Sigal

-Në vigjilje të Vitit 2019

-Iku edhe një vit i trishtë, miku im në metropol! Po a u pakësuan të papunët që u hanë duart nëpër ura e udhëkryqe, që nga Bërryli, te këmbët e Partizanit të Panjohur dhe gjer te hyrja dritëverbuese me a pa shqiponjën e “balsamosur” në ekstazë te porta kryeqytetas? Minisheshet “Omonia”, janë shtuar a pakësuar?…Sa herë kaloj rreth këtyre strehëve pikëllimtare e dhembjeshumë, e di ti se si më duken ata hallexhinj me hallet sa një mal? Nëpër qafat e tyre rraskapitëse sikur shoh gurë mulliri të varur. Se paraja me djersë kështu është bërë sot, gur e shkuar gurit! Ata nuk ulen kurrsesi këmbëkryq, të shtrijnë duart a të lypin ca qindarka lypsarësh. Jo, ore babam, jo! Ata lypin vetëm Punë… Gjithë ditët e perëndisë, kështu. i presin fëmijët e uritur. Shpesh lutjet e tyre zëdridhura treten nën boret e fuoristradave që vrapojnë për shtatë palë qejfe. Sidomos ato që dalin si qenër të tërbuar nga zinxhiri nëpër vilat me garazhe. Dhe zotërinjtë, zonjat a zonjushat në timon, gogësijnë e nuk begenisin të hedhin as sytë mbi njeriun e varfërisë së ndershme. Kjo tablo e hirtë shfaqet përditë. Ndërsa unë flas me veten dhe mërmëris vargjet e mikut tonë të përbashkët që sot nuk reciton dot, ato të poetit të madh skraparli. Dhe pyetjet e tij vetëtimë te “Monologu i të papunëve”:

“ Nëpër udhët e botës

miliona të papunë;

miliona gojë riprodhojnë

një monolog të pafund:

 “Ç’të hamë ?

 Qiellin ?

Qielli është bërë bajat,

s’shpohet dot as prej plumbit,

si një bukë e gatuar

tej epokës së gurit.

Ç’të hamë?

 Drurët?

Ju i sharruat,

 ju i shkrumbuat gjithë drurët me radhë,

bile edhe ata të palosurit

në prehistorinë e largët.

Ç’të hamë ?

 Kafshët?

 Kafshët i bloi e shoi të gjitha,

 të gjitha mokra e stomakut tuaj…”.

Janë thënë në një pragviti të Ri. Jo sot, por në fundrrokullimën e fundviteve ’80 të shekullit që shkoi! Sapo do çapitej ky tranzicion i pafund e plagëhapur. Ishte koha kur do të shpërthente arratia me përmasa biblike e bijve të Shqipërizës sonë hallemadhe. Ikën nga sytë këmbët maleve, nëpër dete e oqeane. Për bukën e gojës! Jo pak lanë rininë dhe jetët e tyre të nxirosura. Me shumë shpresa e ëndërrime për të uruarën Demokraci! Lanë baballarët e nënat qyqe, kërcure, leshralëshuar nëpër pragje e sofate portash të lara në lot. Mjaft prej tyre u thinjën e u rreshkën brenda një nate! Kuje që përcillte mandatat zezonë nga deti e toka… Gjyshërve të hirosur herët po u çahet zemra për nipat e mbesat memece përballë shqipes, po u piqet buza nga zjarri i pashuar i mallit. Mos e provoftë as hasmi ! Ikën gati 3 dekada. Por arratia vazhdon pa këmborë e zile, bashkë me papunësinë e hajdutërinë. Po ikën lulja e vendit ! Punëtorë e të shkolluar. “ E zeza, e mjera djemooo !”,-do derdhte rënkimin shushamë një mandilezezë Labërie. Bluajnë veten dhe të tjerët. Përmes varfërisë shpirtërore e materiale. Qeveritë vijnë e shkojnë, me daulle e gërnetë! “Me sa duket, në Shqipëri një ditë do të mbeten vetëm pushtetarët…”. Cili gjerman jo dosido e plasi publikisht ditët e fundit? Statistikat e frikshme nga Evropa, të këpusin krahët e gjunjët (a i dëgjuat shifrat ulërimë për qindra fëmijë shqiptarë të braktisur në mëshirën e fatit, të hedhur në rrugë?!). Politikanët tanë heshtin a përtypen nëpër ishujt e tyre të rehatisë poste-marrëse e të favoreve krejt të pamerituara. Edhe kur bëjnë sikur përgjërohen për fukarenjtë, belbëzojnë tamam si nga maja e Dajtit dhe shumë larg realitetit tronditës e tepër akuzues. Njerëzit e thjeshtë ngrenë supet, irritohen e pyesin drejtpërdrejt : Po kjo klasë politike e Tranzicionit rrumpallë e gërdallë, po familjet, soji e sorollopi i tyre, a i provuan ndonjëherë në kurriz këto arratira bubullimë? Apo vetëm pinjollët e tyre të kamur që studiojnë nëpër universitete të shtrenjta perëndimore me rrogat shtetërore të prindërve pushtetarë që thajnë barkun e shtrëngojnë rripin?!…Gënjyen sa e si deshën elektoratin. Të majtë e të djathtë. Të rinj e të vjetër. Shqip, vodhën sa e si deshën nga xhepat e shpuar të Vegjëlisë. U ngopën e u velën pa hesap. Ngritën vila e pallate me rroga borderoje, jo me gurë dominoje! Dhe sot notojnë në luks të shfrenuar, pa djersë e mundime dhe i nxjerrin gjuhën Drejtësisë uloke. Ndërsa para kamerave e mikrofonave hapin digën e “lotëve” rrëke për fakirfukarenjtë që nuk dinë ku kanë kokën ! Dhe të nesërmen u lypin votën, i nanurisin me premtime lumë, u rrëmbejnë edhe çdo gram dinjiteti e personaliteti. Një hipokrizi e marrëzi në shkallën sipërore, që kërkojnë të ulin koka e kurriz të bërë shollë nga mjerimi. Gjoja i mbajnë gjallë me ca thërrime mashtruese e vezulluese. Lum’ kush të rrojë!

