Bujar Qesja: Gjergj Vlashi 91 vjeç, jetë të gjatë mënçuria dhe simboli i qytetarisë durrsake

923
Sigal

Nga Bujar Qesja

Një ditë fatlume kjo, për komunitetin autokton durrsak. Njëri nga përfaqësuesit më në zë, mbase numuri një, i artit, kulturës dhe i çivilizimit të mirfilltë durrsak Xhoxh Vlashi, mbush plot 91 vjeç.

Është fat dhe shans i jashtëzakonshëm, që këtë ikonë, këtë simbol, këtë personifikim të kulturës dhe urtësisë durrsake, e kemi të gjallë, dinamik dhe vital në mes nesh. Është i pranishëm, në të gjitha evenimentet që kryhen në Durrës. Njëlloj si më parë: i qetë, i ëmbël, me një humor ekselencë, me një bujari origjinale, me një fisnikëri të lindur, me një komunikim prej një qytetari progresist, duke rrezatuar një mirësi, që na bën nder të gjithëve dhe duket sikur na thotë:

-Ta mbajmë të gjallë traditën tonë të shkëlqyer në art dhe kulturë, në qytetari dhe qytetërim, në tolerancë dhe mirkuptim, për të treguar që jemi autoktonë të denjë të një qyteti 3500 vjeçarë. Të trashëgojmë në breza vlerat tona, pasi durrsakët gjithnjë kanë qenë dhe pse jo mbeten, një popull paqësor, i qetë, punëtor, apolitik, zanatçij klasi, duke parë secili punën e tij, e mos i rënë në qafë kërkujt dhe askujt.

Mesazhi yt Gjergj Vlashi, Gjergji ynë i përjetshëm, është fuqiplotë dhe ndjellamirë për komunitetin durrsak, nga më të mirin në Shqipëri. Sapo vij nga një drekë përkujtimore, me rastin e 1 vjetorit të largimit nga jeta, të një tjetër kolosi të Durrësit, i të famshmit Rruf Kazazi. I njëjti mesazh si në rastin e lindjes tënde, i nderuar dhe i dashur Gjergj Vlashi. Të jemi së bashku dhe të bashkëpunojmë njëri me tjetrin, pavarësisht nga krijimi i konflikteve të panevojshme politike. Kështu ishin prindërit tanë. Kështu na takon të jemi edhe ne. Kështu i takon të jenë edhe pasardhësit tanë.

Të falenderoj shumë Gjergj Vlashi, për këto mesazhe që i jep Durrësit dhe durrsakëve, nëpërmjet jetës tënde krijuese dhe qytetare. I madh dhe i vogël duhet të të jemi mirnjohës për këtë. Ne mburremi me ty, Gjergji ynë mëndjendritur. Me punën, shembullin, veprimtarinë dhe penën tënde, ti na mëson se cila gjë vlen që ti përkushtohemi, me fuqinë e mëndjes dhe të fizikut tonë.

Gëzuar ditën e shenjtë të lindjes! Se ç’më duket, si ditë festive për të gjithë Durrësin, pasi jeta, puna dhe aktiviteti yt i takon Durrësit, na takon ne të gjthëve, duke na ngritur kryet, e mburrur me këtë. Dhe duket se kam të drejtë. E kundërta s’ka gjasa të gjej terren.

Si ithtar i bindur i kësaj pune gjigande, e kam për detyrë qytetare, familjare dhe personale, të të uroj i dashur dhe i nderuar kolos i mënçurisë durrsake Gjergj Vlashi, jetë të gjatë dhe sa më shumë vite pranë nesh, për të na dhënë shansin, që e mira më e madhe e jonë është ende aktive si më parë.