Sociologët dhe psikiatrit paralajmërojnë tronditje në familje dhe probleme në shëndetin mendor

870
Sigal

Vepror Hasani

Lojërat e fatit, çrregullime psikologjike te frekuentuesit

Pak kohë më parë në qytetin e Korçës u mbyllën 176 lojëra fati. Kjo gjë u prit mirë nga banorët e këtij qyteti. Por, sipas sociologëve dhe mjekëve psikiatër, tashmë fillon një fazë tjetër, mjaft e vështirë për t’u trajtuar, pasi pritet që frekuentuesit e lojërave të fillojnë të shfaqin shenjat e varësisë, ashtu sikurse ndodh edhe me përdoruesit e lëndëve narkotike. Frekuentuesit e lojërave të fatit do të përballem me probleme psikologjike, sociale, ekonomike etj. Është e pritshme gjithashtu që prej tyre të ketë edhe nga ata që do të tentojnë të kryejnë vepra penale si vjedhje, sigurim të hollash nëpërmjet mashtrimit, Marrëdhënie të përkeqësuar në familje e deri te zgjidhja martesës për shkak të mosmarrëveshjeve që mund të lindin etj. Madje është po kaq e mundshme që këta persona të bëhen “pre” e alkoolit apo e lëndëve narkotike, sikurse do të ketë edhe nga ata që do të tentojnë të organizojnë lojëra bixhozi në fshehtësi, të cilat, nëse nuk zbulohen në kohë nga organet përkatëse, mes kumarxhinjve mund të ndodhin dhe akte kriminale; rrahje, plagosje apo më shumë se kaq. Ndaj, tashmë, pas mbylljes së pikave të basteve, kazinove etj, kërkohet të ketë më shumë vëmendje ndaj personave vartës të lojërave dhe ndihmë të kualifikuar ndaj tyre, pasi do t’u duhet të përballen me probleme të shëndetit mendor. Si fazë të parë, ata do të gjejnë ngushëllim te lojërat online të internetit, madje dhe në ato lojëra që ofrohen si argëtim, vetëm e vetëm që të përmbushin ritualin e tyre. Pra, nga sa shihet, kapërcimi i vartësisë nga lojërat e fatit, nuk do të jetë i lehtë. Paralajmërimi për çfarë mund të ndodhte me personat vartës të lojërave të fatit dhe familjet e tyre u bë prezent nëpërmjet TV- Korça nga mjekja psikiatre Nikolina Bode dhe pedagogia e Universitetit “Fan Noli”, prof. as. dr. Irena Nikaj.

Lulëzimi i lojërave të fatit

Lojërat e fatit u shfaqën që nga koha e ndërrimit të sistemeve, por ato lulëzuan veçanërisht gjatë viteve 2013-2018. Këto lloj shërbimesh i gjeje në çdo rrugë dhe lagje. Ngado që të hidhje vështrimin, përplaseshe me to. Vetëm në Korçë kishte 176 të tilla, ku çdonjëra prej tyre kishte klientelën e vet. Sa ishte numri total i frekuentuesve të lojrave të fatit nuk dihet, mendohet të ketë qenë i madh, pasi mundësia për një vend pune ishte e kufizuar. Sipas mjekëve të shërbimit psikiatrik të qytetit të Korçës, lojërat e fatit frekuentoheshin kryesisht nga grupmoshat 25-35-45 vjeç, pra, bëhet fjalë për atë kategori personash që nuk gjenin dot një vend pune, por për të mbajtur familjen detyroheshin t’u drejtoheshin lojërave të fatit, ku vetëm pasi ke humbur shumë herë, ndodh të fitosh një herë. Humbjet e herëpashershme shkaktonin tek ata probleme të shëndetit mendor, të cilat nëse nuk kurohen në kohë, lënë pasoja. Të tillë janë frekuentuesit e lojërave të fatit, përballen me probleme psikologjike. Por jo vetëm kaq, pjesë e lojërave të fatit u bënë edhe adoleshentët, veçanërisht ata që vinin nga familje të pasura, ku prindërit u ofrojnë të holla, pa i pyetur si i shpenzojnë. Këta të fundit tërhiqnin moshatarë të tyre, që edhe kur kishin ndonjë qindarkë në xhep, ta provonin fatin te pikat e basteve. Frekuentuesë të lojërave të fatit kanë qenë edhe femrat. Pra, ishin të shumtë ata që rrezikonin.

Shqetësimet psikologjike dhe organike

Shqetësimet e personave të varur nga lojërat e fatit janë të shumta, psikologjike dhe organike: vuajnë nga çrregullime të ankthit e të humorit depresiv, nga çrregullime bipolare depresive dhe maniakale e probleme të tjera, të cilat me kalimin e kohës thellohen më tepër. Të përkushtuar frikshëm ndaj lojërave të fatit, veçohen gjithnjë e më shumë nga shoqëria. Truri i tyre punon vetëm për humbje dhe fitore. Kjo gjë i izolon nga shoqëria: shkakton tek ata irritim, pagjumësi, nervozitet, konflikte etj. Për më tepër, jo të gjithë u drejtohen shërbimeve spitalore për të marrë ndihmën e specializuar, ndaj gjendja e tyre vjen duke u agravuar. Kur mbërrijë në këtë stad, nuk ka gjë tjetër që mund t’i përmbushë ata, përveç përjetimit të fitores së mundshme. Këtë aktivitet ata e nisin me shuma të vogla, ndërsa me kalimin e kohës, hedhin në lojë shuma të mëdha, madje janë të gatshëm të shesin gjithçka që kanë në shtëpinë e tyre. Nuk heqin dorë asnjëherë, pasi jetojnë me shpresën se një ditë do ta shohin veten milionerë. 

Tronditja e familjes

Për shkak të numrit të madh të lojërave të fatit që ekzistonin dhe numrit të madh të frekuentuesve, pritet që të ketë edhe tronditje të familjeve. Konfliktet do të jenë të pashmangshme me prindërit, bashkëshortet apo edhe me fëmijët. Do të ketë edhe nga ata që do të shkojnë drejt zgjidhjes së martesës. Nga kjo gjendje mund të dalin me vullnetin e tyre vetëm ata që kanë logjikën dhe kritikën e duhur për të kërkuar ndihmën e mjekut, e cila u ofrohet sipas problemit që ata kanë, qoftë i thjeshtë apo kompleks.