Sotiraq Bratko (Tirka): Enver Hoxha për komedinë “Zonja nga qyteti” tha: “Dy orë mu dukën dy minuta”

2120

Intervista/ Flet aktori i mirënjohur i Teatrit të Korçës, Sotiraq Bratko (Tirka)

Tashmë po rikthehet pas 21 viteve me një rol tek drama “Kapitulli i dytë” i Neil Simon nën drejtimin e regjisorit të ri Qëndrim Rijani. Nuk janë pak 21 vjet larg skenës, kur dihet që në gjithë Shqipërinë ai njihet me emrin artistik Tirka,  ardhur nga emri i personazhit tek filmi “Zonja nga qyteti”.  Mbi 70 role në teatër dhe 18 role në filma artistik, ai mbetet një ndër aktorët e spikatur të qytetit të Korçës. Për mëse 21 vjet ai punoi në Selanik, ku thekson se në punën e rëndë të krahut, prapë mendjen e kisha tek aktrimi.

 Cila ishte arsyeja që qëndruat rreth 21 vjet larg teatrit të Korçës, ku ju u rritët?

Ka qenë thjesht një arsye familjare, as problem ekonomik, as dëshirë për t’u larguar nga teatri. Pra në një moment në vitin 1993, ishte e detyrueshme për mua të shkoja në Greqi të punoja disa muaj për të siguruar disa të holla, për një problem familjar. Por në atë kohë, teatri nuk kishte atë dinamikë, atë interes, ra shumë interesi për të punuar dhe aq më tepër shteti nuk po tregonte atë interes për teatrin. Pra u bë një teatër pa atë lavdi. Kështu që unë u nisa për disa muaj në Selanik dhe duke parë se gjendja në Shqipëri për çdo ditë po përkeqësohej vendosa të rrija edhe disa kohë. Por këto kohë u bënë plot 21 vite. Ishin jo pak, por më shumë se dy dekada.

 Si ishte jeta juaj në emigracion në Selanik?

Emigracioni mbetet emigracion, aq më tepër kur vjen nga një profesion artist dhe përfundon punëtor krahu. Kjo ishte një sakrificë e madhe, e jashtëzakonshme. Kujtoj vitet e para të popullit grek, por edhe racizmin e qarqeve të caktuara. Thjesht vite shumë të vështira, pro edhe të bukura. Ndërsa sot nuk është më ajo Greqia e para 21 vjetëve. Kriza e ka goditur rëndë, por kryesisht kjo krizë ka goditur rëndë emigrantët kryesisht ata shqiptarë që janë më të shumtët në numër. Tani ndjej se nuk kam shumë detyrime ndaj fëmijëve, të cilët u rritën, u shkolluan dhe unë mendoj të shoh artin. Tani unë jam në Korçë, gruaja në Selanik pasi ka një punë, të cilën nuk mund ta lejë në këto çaste, kështu që para sa viteve ishim katër veta në një shtëpi, tani jemi katër veta secili në shtëpi me vete (qesh). Ja pra ky është emigracioni. Tani unë i jam bashkuar sërishmi Teatrit të Korçës, profesionit tim, që për 21 vite më gërryente nga brenda, më linte pa gjumë. Kisha shumë dëshirë të vija dhe erdhi koha që familja më dha leje, që teatri dhe Drejtore Zamira Kita më ofruan rol dhe tani ndjehem si atëherë, pjesë e trupës së Teatrit të Korçës.

 Ju jeni personifikuar me rolin e Tirkës në filmin “Zonja nga qyteti”, si jeni ndjerë në atë rol?

Ai rol u ngjit me mua, siç u ngjita dhe unë me të. Pas atij roli mua më thërrisnin vetëm Tirka. Pavarësisht se unë kam pasur shumë role të bukura, ai rol u bë si emri im artistik, apo emri në përditshmërinë time kudo në Shqipëri. Unë deri në vitin 1993 kur ika në Greqi thuajse kisha 22 vjet në skenë, ku kam luajtur role pafund, por Tirka më dha tjetër staturë. Ato kohë në regjimin komunist, nuk kisha kohë. Nuk kisha kohë të qetësohesha, nga teatri në film dhe anasjelltas. Në atë kohë kam luajtur në 18 filma artistikë që nuk ishin pak. Sa vija në skenë një dramë, më thërrisnin për film. Më i shplodhur ndihesha në punë krahu në emigracion, se sa në teatër apo në kinematografi. Por atëherë mosha, shoqëria të bënte të mos e ndjeje lodhjen.

Kush ua besoi rolin e Tirkës?

