“Morali dhe hipokrizia që e shoqëron…?!”

4109
Sigal

Evdal Nuri

Njerëzit janë: “Si paraqiten? Si flasin? Apo si veprojnë?” Të tria janë pjesë e karakterit të tyre, por në përputhje me situatat, ato zëvendësojnë e plotësojnë njëra-tjetrën! Kjo, më e theksuar në politikë!

1-Moral është tërësia e parimeve, normave, rregullave, që përcaktojnë sjelljen e njeriut në shoqëri.

Natyra e njeriut është e lindur dhe e përcaktuar nga kodi gjenetik, kurse morali formohet në shoqëri. Njeriu s’lind as i mirë e as i keq. As revolucionar e as kundërrevolucionar. Shoqëria ndikon për mirë ose për keq në formimin e tij. Njerëzit duan më të mirën nga jeta, kurse jeta tek ne ofron më të keqen. Formula është e qartë dhe s’ka nevojë për komente të mëtejshme. Shih dhe flit!

Historia na tregon, se asnjë shoqëri nuk ka qëndruar në kë­mbë me anë të imoralitetit

Nuk ka dyshim se popujt që kanë mundur të mbeten për një kohë të gjatë në këmbë pa u rrëzuar nga historia, janë ata që kanë respektuar vlerat morale! Shëmbulli qartë është populli ynë, por për merritë të të parëve tanë. Aktualisht është e vështirë të jetohet në një vend ku nuk vlerësohen vlerat, ku drejtojnë njerëz të pashkolluar, me moral të cunguar, ku skandali i lë vendin skandalit! Në një vend ku nuk përmbushen nevojat më elementare, puna, buka, uji, qetësia. Kur disa e kuptojnë si humbje kohe, kur flitet për moralin! Morali është diçka që nuk blihet, e as shitet, por formohet në ambentin ku ne jetojmë.

Morali ka lidhe me respektin e vetvetes

Respekti i vetvetes është edhe respekti i tjerëve. Respekti i jetës është edhe pranimi i gjitha gjërave që arrijmë sido që të jenë ato.

E lidhur me moralin është dhe miqësia

Ajo rrjedh nga shumë burime, por ajo më e pastra rrjedh nga respekti. Respekti i jetës është qëllimi kryesor për secilin nga ne. Pa moral nuk ka baza për familjen dhe shoqërinë! Morali është urdhri i brendshëm për të vepruar ose mosvepruar në një ose tjetër mënyrë, për t’u sjellë kështu ose ashtu në përputhje me moralin e kohës. Morali urdhëron të mirën ndërsa ndalon të keqën. Kërkon të sillemi në mënyrë të njerëzishme e të mos i lejojmë vetes sjellje të panjerëzishme, si ndodh tek ne shpesh!

2-Karakteri i moralit

Morali është produkt shoqëror dhe ka karakter historik

 Morali është një tërësi rregullash të vendosura në një shoqëri me qëllim që të ruajnë ekuilibrat e bashkëjetesës ndërmjet njerëzve. Shumica nga këto janë të detyruara e zbatohen me forcën e ligjit.

Morali ka dhe karakter klasor

Rregullat e moralit ndryshojnë nga shoqëria në shoqëri. Diçka që është e moralshme për një grup shoqëror mund të jetë e pamoralshme për një tjetër. Fjala vjen. Në diktaturë s’ishte e moralshme të merrej më aktivitet privat. “Prona private. thuhej sjell çdo ditë rrezikun e kapitalizmit!” Në demokraci kjo është mëse e moralëshme. Ose dënohej kush bënte prapagandë fetare. E kundërta ndodh tani! Pra çdo klasë që merr pushtetin, krijon moralin, duke u përpjekur t’ia edukojë apo imponojë shoqërisë! Morali formohet nga kushtet sociale- ekonomoke. Më i pastër është ai që formohet nga respekti. Politikanët janë njerëzit më defekte në shoqërinë shqiptare, për shkak se i afrohen popullit njëherë në katër vjet, duke paraqitur një moral të shtirur. Hallin e kanë sa të marrin vota, pastaj bëjnë korrupsion, të përjashtojnë nga puna, të bëjnë një mijë presione në emër të një morali të shtirur e të paraqiten me një fytyrë hipokrite ndryshe nga ajo që ke parë! Në nivel personal morali është pjesë e karakterit që formohet kryesisht nga familja e pastaj në ambientin dhe rrethin ekonomik e shoqëror në të cilin jeton.