Shpirtkëputurit i gjen në ura e udhëkryqe pikëllimë, por edhe në trotuare bulevardi të pikuara me brilantinë, ashtu duarshtrirë e syfshehur si nën vetulla. Ngjitur me ta kalojnë me tërsëllimë fuoristrada fodulle zyrtare e private, të prodhuara taze. Me bokset që shpërndajnë dhunshëm hakërrima muzikore në kupë të qiellit. Madje ndonjë polic u ngre edhe pëllëmbën nderuese vetiu! Janë të mburrusurit me plëng e pasuri dhe llogari të pista bankare, janë kokëtulët që gjejnë shesh e bëjnë përshesh përballë shtetit “ligjor” indiferent dhe tallen me fatin e qytetarëve të ndershëm. Njerëz që besuan shumë te Drejtësia demokratike. Ndërsa për hajdutët e pasur me pushtet e pa pushtet, thonë se e ngrysin jetën “me një lepur në bark”! Të jetë plotësisht kështu? Apo Vegjëlia le të rrëkëllejë kujtime, ëndrra e premtime, urimet e liderëve kalanderë me shkrim a me gojë në ekrane, gazeta e portale…Sepse nuk drithërohet e përvëlohet vetëm shpirti i poetit rebel. Polit(h)ika hardalloset e noton qençe në detin me shkumë përgjëruese (kupto:mashtruese). Dhe vargu gjëmon e fshikullon. Për të varfër e zengjinë:

“ Për Doruntinën,

Konstandini i vdekur

e mbajti Fjalën e Dhënë.

Kush erdhi,

e shkeli me këmbë !…”.

Duke sosur këtë meditim ndoshta pakëz të sertë, në vigjilje të vitit 2019, një miku im intelektual mallakastriot trim e jo pa humor të kripur, më kujtoi një rrëfenjë që i thyen gjerdhet e anekdotës: “Një baba pasanik e dërgoi djalin e vet të bënte një udhëtim nëpër Shqipërinë rurale. Me objektivin një rrugë e dy punë: Të shihte si jetonin të varfrit dhe t’i shtohej mirënjohja për pasurinë e të atit. Thonë se qëndroi dy ditë e dy net te një familje. Kur u kthye, i ati e pyeti:

– Si shkoi udhëtimi, o bir ?

– Shumë mirë, baba.

– E pe si jetojnë të varfrit ? Çfarë mësove atje ?…

“-Pashë se ne kemi një qen, ndërsa ata kishin katër. Ne kemi një pishinë që shkon deri në fund të kopshtit tonë, ndërsa ata kishin një përrua që nuk i dihej fundi. Ne kemi në kopsht llamba të blera, ata kanë yjet gjatë natës. Oborri ynë është deri në kopshtin para shtëpisë, ndërsa ata kanë tërë horizontin. Ne jetojmë në një copë tokë, ndërsa ata kanë fusha të gjera. Ne kemi shërbëtorë që na shërbejnë, ndërsa ata u shërbejnë të tjerëve. Ne blejmë ushqimin tonë, ndërsa ata e rrisin vetë ushqimin e tyre. Ne e kemi tokën të rrethuar me mur që të jemi të mbrojtur, ndërsa ata kanë miq që i mbrojnë..(Babai mbeti pa fjalë). E mbylli djali:

-Faleminderit, baba, që më tregove sa të varfër jemi!”…