Nga Xhahid Bushati – Bep Shiroka: Nefail Peraniqi ishte aktori ekspresiv i ndërtimit të karaktereve

19
Sigal

Nefail Piraniqi, aktori që mori rrugë duke ndjekur dramat “Shtrëngata”, “Tirani i Padovës”, “Nëna, etj.

70 rolet e spikatura, si: “Cuca e maleve” me rolin e Prengës, “Çifti i lumtur”, “Fytyra e dytë”, “Shpartallimi”, etj

Nga Xhahid Bushati

Nefail Piraniqi lindi, më 18.03.1940 në Shkodër. E deshi teatrin që në fëmijëri. Ashtu i vogël (miturak), me pantallona të shkurtra, shkonte te teatri i vjetër aty pranë shkollës “11 Janari”. E ftonte një magji. Për portierin, tashmë, ishte bërë i njohur. Sa e shihte “amatorin” e rregullt, e fuste brenda pa biletë. Vogëlushi zinte një qoshe dhe ndiqte me interes e kureshtje fëmijërore shfaqjet. Kishte mbetur i mahnitur nga “Shtrëngata”, “Tirani i Padovës”, “Nëna, etj. E ruante këtë dashuri për teatrin, si një thesar i çmuar. Nuk e ndërronte me asgjë në botë, sepse, ajo, fëmijëria e tij ia kishte ofruar e para. Në fillim si një përrallë lodërtare, më pas do të bëhej e vërtetë ‘ëndrra magjike’. Vitet kalojnë. Kalendari shënon vitin 1958. Fillon si balerin amator në Shtëpinë e Kulturës së qytetit të tij të lindjes, Shkodër. Do të jetë në moshën 18-vjeçare. Siç duket baleti ishte “parathënia” e jetës së tij artistike. Në vitin 1964 aktivizohet si aktor amator në klubin e Artizanat-Veshmbathjes, një klub me traditë e emër në jetën artistike të qytetit të Shkodrës. Këtu u njoh me regjisoren Violeta Sekuj. Pas 5 vjetësh, në prill të vitit 1969 hyn në teatrin “Migjeni”. Tashmë ishte 29 vjeç. Ajo ëndërr e dikurshme që ia fali Fëmijëria, tani iu bë realitet. Ëndrra nuk ishte më ëndërr për aktorin, tashmë, Nefail Piraniqi ishte profesionist.

E kam njohur nga afër Nefailin. Kishte një shpirt delikat e poetik. Kishte një botë të brendshme plot ngjyra. Veçanërisht shquhej për ekspresivitetin, të cilin e shpërfaqi gjatë interpretimit të shumë roleve.

Në teatër, mes shumë aktorëve, “ritakoi” edhe ‘Mësuesen e tij të dikurshme’ Violeta Sekujn. Me intepretimin e tij, la një trashëgimi me mbi 70 role, si: “Cuca e maleve” me rolin e Prengës, “Çifti i lumtur” me rolin e djalit të fanatikut, “Fytyra e dytë” me rolin e xha Halilit, “Nora” me figurën e Hamzait”, “Një burrë skarco me rolin e Thomait, “Shpartallimi” me rolin e Ujkut, “Çmurosja” me rolin e Koristit, “Djem të mbarë” me rolin e Ilirit, “Fati i tersit” me rolin e Kikut, “Flamur në dasëm” me rolin e Milanit, “Franku i V-të” me rolin e Presidentit, “Fundi i një komedie” me rolin e Kasemit, “Zekthi” me rolin e lypsarit, “Gjaku i Arbrit” me rolin e rojes, “Krisma mbi dekor” me rolin e Lekës, “Kur flasin zemrat” me rolin e Tomës, “Luani i shtëpisë” me rolin e Bushit, “Njerëz mbi urë” me rolin e Lames, “Rozafa” me rolin e njërit prej Anëtarëve të Këshillit të Pleqve, “Rrënjët e dashurisë” me rolin e Ramës, “Rrënjët e hekurta” me rolin e Zefit, “Sinjalet e natës” me rolin e Petritit, “Shtegtim nëpër ankth” me rolin e kryepunëtorit, “Talent i rrallë” me rolin e Klitit, “Toka jonë” me rolin e Metit, “Viti ‘61” me rolin e banakierit, etj., etj. Edhe Kinematografia njohu zërin e Nefailit, ku la një arkivë prej 13 filmash artistikë, kryesisht role të dyta; si: “Ditët që sollën pranverën”, film TV, 1979, me rolin e Pjetrit; “Një natë pa dritë”, 1981, me rolin e xhandarit; “Qortimet e vjeshtës”, 1982, me rolin e Inspektorit; “Flaka e maleve”, 1982, me rolin e Konsullit të Malit të Zi; “Besa e kuqe”, 1982, me rolin e Bib Ndout, “Ura dhe Kështjella”, 1984, me rolin e Aliut; “Militanti”, 1984, me rolin e Drejtorit; “Koha nuk pret”, 1984, me rolin e Shaqir agës; “Të paftuarit”, 1985, me rolin e Ndreut, hanxhiu; “Vrasje në gjueti”, 1987, me rolin e shoferit, si dhe në dokumentarët: “Trojet tona” me rolin e Tafës, “Isa Boletini” me rolin e Nerusit, ambasadorit Turk, etj. Përveç punës së tij si aktor, ai ka shkruar artikuj mbi artin dhe kulturën në gazeta të ndryshme, si: “Jeta e re”, “Puna”, “Zëri i popullit”, “Ushtima e maleve”, “Cukali”, “Kukësi i ri” dhe “Humori shkodran”, etj.

