj të Rilindjes që nga Naim Frashëri, Baba Ali Tomori me gazetën “Reforma”, deri tek Musine Kokalari. Në 130 numrat e saj, revista i ka përcjellë lexuesit qëndresën dhe triumfin e besimit bektashian..”

 

3. Presidenti Ilir Meta vlerëson “Urtësia” me Titullin “Naim Frashëri”

Presidenti i Republikës Ilir Meta duke përshëndetur veprimtarinë kushtuar 25-vjetorit të Revistës “Urtësia”, çmoi rolin dhe kontributin e revistës bektashiane me Titullin “Naim Frashëri”. Presidenti Meta, gjatë fjalës së tij përshëndetëse, ndër të tjera tha: “Kjo revistë është tashmë zëri, forumi dhe shpirti i vërtetë i aktivitetit të Kryegjyshatës dhe bashkësisë tuaj të nderuar. Botuesit e respektuar të kësaj reviste, nën drejtimin e Kryegjyshit Botëror i kanë ofruar publikut me shkrimet e tyre cilësitë më të mira të bektashianëve si atdhedashurinë, mistikën e hollë dhe harmoninë me besimet e tjera fetare.”

4. Fituesit e Çmimeve letrare e publicistike të konkursit për 25-vjetorin e revistës “Urtësia”

Drejtori i gazetës “Telegraf”, njëkohësisht kryetar i shoqatës “Tomorri” dhe kryetar i jurisë së çmimeve vjetore të revistës ‘Urtësia’, Ëngjëll Musai, shpalli këta fitues në gjini të ndryshme, duke u dhënë certifikatat përkatëse dhe vlerat monetare për çmimin e fituar:

  • Sinan Elmazi, fitues i Çmimit të Parë për ciklin me poezi
  • Nevila Nallbani, fituese e Çmimit të Parë në prozë
  • Gëzim Loka, fitues i Çmimit të Parë në prozë
  • Ejona Picari, fituese e Çmimit të Dytë për studimin “Dituria, si vlerë esenciale e bektashizmit”
  • Hyqmet Hasko, fitues i Çmimit të Dytë për ciklin me poezi
  • Blerina Hazizi, fituese e Çmimit të Dytë në prozë
  • Ferit Fixha, fitues i Çmimit të Dytë për ciklin me poezi
  • Enea Muhameti, fitues i Çmimit të Parë për studimin “Roli historik i bektashizmit për dashurinë dhe paqen universale”