Tefta Tashko Koço, miti i sopranos shqiptare

1075

Përurohet monografia kushtuar jetës dhe veprës së artistes së madhe shqiptare, Tefta Tashko Koço

Këto ditë në Akademinë e Shkencave u promovua libri “Tefta Tashko Koço”, me autor Pandi Bello. Në këtë promovim merrnin pjesë Eno Koço, i biri i Tefta Koços, të afërm, muzikantë, këngëtarë, artistë, njerëz të artit dhe të kulturës. Të gjithë ata që morën fjalën vlerësuan punën e studiuesit Pandi Bello dedikuar një prej ikonave të artit dhe kulturës sonë kombëtare, sopranos Tefta Tashko Koço. Si një prej pedagogëve dhe drejtuesve të Liceut që mban emrin e saj në Korçë, Pandi Bello ashtu si sopranoja në fjalë nuk e “tradhtoi” qytetin që e lindi dhe e rriti, për të cilin vijon të japë një kontribut të çmuar në cilësinë e dirigjentit dhe muzikologut. E, pikërisht, edhe ky punim monografik, dëshmon lidhjen e ngushtë të studiuesit me vendlindjen; me artin dhe kulturën e ngjizur në AND- në e saj; me personalitetet që lindën prej saj, ku si një gur i çmuar qëndron Tefta Tashko Koço – një zonjë e madhe e kantos, siç e quan autori sopranon e vyer. Ky botim monografik është një kontribut me shumë në studimet muzikologjike shqiptare, që me siguri do të pasohet edhe nga të tjera prurje po kaq cilësore të këtij studiuesi në të ardhmen.

Kush ishte Tefta Tashko Koço

Soprano  lirike, “Artiste e Popullit”. U lind më 2 nëntor 1910 në Fajum të Egjiptit, vajza e atdhetarit Athanas Tashko nga Frashëri i Përmetit dhe i Elena Zografit nga Korça. Familja e saj u vendos në Korçë më 1921. Në vitin 1927 filloi studimet për kanto në Konservatorin e Muzikës së Monpeliesë. Kur ishte në kursin e 3-t të konservatorit bashkëpunoi me grupin himarjot të Neço Mukos. Me këtë grup bëri incizime solo si dhe me disa individë të grupit. Më 1931 vazhdon studimet  në “Institut Muzical dhe Dramatique Professionnel” të Parisit dhe, pa përfunduar vitin e dytë, ndërpret studimet dhe i vazhdon ato në një stad më të lartë, në “Conservatioire National de Muzique et de Declamation” të Parisit, nga viti 1932 deri në vitin 1936. Në vitet 1931-1932 mori pjesë në konkurset e organizuara nga Konservatori i Parisit, nga “Opera Komike”,  ku debutoi në rolin e Batërflait te “Madame Batërflaj” e Puçinit. Më 1935, edhe pse ishte në vitin e fundit të konservatorit, kthehet në Shqipëri dhe jep koncerte me grupin artistik të drejtuar nga pianistja Lola (Aleksi) Gjoka: më 26 nëntor e 4 dhjetor në Korçë, më 12 dhjetor në Tiranë dhe më 19 dhjetor në Shkodër. Nga shtypi i kohës koncertet e Tefta Tashkos cilësohen të nivelit të Europës. Më 1936 përfundon Konservatorin e Parisit dhe kthehet në Shqipëri. Më 1936, në vjeshtë, merr pjesë në “Ditën Shqiptare” të Panairit të Lindjes në Bari të Italisë dhe recitali i saj u transmetua nga stacioni i dytë i Barit. Më vonë shkon për perfeksionim “në bel kanto” në Romë e Milano. Në Romë ajo paraqiti të plotë rolin e Byterfly-it, ndërsa në Milano bëri regjistrimet e para në disqe gramafoni. Më 13 shtator 1937, mori pjesë në “Ditën Shqiptare” të Panairit të Barit së bashku me Maria Palucën, Gjeorgjia Feliçen e Lola Aleksin. Në këtë panair Tefta këndoi : “Peshkatarët e Perlave” të Bizes, “Tistesse” të Shopenit, “Regnava nei silenzio” nga “Luçia di Lammermoor” e Donizettit si dhe me Marien duetin “Sull’aria” nga “Dasma e Figaros” të Moxartit, ndërsa ndër këngët popullore ajo këndoi “Çelni ju moj lule”, “Edhe ky bilbil” dhe “Kur më vjen burri nga stani”. Ky aktivitet pati jehonë të gjërë në Shqipëri e Itali. Tefta, recitalet, i organizoi jo vetëm në Tiranë, Korçë dhe Shkodër, por edhe në Durrës.  Më 1938 me shumë sukses  ishte  recitali i dhënë në Shkodër me rastin e vizitës së poetit Asdren, ku morën pjesë përveç Asdrenit edhe Fishta, Koliqi e Poradeci. Më 1939 jep recitalin edhe në Elbasan, Kavajë, Fier, Berat e Vlorë. Në vitet e luftës 1939-1944 këndoi kryesisht në emisionet radiofonie, incizoi këngët lirike qytetare dhe kontribuoi si pedagoge në Institutin e Muzikës, formuar në janarin e vitit 1944.  Më 28 nëntor 1944 mori pjesë në koncertin që u dha në Tiranë. Më 1945 me ftesë të Teatrit të Operës së Beogradit këndoi në rolet kryesore të operave: Mimisë në “Bohemë” dhe Rozinës tek “Berberi i Seviljes”. Pati shumë sukses në Beograd. Më 1946 dha mësim në degën e kantos në shkollën e parë muzikore në Shqipëri. Ajo u shqua jo vetëm në pjesët klasike, në opera, por edhe në interpretimin e këngëve popullore shqiptare të stilizuara, të tilla si: “Kroi i fshatit tonë”, “As aman o syri i zi”, “Fryn veri në Mal të Thatë” e këngë të mirëfillta, si: “Zare, trëndafile”, “Kur më vjen burri nga stani”, “Ç’u gremisa moj lejthatë”. Ishte soprano-lirike, zotronte një zë me cilësi timbrike të klasit të parë, me shtrirje diapazionale prej dy oktavash e gjysmë, që dallohej për ngjyrën e çiltër e të ëmbël, për vibrim të natyrshëm. Ajo interpretonte madhërishëm edhe Rozinën (Rosini “Berberi i Seviljes”), “Lakme” (Delib, “Lakme”), Miminë e Çio-Çio-Sanit (Puçini, “Bohema”, “Madam Baterflai”). U nda nga jeta  në Tiranë më 22 dhjetor 1947. I është dhënë titulli i lartë “Artiste e Popullit”. Më 2 mars 2004 Këshilli  i Bashkisë së Përmetit e nderoi me titullin “Qytetare Nderi e Përmetit”. Busti i saj ngrihet sot në qendër të qytetit të Përmetit.