Nefaili në kujtimet e aktorit Bep Shiroka

“Nefailin e quaj njërin nga miqtë e mi të dashur që kam pasur. Sigurisht kemi qenë me një diferencë moshe. Kam qenë më i madh se ai, por kjo për ne nuk kishte rëndësi. Nefailin për herë të parë e kam njohur në shfaqjet që jepte Klubi i Artizanat-Veshmbathjes. Ky klub kishte aktorë të mirë amatorë, por Nefaili sikur dallohej. Më bënte përshtypje: ngrohtësia, figura që krijonte kishte diçka të veçantë, siç i themi ne, aktorët kishte “mish” në të, por edhe gjak kishte. Kishte vërtetësi.

Ky “dialog” e kjo miqësi i rriti përmasat, u bë më e madhe, kur Nefaili erdhi aktor profesionist në teatrin “Migjeni”. Në s’gaboj, ishte viti 1969. Puna na lidhi më shumë me njëri-tjetrin. U muarëm vesh më mirë, e pse jo, u deshëm më shumë me njëri-tjetrin. E kjo ka vazhduar deri në atë ditë, që fatkeqësisht… u nda nga teatri “Migjeni” ku realizoi figura të bukura; u nda nga ne shokët, e sigurisht, nga streha e ngrohtë familjare. Të gjithë e humbëm shumë shpejt, por s’e harruam. Kujtoj rolin e xha Halilit në dramën-satirë “Fytyra e dytë” e D. Agollit. Ishim dublantë bashkë. Punuam të dy në atë rol. Gjithsecili punoi në kahje të ndryshme. Mbaj mend, që për të dy figurat u fol mirë, bile nganjëherë edhe shumë mirë. Vetë Dritëroi, kur e pa shfaqjen, më pati thënë: “Si është e mundur, që ju dy shkodranë luani aq bukur xha Halilin?! Keni hyrë në psikologjinë e tij, sa është për t’ju pasur zili”! Unë them që xha Halili i Nefailit ka qenë një figurë e realizuar dhe e goditur artistikisht.

Po ashtu kemi qenë dublantë të njëri tjetrit edhe te komedia “Luani i shtëpisë” i F. Krajës. Të dy kemi pasur të njëjtin rol. Ai krijoi një figurë, unë një figurë tjetër. Ky realitet nuk u bë asnjëherë shkas që të na prishë atmosferën e punës, miqësinë, shoqërinë. Përkundrazi, gjithmonë kemi qenë afër, dhe bile s’kemi përtuar t’i themi edhe të metat, dhe sugjerimet për rolin njëri-tjetrit. Ia kemi mirëpritë shoku shokut, me dashuri ato, me buzëqeshje, pa asnjë mendim të keq. E kujtoj gjithmonë Nefailin në rolin e Ujkut te drama “Shpartallimi” i F. Krajës. Kur e solli në teatër Fadili dramën “Shpartallimi”, mua m’u besua një nga rolet e para, kurse Nefailit iu besua një rol shumë i bukur, jo shumë i madh, por një rol karakteri. Ai rol jo shumë i madh i luajtur nga Nefaili, qe me shumë temperament, me shumë ndjesi, me shumë vërtetësi, sa bëri që ai rol të shihej njëlloj si rolet kryesore të dramës, dhe të mbetej në kujtesë të spektatorit. Në atë figurë ai kishte paraqitur njeriun e egër, injorant, gjaksor. Interpretonte aq bukur, sa me të thënë të drejtën, po të rivihej edhe njëherë në skenë “Shpartallimi”, unë nuk shoh njëri tjetër, që mund ta luajë ashtu siç e ka luajtur Nefail Piraniqi. Nuk më hiqet nga mendja edhe figura e Hamzait te drama “Nora” e A. Skanjetit. “Nora” është vënë dy herë në skenën e teatrit “Migjeni”. Herën e parë nga Andrea Skanjeti. Më pas nga Violeta Sekuj. Herën e parë rolin e Hamzait e luajti Rrok Dajçi. E luajti mirë. Më vonë ai “u nda” nga teatri. Kur e vuri në skenë regjisorja Sekuj, ajo u kujtua për “nxënësin” e saj, Nefailin. E thirri dhe i besoi rolin e Hamzait. Ka qenë rol që është folur për të, dhe ka zënë vendin e vet denjësisht në galerinë e personazheve të “Norës”. Dua të them që, Nefaili ka qenë një aktor i dy planeve: dramatik e komik. Dua ta lidh me figurën e Ilirit te drama “Djem të mbarë” të F. Krajës. Për atë grup punëtorësh që jetonin e punonin në kantjer, Nefaili – Ilir ishte “motorri”, gazi, ironia, tallja e gëzimi. Nefailin, ashtu të qetë, e shikoja duke u hedhur nëpër krahët e njërit apo tjetrit shok, bile duke bërë dhe akrobacira, por jo ashtu kot, por, që e përligjnin dhe i shkonin për shtat figurës së Ilirit – Nefail, që e mbushte me gëzim skenën, kur vinte momenti i ardhjes e interpretimit të tij. E duke vazhduar me planin komik, t’ju them të drejtën e shpirtit (këtu Bepi qesh) komedia “Çifti i lumtur” i B. Pepës, të ka bërë të qeshësh më shumë në skenë se sa në film. Ai që e ka parë në skenë, them që nuk i ka pëlqyer filmi dhe aq. Dhe… me të drejtë… E morëm për ta punuar atë komedi. Nefaili ishte djali im, por një djalë që në një kuptim, nuk ishte i imi, sepse ishte e kundërta ime. Dashur pa dashur, veprimet e tij e vinin në bisht të lahutës të atin, sepse dashuronte një vajzë të ish fesë tjetër…Nefaili e kishte zakon lëshonte batutën e ikte, e përsëri vinte… dhe rrinte ‘serioz’. Ky ishte marifeti dhe rituali i tij…