Ëngjëll Musai: Gëzuar ditëlindjen, “Mjeshtri i Madh”, Bashkim Hoxha!

833
Sigal

Bashkim Hoxha, “Mjeshtri i Madh” që më zërin e ëmbël dhe të qetë zgjon miliona shqiptarë brenda vendit dhe kudo në botë

Çdo mëngjes prej 22 vitesh: Mbi 112 mijë herë “Alo Bashkim”! 8000 ditë të komunikimit telefonik me qytetarët, të cilët denoncojnë abuzimet, padrejtësitë e shpërfilljen shtetërore dhe kërkojnë ndihmë prej tij

Nesër është 2 shkurti! Dita e lindjes së mikut të të shqiptarëve kudo në botë, Bashkim Hoxha. Sa herë që kjo datë bën rrotullimin e vet kalendarik, mua personalisht, miqve të Bashkimit, artistëve, kineastëve, artdashësve, lexuesve dhe të gjithë dëgjuesve të emisionit “Koha për t’u zgjuar” na buron nga shpirti një urim i madh dhe i kristaltë: Gëzuar ditën e lindjes miku ynë i shenjtë dhe ikona e kulturës kombëtare Bashkim Hoxha! Lumturi për Ju dhe familjen tuaj miku ynë i rrallë, gëzime paçi ngaherë dhe, mbi të gjitha, shëndet dhe mendje të kthjellët në misionin tuaj të veçantë dhe unik në fushën e artit, letërsisë dhe kulturës.

Më ka rënë rasti që në përvjetorët e ditëlindjes së mikut të shqiptarëve, Bashkim Hoxha të shkruaj disa radhë modeste për një njeri të madh, lartësinë e të cilit e vlerëson audienca fantastike dhe e pakonkurrueshme e mëngjesit. E nisja urimin për të parin ideator dhe drejtues të emisionit “Koha për t’u zgjuar” duke theksuar se shqiptarët nuk kanë nevojë për zile, sepse zgjimin ua bën Bashkimi. Madje një pjesë e mirë e qytetarëve, falë edhe ndarjes së re administrative, e kanë huazuar këtë shprehje dhe fermerët, banorët e fshatrave që tashmë janë bërë që të gjithë qytetarë deklarojnë: Dikur në fshat zgjimin na e bënte “Gjeli”, tani zgjimin ashtu si qytetit na i bën Bashkim Hoxha. Kjo përtej nuancës artistike tregon se emisioni i Bashkim Hoxhës është shtrirë në çdo shtëpi, në çdo aparat televiziv, si në qytet ashtu edhe në fshat. Si brenda vendit, ashtu edhe në cep të rruzullit tokësor ku banojnë dhe jetojnë shqiptarët.

 

“Alo Bashkim”, u ideua në mbrëmjen e 20 marsit 1997 në Durrës, në një dhomë të vogël që më shumë i ngjante një kioske

Emisioni “Koha për t’u zgjuar”, u ideua në mbrëmjen e datës 21 mars 1997, në marsin e tërbimit të shqiptarëve të ngritur në rebelim “anti-shtet” për shkak të humbjes së lekëve në firmat piramidale. U ideua në mbrëmjen marsit, së bashku me mjeshtrin e fotografisë dhe të kamerës Gëzim Domin. Nisi në atë mars të tmerrshëm, kur nuk shkoje dot as për të blerë bukë, as ilaçe në farmaci, as në spitale, pale në shkolla jo e jo.

Dhe atë që nuk bënin dot qytetarët e bëri gazetari Bashkim Hoxha. Ai nuk mendoi të shante errësirën por sipas shprehjes së “Nënë Terezës” guxoi të ndizte një qiri dhe të niste publikisht, komunikimin me qytetarët, nga ekrani i “TV-Teuta”. I pyetur vite më parë për këtë situatë por edhe të fillim-nisjes së këtij emisioni, Bashkim Hoxha ka deklaruar: “Koha për t’u zgjuar”, ka nisur rrugëtimin e tij në qytetin e Durrësit, brenda një kioske të vogël, ndërkohë që jashtë “kioskë-studios televizive”, bëhej luftë pa asnjë kuptim, ndërkohë që shkollat ishin mbyllur, mediat ishin bllokuar me urdhër qeverie, kudo shikoje turma e njerëz që edhe në kafene dhe në spital futeshin të armatosur, që zyrtarët çoheshin në punë me autoblinda! Ishte një televizion dhe emision që nisi si një mendim, ide, dëshirë dhe vullnet rastësor që vazhdon edhe sot, në 2019-ën. Në datën 13 mars 1997, sipas Bashkim Hoxhës, së bashku me kameramanin Gëzim Domi, me një antenë të sajuar me ndihmën e miqve dhe dashamirësve, ai nisi sinjalin e parë të transmetimit nën logon “TV-Teuta”. Ndërsa vetëm 7 ditë më pas, në mbrëmjen e datës 20 mars 1997, që është fiksuar edhe si data e “lindjes” së emisionit “Koha për t’u zgjuar”, nisi ky emision, që sot mbush 22 vjet pa u ndalur qysh prej mëngjesit të datës 21 mars 1997! Ndaj dhe Bashkim Hoxha feston dy ditëlindje atë të 2 shkurtit dhe të 21 marsit, të cilat janë në simbiozë të plotë me njëra tjetrën duke i dhënë kuptimin jetësor dhe profesional.

