Suksesi i ri i “Mbretëresha e bukurisë nga Leenane” në Teatrin Kombëtar Eksperimental

893
Sigal

Shfaqja teatrore “Mbretëresha e bukurisë nga Leenane” është mirëpritur si premierë nga publiku në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli”. “Mbretëresha e bukurisë nga Leenane” shkruar nga autori Martin McDonagh përkthyer nga Adriana Tolka vjen në skenë me regji të Kiço Londos. Vepra shënoi sukses në teatër dhe do të rikthehet sërish në skenë për të përcjellë të tjera emocione me lojën aktorëve. “Pas pritjes fantastike nga publiku në premierë vepra do të vijë në datat 31 Janar-1-2-3 Shkurt ora 19:00 në sallën Moliere”, shkruan Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli. Në qendër të veprës janë marrëdhëniet e komplikuara nënë e bijë dhe rolet në vepër interpretohen nga aktorët Laura Nezha, Ermira Gjata, Genci Fuga, Engjëll Hoxha. Dy mbrëmjet e para salla ishte e mbushur plot me publik, që i përcolli me vlerësime aktorët në shfaqje, por kërkesat për bileta janë të shumta dhe për netët e tjera. Në skenën e teatrit vepra u përcoll me emocione nga publiku, ku aktorët sollën një nga kryeveprat e autorit McDonagh. Laura Nezha me rolin e Morin e përcolli me mjeshtërinë e saj këtë personazh në skenën e teatrit. Në rolin e nënës së saj Meg aktorja Ermira Gjata gjithashtu përcolli më të mirën e saj në skenë. Por dhe dy aktorët e tjerë Genci Fuga si dhe Engjëll Hoxha ishin pjesë me vlerësime të kësaj shfaqje në skenë. Kjo komedi e zezë do të rikthehet sërish për publikun për disa mbrëmje me radhë duke përcjellë ngjarjet që zhvillohen në një fshat të Irlandës. Por këtë vepër regjisori Kiço Londo më herët u shpreh se e shikon dhe si një sfidë në aktivitetin e tij, pasi njëzet vjet më parë e kishte vënë në skenë me të tjerë aktorë. “Ka histori me krijimtarinë time njëzet më parë. Këtë vepër e kam vënë në skenën e Akademisë së Arteve me aktorët Drita Pelinku, Yllka Mujo, Ndriçim Xhepa dhe Arben Derhemi. Krijuesit janë në vorbullën e sfidave. Kësaj sfide s’i bëj përjashtim as unë, ndaj vendosa të sfidoj veten”, tregon regjisori Kiço Londo.

Vepra në skenë për herë të parë më 1996

Kjo komedi e zezë shkruar nga Martin McDonagh, u ngjit në skenë për herë të parë nga kompania e Druid Theatre në Galluej, Irlandë, më 1 shkurt 1996. Ajo gjithashtu shijoi suksesin e shfaqjeve në Uest End të Londrës, Broduej dhe Of-Broduej. Vepra, e vendosur në malet e Konemarës në kontenë Galluej të Irlandës, rrëfen historinë me nota të errëta komike të Morin Folanit, një grua e zakonshme dhe e vetmuar në të dyzetat, dhe të nënës së saj manipuluese Meg. Ndërhyrja e Megit në mundësinë e parë dhe ndoshta të fundit të së bijës për një lidhje dashurie vë në lëvizje një tren me ngjarje sa komike, aq tmerruese, të cilat çojnë në fundin e pashmangshëm tragjik të pjesës.“Mbretëresha e bukurisë nga Leenane” është një kritikë ndaj nacionalizmit irlandez, i cili është toksik dhe anti-modern, ndërkohë që tregon nevojën urgjente për një identitet, që nuk është vetëm modern, por edhe irlandez. Ndërsa prioritetet e autorit McDonagh sillen te krijimi i komedisë së zezë, fakti që vepra është bërë kaq e famshme tregon vendin voluminoz, që zë ajo në një diskutim më të gjerë mbi luftën për të gjetur një truall të mesëm midis nacionalizmit, që qëndron larg realitetit, dhe modernitetit të zbrazët kulturalisht. Ndërsa McDonagh nuk e drejton gishtin mbi ndonjë lloj shprese apo zgjidhjeje në vepër, cikli zemërthyes i traumës mes personazheve në Linejn paraqet një kritikë kulturale të rëndë dhe të sinqertë. Vepra është në skenë me skenografi nga Beqo Nanaj dhe kostumografe Sofi Kara, as/regjisor Marsel Greva, Kleard Gërmenji.