VASIL TOLE, Akademik

E lindur në vitin 1910, në prag të Pavarësisë së Shqipërisë, jeta dhe vepra e saj e shkurtër fizike, por shumë e gjatë artistike për nga rëndësia, u lidh pazgjidhshmërisht me pavarësinë dhe shtetin e ri shqiptar, me hedhjen e themeleve të arteve tona, e posaçërisht të muzikës profesioniste shqiptare. Si një pioniere e interpretimit muzikor në Shqipëri, si iniciuese e procesit të këndimit të muzikës sonë popullore dhe asaj të kultivuar përmes programeve të koncerteve publike përpos atyre popullarizues të realizuar përmes disqeve dhe valëve të radios, Tefta Tashko Koço modeloi një realitet evropian në Shqipëri, në vendin ku sipas Faik Konicës:… ungjilli i Muzikës nuk qe predikuar dhe ku njerëzit qenë stërvitur ligsht me trallallata vulgare.

Doc. HOLTA SINA (KILICA), Muzikologe, pedagoge në UA

Një meritë e veçantë e autorit është kapja e thelbit të shpirtit artistik të Teftës (siç e thërret autori me një ajër gati familjar) si dhe nxjerrja në pah e aspektit më të rëndësishëm të karrierës së saj në lidhje me kulturën muzikore kombëtare – regjistrimin (incizimin në pllaka gramafoni) në Paris (me N. Mukon dhe grupin) si dhe në Milano, të këngëve shqiptare. Pikërisht këto këngë, si dhe pjesët klasike që sopranoja i kishte në repertor, fituan prej saj një zë dhe individualitet të papërsëritshëm, gjë që çmohet dhe vlerësohet si arritje e madhe për kohën dhe në kohë.

EVA GOLEMI, Sopranoja e parë e TKOB

Tefta Tashko Koço ngrihet përsëri në këtë libër si te filmi “Koncert në vitin 1936” me pianon e marrë me qira, por kësaj radhe jo më në rrugët drejt Moçaleve të Myzeqesë, por drejt shkretëtirave të zyrave ku marrin vendimet “asinus in cathedra”, të cilët mbyllën edhe ato pak shkolla muzike që kishin mbetur për t’i kursyer buxhetit të shtetit nja  150.000 Euro në vit duke na kthyer 100 vjet mbrapa. Sidomos sot, në një vend dhe shoqëri që duket se aspiron të hyjë në Europë, por ku në radio-televizione, mjete të transportit publik, restorante apo në ambiente të tjera publike dëgjohet vetëm muzikë mejhanesh e gjithfarë lloj muzike por jo arti i kultivuar që kjo misionare, si përfaqësuese më dinjitoze e një brezi artistësh të asaj kohe, solli në Shqipëri dhe pa të cilin, një popull europian nuk mund të quhet i tillë.