3- Llojet e moralit

Moral e kemi të brendëshëm dhe i jashtëmNdërgjegjja morale

Brejtja e ndërgjegjes është aq e madhe sa më i formuar moralisht të jetë individi e sa më të lartë ta ketë nivelin kulturor! Kjo shprehet me respektin e njeriut, pavarësisht se kush është, posti, seksi, pasuria, interesi që ke, duke mos denigruar në fjalor! Kjo duhet të jetë kryesorja, por fatkeqësisht tek ne mbetet e fundit. Akuzat reciproke i kalojnë normat morale e i bëjnë këtë njërëz të pamoralshëm!

Morali i detyrës

Ky është i lidhur me disiplinën në punë, por dhe me ndërgjegjen për ta zbatuar atë. Zbatimi me përpikmëri i saj është i lidhur me kushte ekonomiko- sociale e me formimin e ndërgjegjen morale.

Morali i interesit

Këtu del në pah fytyra e dytë e njeriut. Sjellja është në kundërshtim me formimin e tij. Ia do puna e interesi të respektojë një drejtues, mbasi ai të mban në punë. Ke respekt për një pushtetar se ai të bën të mirën, por dhe të keqen. Një Pr. Dr. i nderuar në pension shpesh përsërit: “’Kur isha gjallë’, më ndiqnin nga pas, kurse tani më largohen! Tani s’ma varr njeri, mbase s’kanë interes! “Mbaron interesi, merr fund e respekti. Kështu jemi formuar, por s’është aspak e drejtë! E morali është ajo që unë besoj se është mirë dhe imoraliteti është ajo që unë s’pranoj të bëj. Jemi në prag zgjedhjesh! Tani hipokrizia do marrë dhenë. Premtime pa fund ! Shembujjt janë pa mbarim. M’u kujtua që në vitin 2013 në fushatë, disa herë Kryeministri theksoi dhe premtoi: “Ne jemi të dytët në Evropë, pas Norvegjisë për burimet hidrike”. Do të keni 24 orë ujë! E keqja është se nuk administrohet! Ikën katër vitet e para. Po ikin dhe dy të tjerë e ky problem s’është zgjidhur! Këtu s’mund të bëhet fjalë për një ndërgjegjie morale. Mendoje mirë para se të thuash diçka, por po e premtove, duhet ta realizosh, ndrysh, bëhesh i pabesueshëm pë më vonë!

A është morali i lidhur me filozofinë politike?

Filozofia politike studion qeverisjen dhe marrëdhëniet mes individëve dhe komuniteteve me shtetin. Ajo përfshin pyetjet mbi drejtësinë, të mirën, ligjin, pronën, dhe të drejtat dhe obligimet qytetare, të cilat janë shkruar, por që tek ne nuk zbatohen, mbase kanë lidhje me atë që theksuam më lart, me moralin e interesit. Fjalori që dëgjojmë shpesh nga politikanët tanë, do ta kishte zili cilido rrugaç! Nuk e di, ky falor është pjesë e moralit të ndjenjës, detyrës, interesit apo imoralitetit?! Gjatë gjithë kësaj kohe është harruar morali i ndjenjës së detyrës, aq shumë i domosdoshëm për një njeri të thjeshtë, e jo më për një deputet, që në një farë mënyre, rregullon ose frenon jetën e të tjerëve. Jemi të varfër, të lodhur të raskapitur e të çoroditur nga kjo politikë 28-vjeçare, konfliktuale pa “bereqet”! E krahas këtyre problemeve, shqetësohemi edhe nga fjalori i papranueshëm, imoraliteti e hipokrizia që shohim e dëgjojmë çdo ditë e që na bën me dhimbje koke! Zoti e di s’i do vejë halli…?! Në këtë politikë të acaruar e konfliktuale, asgjë s’mund të parashikohet…! Gjithë jetën na kanë sunduar e drejtuar njërëz jo për mirë! Në fund harxhet i paguajmë ne!