Duhet të dini se Komedia “Zonja nga qyteti” u vu në fillim në skenën e Teatrit të Korçës, para se të bëhej film. Gjatë komedisë në skenë, mua këtë rol më besuan. Edhe kur do fillonin xhirimet e filmit regjisori i talentuar Pirro Milkani më thirri për ta luajtur  edhe në film. Kjo bëri që t’i jap dhe një hap tjetër më pozitiv rolit dhe figurës së Tirkës. Në këtë rast ky rol mori përmasa më të mëdha për vetë faktin se filmi ka më popullaritet, shfaqet në të gjithë Shqipërinë, në çdo skaj. Filmi të bën më publik. Teatri është brenda qytetit, brenda një zone të caktuar. Unë kam punuar me shumë regjisorë shqiptar dhe  ata me të cilët kam punuar unë, jam ndjerë mirë, më kanë besuar dhe e kam justifikuar besimin. Kështu edhe në këtë rol. Pikërisht është ky rol, ku unë dhe pse 21 vjet në Greqi, njerëzit duke më parë tek ky film, mendonin se unë jam këtu. Kur u them kam qenë në Greqi nuk e besojnë. Ky film  shihet shumë, shumë.

Si kanë qenë marrëdhëniet e tua me Violeta Manushin?

Ajo më ka dashur shumë, sillej me mua sikur më kishte djalë (ndoshta ngaqë nuk ka pasur fëmijë). Unë me ‘të kam qenë njohur më parë se të luanim këtë film. Në këtë film ajo na orientonte, na ftonte në shtëpi, gatuante për ne, na tregonte episode të filmit, na kërkonte detaje. Ishte një nga filmat që jam ndjerë më mirë dhe duke u ndjerë kaq mirë edhe filmi doli në mënyrë të shkëlqyer.

 Ju keni 18 role në film, por në teatër?

Mund të kem rreth 70 role, them role, ku shumica janë role kryesorë.

Nga shumë filma që keni luajtur, kush ju ka ngelur më shumë në kujtesë?

E thamë mbi të gjitha filmi “Zonja nga qyteti”, pastaj filmi “Liri a vdekje”, “Shokët”, “Të shoh në sy”, e me radhë.

Në bashkëpunimin me shumë regjisorë kush të ka bërë më shumë përshtypje?

Të gjithë më kanë bërë  përshtypje. Secili ka metodën e tij të punës. Ndryshe punon Mevlan Shanaj, ndryshe  Pirro Milkani, ndryshe punonte Viktor Gjika, Sajmir Kumbaro, e të tjerë. Secili kishte metodën apo stilin e vetë në punë dhe veçantitë e veta dhe unë  me të gjitha kam shkuar shumë mirë, por dhe ata,  ishin të kënaqur pasi i zbatoja kërkesat apo udhëzimet e tyre, nuk isha dembel apo kokëfortë.

Po të vijmë në vitet e shkollës, kë nga emrat e mëdhenj ke pasur në klasë?

Kam pasur Osman Mulën, në nga shokët e mi më të afërt. Kam pasur Kosta Kamberin, Muhamet Sherin, etj…

Cili ka qenë roli i parë që ke luajtur si profesionist?

Mbasi mbarova Institutin e Arteve mua më caktuan në Fier, ku më caktuan për të bërë mbrojtjen e diplomës. Këtu kam luajtur në dramën “Heronjtë e Linasit”, rolin e Myrteza Kepit. Pastaj më emëruan në Korçë, ku luajta në një dramë të Namik Dokles, “Era e lartësive”.

 Në gjithë këto shfaqje të dhëna, a ka ardhur në sallë për të parë ndonjë shfaqje dikush nga ish -udhëheqësit e sistemit komunist?

Po, ka ardhur vetë Enver Hoxha, në vitin 1974 kur pa shfaqjen e komedisë “Zonja nga qyteti”. Duke parë se kjo komedi kishte pasur shumë sukses, Komiteti i Partisë së Korçës e ftoi për të ardhur për ta parë në Korçë shfaqjen. Ai erdhi kur të gjithë nuk e mendonin. Atë ditë ne dhamë maksimumin. Ajo ishte një shfaqje shumë realiste, një shfaqje që flet për problemet e kohës. Enveri madje, na tha pas shfaqjes që këtu trajtohen probleme të kohës. Kjo grua duhet të bëhet shembull për mënyrën se si hyn në jetën fshatare. Enveri foli me superlativa për shfaqjen. Regjisor ishte Dhimitraq Orgocka. Por aty duhet të theksoj lojën e bukur të Stavri Shkurtit, por edhe i madhi Pandi Raidhi. Enveri erdhi kur ne kishim  dhënë shumë shfaqje me shumë sukses. Madje, ai tha me zë të lartë se, “Pashë dy orë komedi, por m’u duk sikur ishte vetëm dy minuta”. Kjo na dha shumë krahë, pasi më vonë vumë në skenë “Shoqja nga fshati”. Edhe kjo komedi u bë film, pra të dyja komeditë tona u bënë ndër filmat më të shikuar të të gjitha kohërave.

Tashmë po rikthehesh pas 21 viteve me një rol tek drama “Kapitulli i dytë” i Neil Simon, si ndiheni me këtë rol?

Ndihem shumë mirë. Pra, sapo u ktheva nga emigracioni me mbështetjen e Zamira Kitas, mund të them se ky rol më ngjiti. Punuam me shumë përkushtim nën drejtimin e regjisorit të ri Qëndrim Rijani. Është një rol që e mora me shumë dëshirë dhe mendoj që e kam justifikuar. Kemi punuar në grup me shumë pasion dhe mund të them se është një rol tepër bashkëkohor.