Akademik Anastas Angjeli: Dakordësitë dhe padakordësitë në Samitin e Vendeve të G-7

757
Sigal

Samiti i shtatë vendeve me ekonomitë më të mëdha të zhvilluara u mbajt për të 45-n herë gjatë kësaj fundjave në Biarritz të Francës. Para dhe pas Samitit nuk munguan analizat për çështjet kryesore që do të diskutoheshin në këtë Samit. Që nga fakti nëse Rusisë do t’i kthehej “Karrigia”e humbur në këtë Grupim që prej vitit 2014, për ta shndërruar G-7 përsëri në G-8 e deri te roli i Presidentëve TRUMP e MACRON në këtë Samit dhe padyshim çështjeve të rëndësishme që ishin në rend të ditës së këtij Samiti.

Pabarazia, çështjet gjinore dhe arsimi, ndryshimet klimaterike, siguria, tregtia dhe teknologjia digjitale ishin kryefjala e diskutimeve në nivel multilateral por edhe në takimet e shumta dypalëshe që liderët e vendeve të G7 si edhe të ftuarit e tjerë diskutuan gjatë ditëve të samitit.

Çdo samit i nivelit të tillë ka reflektuar dhe vazhdon të reflektojë dinamikat e sistemit ndërkombëtar, zhvillimet ekonomike politike dhe sociale, përplasjet, dobësitë, optimizmin, pesimizmin shpresën dhe vizionin për të ardhmen tone të përbashkët. Epoka në të cilën jetojmë është një epokë e një kompleksiteti dhe shumëllojshmërie zhvillimesh ndoshta të pakrahasueshme me periudhat e tjera historike. E gjithë kjo e forcuar edhe nga efekti amplifikues i zhvillimeve teknologjike e ka bërë botën tonë dhe marrëdhëniet tona (si në nivelin personal ashtu edhe në nivelin social) më të paqëndrueshme dhe më të paparashikueshme se kurrë. Dhe nga një dinamikë e tillë as samitet e ekonomive më të zhvilluara nuk mund të mbeten pa u ndikuar.

Në dallim nga vitet e kaluara dhe ndoshta duke marrë shkas pikërisht nga samiti i fundit, përfundimet e këtij takimi nuk u finalizuan me një deklaratë të përbashkët përfundimtare. Deklarata e përbashkët është kthyer në një traditë që në mënyrë simbolike transmeton ndjesinë e një dakordësie dhe vazhdimësie të politikave të përbashkëta që vendet e G 7 duhet të promovojnë dhe të ndjekin (pavarësisht se sa realisht materializohet përmbajtja e këtyre deklaratave në politika konkrete). Një deklaratë e tillë e përbashkët në përfundimin e Samitit në Biarritz mungoi. Kjo ndoshta dhe për shkak të kundërshtive dhe mosdakordësive në çështje të ndryshme.

Një gjë e tillë ndoshta duhej të ishte e parashikuar sepse edhe pritshmëritë nga ky samit ishin disi më të ulëta krahasuar me ato paraardhëse. Por, mungesa e një deklarate përfundimtare të përbashkët duket se ja la vendin deklaratave të veçanta të liderëve, të cilët në disa raste dhanë edhe lajme pozitive siç ishte deklarata e Presidentit Trump për arritjen e një marrëveshjeje tregtare në parim me Japoninë e cila pritet të konkretizohet në të ardhmen. Gjithashtu pozitive ishin edhe deklaratat e Presidentit amerikan në lidhje me qëllimin e tij për të vazhduar bisedimet me Kinën për arritjen e një marrëveshjeje me vlerë(dhe e shume pritur) për të dyja palët, marrëveshje e cila do ti jepte fund luftës tregtare ndërmjet dy ekonomive më të mëdha në botë. Një marrëveshje tregtare pritet të negociohet edhe ndërmjet SHBA dhe Mbretërisë së Bashkuar në muajt që do të pasojnë daljen e kësaj të fundit nga Bashkimi Evropian. Sidoqoftë për momentin kemi të bëjmë me vullnet pozitive dhe deklarata politike të cilat do të duan ende shumë përpjekje, mund dhe negociata për t’u finalizuar në marrëveshje konkrete.

Mbajtja këtë radhë larg vëmendjes dhe agjendës së bisedimeve shumëpalëshe e çështjeve jetësore për ekonominë globale, dhe duket se është një veprim diplomatik për të shmangur një mos sukses në arritjen e një gjuhe të përbashkët dhe dakordësie për to. Nga ana tjetër çështje të tilla si; ndryshimet klimaterike duket se me gjithë kundërshtitë e vëna re në vitet e fundit ndërmjet anëtarëve të G7 u duk se nuk mund të mbeteshin jashtë bisedimeve. Përkundrazi. Kjo edhe sepse zjarret në Amazonë vazhdojnë të shkrumbojnë mijëra hektarë pyll në ditë edhe sot pas përfundimit të Samitit. Liderët ranë dakord për një paketë ndihmash të menjëhershme për përballimin e krizës së zjarreve në Amazonë, e cila përmban si mjete financiare (një shumë prej 20 milionë dollarësh) ashtu edhe logjistike. Gjithashtu, planet për ndihmën afatmesme për Amazonën do të diskutohen në Asamblenë e Përgjithshme të OKB në shtator. Gjithashtu edhe një referencë për tregtinë e lirë dhe të hapur dhe për qëndrueshmërinë e ekonomisë globale nuk mungoi nga deklaratat e dhëna në fund të samitit. Siç ka ndodhur edhe në 2 samitet e mëparshme vihet në pah nevoja për përmirësimin e efektivitetit në lidhje me pronësinë intelektuale si dhe nevojën për lehtësimin e barrierave rregullatorë, me qëllim modernizimin e taksimit ndërkombëtar.

Një pikë tjetër ku liderët e G 7 duket se ishin në një qëndrim të përafërt ishte dhe çështja e Iranit dhe vendosmëria e tyre për mospajisjen e Iranit me armë bërthamore. Nevoja për shmangien e dhunës në Hong Kong dhe arritjen e paqes në Libi ishin disa pika të tjera ku u duk se liderët kishin qasje të ngjashme.

Megjithatë dakordësia për të mos rënë dakord duket se zuri vend të rëndësishëm në këtë Samit. Qëndrimet e ndryshme u vunë re në lidhje me strukturën që duhet të ketë në të ardhmen G7, a duhet të riftohet Federata Ruse të marrë pjesë apo jo, por edhe për çështje akoma më të rëndësishme siç është qëndrimi që vendet e G-7 duhet te mbajnë edhe ndaj së ardhmes së ekonomisë globale. Ajo çfarë mbetet pozitive nga ky samit është fakti se, qoftë edhe në momentin e fundit, qoftë edhe pa një deklaratë të përbashkët u duk se për çështje që me të vërtetë na prekin të gjithë siç është një fatkeqësi e tillë si ajo e Amazonës vullneti për t’u angazhuar bashkërisht ekziston. Edhe pse shpesh here është i vështirë për t’u materializuar ky vullnet ekziston. Një qasje e tillë duhet të mbizotërojë edhe për çështje të tjera me interes të përbashkët.

Pabarazia, çështjet gjinore dhe arsimi, ndryshimet klimaterike, siguria, tregtia dhe teknologjia digjitale ishin kryefjala e diskutimeve në nivel multilateral, por edhe në takimet e shumta dypalëshe që liderët e vendeve të G7 si edhe të ftuarit e tjerë diskutuan gjatë ditëve të Samitit