“Koha për t’u zgjuar”, e “Mjeshtrit të Madh” Bashkim Hoxha zgjon miliona shqiptarë

“Koha për t’u zgjuar” i tregon të gjithëve, se ora 7:00 e mëngjesit, mban brenda ilaçin dhe shpresën, që u duhet njerëzve për të shëruar pasigurinë dhe për të gjetur fillin e shpresës. Telefonuesit e fillojnë bisedën me urimin për njeriun që shëron zemrat e njerëzve të thjesht, për dritaren dhe zërin e së vërtetës që përhapet si altoparlant i fuqishëm për veshët e administratës dhe shtetarëve që qytetarin e shikojnë si një qenie që u duhet vetëm për ditën e votimit. Ndërsa Bashkimi është zëri i qytetarëve, i halleve të përditshme por edhe i gëzimeve. Disa thonë, se duke mos qenë mjek, ai është kthyer në një psikolog që i bën psikoterapi shoqërisë shqiptare, por në thelb Bashkim Hoxha është më tepër se kaq. Ai është një pjesëtar i familjeve tona, një mik a një i afërt, që çdo mëngjes shkon tek ekrani dhe telefoni, për të dëgjuar dhe përcjellë hallin e secilit që telefonon.

Profili

  • Shkrimtar, skenarist, gazetar. moderator, drejtues Institucioni Kulture
  • U lind: Më 2 Shkurt 1954

Shkollimi:

  • Universiteti i Tiranës, dega Gazetari
  • Kualifikime
  • Specializim në Universitetin e Londrës, në programin: “Për një gazetari të re”
  • Specializim në SHBA, në programin: “Media, në një sistem të ri”.

Vlerësime 

  • Titulli “Qytetar Nderi i Durrësit”
  • Çmimi “Aleksandër Moisiu”, për dramën më të mirë “Unë dhe Mefistofeli”, viti 1988
  • Çmim për “Këngë dashurie me korba”, viti 1996
  • Çmimin e Parë, në konkursin e dramës shqipe “Katarina Josipi”, që zhvillohet në Kosovë, me dramën: “Askushi”, mars 2016
  • Çmimin “Romani më i mirë” në Panairin e Librit në Fier, me veprën: “Gruaja e shiut”, viti 2016
  • Titulli “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës, viti 2010

Pozicion pune, aktual

  • Drejtor i Teatrit “Aleksandër Moisiu”-Durrës
  • Prej 20 marsit 1997, krijues dhe moderator i emisionit “ Koha për t’u zgjuar”

Krijimtaria e Bashkim Hoxhës

Skenarë filmash

  1. NË ÇDO STINË
  2. NJË VONESË E VOGËL
  3. PLUMBA PERANDORIT
  4. ZEMRA QË NUK PLAKEN
  5. KRONIKË E NJË NATE

Pjesë teatrale

  1. VËRSHIME PRANVERORE
  2. UNË DHE MEFISTOFELI
  3. KËNGË DASHURIE ME KORBA
  4. HERONJTË E VIAGRËS
  5. NE TË GJITHË KËNDUAM MARGARITËN
  6. UDHËTIMI PA VIZË I NJË ALIENI
  7. ASKUSHI
  8. KËNGË DASHURIE ME KORBA
  9. TAG

Vepra në prozë

  1. NJË LOLO DHE NJË MBRET
  2. NJERIU TJETËR
  3. GROUND ZERO
  4. HOTEL BALLKAN
  5. MOT I KEQ PËR DASHURI
  6. LAKURIQ
  7. MBRETI I VESËS
  8. SAKRIFICA
  9. ROMANCË NË DITËN E KRIMIT
  10. HERONJTË E VIAGRËS
  11. HISTORI ME NJERËZ DHE KAFSHË
  12. MISSING
  13. NJË DITË SI SKËNDERBEU
  14. KRONIKAT E MJEGULLËS