Thëllëza e ‘Portokallisë’: “Jam e kripur, e thartë dhe e ëmbël”

793
Sigal

Flet aktorja Rina Narazani, për 10 vitet e saj në skenën shqiptare

Ajo po mbush një dekadë në skenën e teatrit shqiptar, por gjithmonë çdo rol i duket sikur është hera e parë. Ka një kërkesë të çuditshme ndaj vetes dhe asnjëherë nuk kënaqet me çka ka arritur. Ka lindur në Elbasan, në qytetin e kulturës dhe dijes. Rina sot njihet me emrin  Thëllëza e “Portokallisë”, personazh shumë i pëlqyer nga publiku. Sipas saj, skena i jep forcë, por dhe sadisfaksion shpirtëror. Qëndron larg politikës  dhe kritikon tendencën e saj për t’u futur kudo.

Si e filloi Rina rrugën e aktrimit?

-Aktrimi më ka tërhequr që e vogël, por hapat e para drejt këtij profesioni i kam hedhur në moshën 19- vjeçare, kur dhe konkurrova për t’u futur në Akademinë e Arteve.

Patët shtysë apo ishte ndjesi e brendshme?

-Kam përshtypjen se aktrimi bënë pjesë te profesionet që nuk kërkojnë shtysë, ai ose ekziston brenda njeriut, ose jo.

Pedagogët dhe kërkesa e llogarisë nga ato?

-Mendoj se llogari mund t’i kërkohet një nxënësi, por kurrë një studenti, i cili vazhdon akademinë ose universitetin, me dëshirën e tij. Të paktën, ky ka qenë rasti im, gjatë studimeve të mija, e mbështetur nga profesorët e nderuar Birçe Hasko dhe Ibrahim Muçaj.

Mund të na veçoni disa nga rolet kryesore?

-Të gjithë personazhet që kam interpretuar, i kam dashur për veçoritë e tyre. Mes karaktereve të shumtë, që kam pasur fatin të interpretoj në skenën e teatrit “Skampa”, rolet që më kanë lënë mbresa më të thella dhe më kanë bërë të ndihem krenare janë Ludmilla, tek “Vasa Zhelesnova”, Maria tek “Kopshti me dallëndyshe”, Vanesa, tek “Shtëpia me rrota”.

Kush ka qenë roli më i vështirë?

-Pikërisht Vanesa, një femër viktimë e sistemit diktatorial, mendja dhe shpirti i së cilës nuk i rezistoi dot presioneve të asaj strukture.

Diçka për përvojën tuaj në “Portokalli”… ?

-Sezoni i parë shkoi më mirë, siç e prisja, dhe jam shumë e lumtur që fillova një ritëm pune, i cili jo vetëm më merr, por dhe më krijon energji dhe kënaqësi…

Dita më e vështirë e juaja në skenë?

-Kur kisha vajzën në spital dhe unë duhej të isha në skenë.

Po dita më e bukur?

-Shfaqja e diplomës, ku interpretoja bashkë me Erandin në “Kopshti me dallëndyshe”.  Ka qenë vërtet një ditë e paharrueshme…

A jeni penduar që keni zgjedhur si profesion aktrimin?

-Gjithmonë… para se të hyj në skenë…

Sipas jush, ndihet sot femra e paragjykuar në këtë profesion?

-Pas shembujve të shkëlqyer të Tinka Kurtit, Drita Pelingut dhe Margarita Xhepës në skenën shqiptare, mendoj se nuk duhet të ekzistojë hapësirë për të paragjykuar femrat që ndjekin këtë profesion.

Është femra shqiptare pozicionin e duhur në jetë?

-Jo, për fat të keq, kemi akoma punë në këtë aspekt.

A mendoni të merreni me politikë dhe pse?

-Më shqetëson fakti që politika duhet të futet kudo…

Cilat janë problemet e femrës shqiptare sot?

-Problemet, padyshim, janë të shumta, por besoj se gjithë kujdesi i shoqërisë duhet të përqendrohet tek barazia gjinore.

Ç’është dashuria për ju?

-Ndjenjë…

A është shoqëria shqiptare maskiliste?

-Përderisa barazia gjinore le shumë për të dëshiruar, besoj se po.

Cili është ushqimi juaj i preferuar?

-Zarzavatet, sidomos të vendit.

Po stina juaj e preferuar?

Dimri.

Sa e rëndësishme është për ju familja, puna dhe miqësia?

-Megjithëse të tria janë shumë të rëndësishme në jetën time, do t’i rendisja sipas radhës: familja, miqësia dhe puna.

Si ju lind ideja e skenarit të një filmi, çfarë ju motivon e frymëzon?

-Ideja e skenarit lindi nga dashuria dhe dëshira të punoj edhe me Erandin, talenti i të cilit ende më mbush dhe më frymëzon, si herën e parë.

Lidhja juaj me qytetin e Elbasanit?

-Sahatin e këtij qyteti historik e kam në kopshtin e shtëpisë, ku kam lindur dhe jam rritur.

Si do ta përkufizonit veten me tri fjalë?

-E kripur, e thartë, e ëmbël…

Mesazhi juaj për femrën shqiptare?

-Të merret më shumë me brendësinë sesa me paraqitjen e saj.