Tonin Ndoja: “Për 100-vjetorin do të sjellim elitën e kulturës shqiptare”

662
Sigal

 Ekskluzive me z. Tonin Ndoja, organizator i Albanian -Canadian Events

Kanadaja nëpërmjet punës fisnike të Albanian -Canadian Events ka filluar përgatitjet për Koncertin e madh të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Me në krye, organizatorin dhe biznesmenin e suksesshëm z. Tonin Ndoja, komuniteti shqiptar dhe kanadez po angazhohen për realizimin e këtij manifestimi madhështor. Të pranishëm do jenë tenori Kastriot Tusha, Myferete Laze, Vëllezërit Endri & Stefi Prifti dhe Mera Zymeri. Gjithashtu, e ftuar speciale “Mjeshtre e madhe” Tinka Kurti, zëri legjendar i Mera Zyberit, grupi përfaqësues i New York-ut (aktorët Shaban Lajci, Tomë dhe Blerina Gjergji), grupi i shquar valltar, ‘Bijtë e Shqipes’ dhe orkestra e famshme Alba. Koncerti zhvillohet me 24 nëntor 2012.

Cilat janë disa nga përgatitjet e albanian-canadian për 100-vjetorin?

24 nëntori i këtij viti do të jetë një ditë e madhe feste për shqiptarët e Kanadasë. Ne si staf i Albanian Canadian Events kemi punuar që herët që festa të përcillet me madhështinë që meriton. Që në pranverën e këtij viti, menjëherë pas përfundimit të koncertit në traditë të pranverës, kemi filluar të marrim masat përgatitore. Fillimisht kemi rezervuar sallën për aktivitetin, ndërkohë që vetë kam udhëtuar për në Tiranë, ku edhe kam nënshkruar kontratat përkatëse me artistët, si edhe jam marrë me dokumentacionin e tyre. Duke qenë se, akoma vendi ynë Shqipëria, nuk ka shkëmbime në nivel ambasadash, kam adresuar një menaxher, i cili ka pasur tagrin për të udhëtuar drejt Romës për të siguruar vizat e udhëtimit. Në këtë kontekst nuk mund të lë pa vlerësuar Ambasadën Kanadeze në Romë, e cila ka qenë një mbështetëse dhe dashamirëse e të gjithë aktiviteteve tona në Kanada. Puna ka vijuar me informimin e publikut me të gjithë format tashmë të njohura si me postera, postcard-s, e-maile, fb-linked, tëitter, Tel dhe TV.

Çfarë mund të thuash më shumë për artistët shqiptarë që do të entuziazmojnë sallën në ditën e shqiptarëve?

Për vetë specifikën që paraqet evenimenti, ne jemi përpjekur të sjellim elitën e kulturës dhe muzikës shqiptare. Janë të mirënjohur ndër shqiptarë anë e mbanë botës si tenori i madh shqiptar Kastriot Tusha, ikona e muzikës së lehtë Myfarete Laze, këngëtarët të veçantë si Endri & Stefi Prifti. Por ky event do të sajdiset me elitën e teatrit dhe kulturës shqiptare, aktoren e madhe Tinka Kurti. Nuk mund të mungonte një zë i fuqishëm nga Kosova e lirë Mera Zyberi me këngën më të fundit të saj “Ora e historisë”. Një realizim i shkëlqyer dhe i merituar për që i kushtohet festës së 100 vjetorit. Ndërsa nga New-York-u do të jenë pjesëmarrës aktorët Shaban Lajci, Tomë dhe Blerina Gjergji, të cilët do të interpretojnë momente historike që kanë shoqëruar ngritjen e flamurit. Konkretisht është ftuar këngëtarja Grace Paci, e cila do të interpretojë himnin e flamurit shqiptar dhe atij kanadez, si dhe muzikanti Sami Pacolli me vajzën e tij do të përshëndesin publikun dhe artistët e ardhur nga Shqipëria.

Atmosfera, por dhe niveli i aktivitetit janë më ndryshe këtë vit. Cili është ndryshimi dhe çfarë mund të presë publiku nga përjetimet dhe eksperiencat në këtë koncert?

Tonin Ndoja: Albanian -Canadian Events tashmë është konfirmuar dhe vlerësuar nga komuniteti shqiptar këtu, por edhe më gjerë. Kësaj radhe stafi është edhe më me përvojë, pasi ka kaluar me sukses edhe aktivitete të tjera. Veçoj faktin se koreografja Denajda Dhrimaj ka filluar përgatitjet me grupin e valleve “Bijtë e Shqipes” një grup i krijuar nga Albanian- Canadian Events. Gjithashtu dhe dy prezantuesit e kësaj mbrëmje të madhe, aktori shqiptaro-kanadez Indrit Kasapi dhe Edlira Çini, po punojmë ngushtë me njeri-tjetrin për të realizuar programin sa me profesional. Javën që vjen kemi takim me inxhinieret e sallës së koncertit për finalizimin e dritave, skenografisë dhe detaje të tjera, çdo gjë falë teknologjisë do bëhet live dhe do transmetohet nëpër monitore në çdo ambient të pallatit të koncerteve. Ky koncert do mbetet për shumë kohë në kujtesën e çdo pjesëmarrësi.

Keni ftuar enkas dhe orkestrën e famshme Alba të New York-ut. Çfarë ofron programi këtë natë?

Tonin Ndoja: Orkestra Alba Edmond Xhani (drejtues), Maksim Vathi saxophone, Ilir Dangellia, Zini Borova janë një garanci më shumë për suksesin. Këtij grupi i shtohet dhe xhez bandisti kanadez  Barete Santourdjian dhe Lola Kecaj violinë

Cila mendoni se do të jetë pjesëmarrja, sa prisni të vijnë në këtë manifestim kulturor dhe ku do zhvillohet?

Pjesëmarrja pritet të jetë madhështore, kjo tregon dhe fakti i interesimit të madh që tani, parashikojmë një pjesëmarrje masive dhe ne ju kemi ofruar nëpërmjet websitit tonë www.albcanevents.com rezervimin e vendeve dhe online duke paguar me Visa, Mastercard, American Expres. Gjithashtu, me telefon 289-937-6523.

MESAZHI PËR FESTËN E 100-VJETORIT

Unë do uroja që komuniteti shqiptar do gjejë një motiv më shumë të marrë pjesë ne Koncertin e 100- vjetorit të organizuar nga Albanian- Canadian Events, por dhe në të gjitha aktivitetet që do organizohen nga individë apo shoqata te ndryshme këtu në Kanada, pasi motivi është i njëjtë: Të festojmë të gjithë së bashku dhe të përçojmë tek brezi i ri vlerat tona të muzikës dhe artit. Shprehja ime e vjetër ka qenë atë si nuk arrin ta bëjë politika, le ta bëjë muzika dhe ne të bashkohemi dhe në vëllazërim me njëri-tjetrin vetëm të festojmë dhe të gëzojmë, për një të ardhme më të mirë.

Nora KALAJA, New York