Albana Melyshi LIFSCHIN/ Tomas Xheferson, autori i Deklaratës së Pavarësisë së Amerikës

889
Sigal

Presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

( Presidenca: 1801-1809)

Në 1962, Presidenti Xhon Kenedi, gjatë një darke në Shtëpinë e Bardhë me një grup fituesish të çmimit “Nobel”, tha: Ky është koleksioni më i shquar, i talentit dhe kulturës njerëzore, që është mbledhur ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë, me përjashtim të Tomas Xhefersonit që hante bukë veç”. Tomas Xhefersoni (Thomas Jefferson) ishte një nga idhujt politikë të Xhon Kenedit. Historian, arkitekt, avokat, muzikant, shkencëtar, filozof, diplomat, fermer, autor, guvernator i Virxhinias, sekretari i parë i shtetit amerikan dhe me vonë President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ishin tituj e ofiqe me të cilat ai u nderua gjatë jetës së tij. Por ajo që e ngre Xhefersonin mbi të gjithë të tjerët është autorësia e Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (4 Korrik, 1776).

Si guvernator i Virxhinias ai filloi të zbatojë menjëherë parimet e Deklaratës, autor i së cilës ishte ai vetë. Si legjislator ai shkroi Kushtetutën e shtetit të vet, siguroi lirinë e besimit duke i hequr statusin zyrtar Kishës Anglikane si e vetmja kishë, reformoi kodin kriminal dhe eliminoi ligjin që i jepte të drejtën fëmijës së parë për të trashëguar të gjithë pronën e familjes. Eliminimi  i tij bëri të mundur vendosjen e drejtësisë në familje dhe rriti numrin e pronarëve.
Në zgjedhjet e vitit 1800, Tomas Xhefersoni u zgjodh President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fjalimi i inaugurimit të tij në 4 Mars 1801, sipas Xhon Kenedit ishte nga më të shkëlqyerit që është dhënë ndonjëherë nga presidentët amerikanë. Tomas Xherfersoni i bëri thirrje popullit amerikan për t’u bashkuar në një të vetëm, për të restauruar harmoninë e dashurinë pa të cilat liria dhe vetë jeta humbasin. “Le të bashkohemi me një mendje e një zemër.  Mendimet e ndryshme nuk përbëjnë ndryshim në parime, … ne të gjithë jemi republikanë dhe të gjithë jemi federalistë”, tha ai.
Si president, Xhefersoni u përpoq ta bënte qeverinë sa më pak të kushtueshme, duke shkurtuar taksat, masën e ushtrisë etj.. Gjatë tetë vjetëve të presidencës së tij, ai zvogëloi debitin kombëtar në një masë të konsiderueshme. Ai rivendosi aktin e shtetësisë për emigrantët nëpërmjet së cilës shtetësia amerikane fitohej brenda 5 vjetëve (gjë që është trashëguar deri në ditët tona). Talenti i jashtëzakonshëm i të shkruarit, e ndihmoi Xhefersonin të shpjegonte qëllimet e tij. Parimet e tij të shprehura në mënyrë elokuente nuk mbetën fjalë, por u shndërruan në fakte nëpërmjet zbatimit të tyre në praktikë.
Nga natyra, Tomas Xhefersoni ishte modest. Ai besonte me sinqeritet që vlerat e njeriut nuk kanë nevojë për pompime e ceremoni të tepruara. Kur u bë president, ai nuk ndoqi formalizmat e presidentit të mëparshëm dhe minimizoi efektet e jashtme ceremoniale formale në pritjet e përfaqësuesve nga Europa. Gjatë darkave ai i jepte krahun çdo zonje që rastiste të ndodhej pranë tij, duke e vënë atë në krahun e djathtë. Zakonisht, presidenti Xheferson jepte darka të vogla, jo ekstravagante, por për Vitin e Ri dhe Ditën e Pavarësisë, dera e Shtëpisë së Presidentit* ishte e hapur për të gjithë. Të gjithëve u rezervohej e njëjta pritje, të pasurve e të varfërve. Në demokraci s’kishte trajtime të favorizuara. Të ftuarit mund të uleshin, ku të dëshironin, pa u kushtëzuar nga zgjedhjet paraprake. Gjatë punës, kur priste kongresmenë apo zyrtarë të lartë, i priste ata sipas orës që arrinin në zyrën e tij, jo sipas rangut. “Parimi i shoqërisë sonë – thoshte ai, është të drejta të barabarta për të gjithë. Askush s’duhet të jetë mbi ju, apo ju mbi të tjerët”.
Tomas Xhefersoni ishte një politikan i zoti. Ai njihte personalisht çdo kongresmen. Ai njihte jo vetëm pikëpamjet e tyre politike, por edhe forcën apo dobësitë e karakterit të tyre. Pavarësisht në ishin republikanë apo federalistë, ai i bëri të gjithë bashkë, pasi besonte se midis tyre nuk kishte diferenca të papajtueshme. Bashkimi i tyre në një kamp të vetëm e ndihmoi Xhefersonin të arrinte suksese në vitet e presidencës së vet e i dha një fitore të lehtë në zgjedhjet e dyta si president. Madje edhe Xhon Kuinsi Adams, i biri i presidentit të dytë i cili qe mundur në zgjedhjet presidenciale nga Xhefersoni, u bë xhefersonian. Por arritja më e madhe gjatë presidencës së tij ishte blerja e Luizianës nga Franca, që zgjeroi territorin e SHBA dyfish. Në politikën e jashtme Xhefersoni nuk ishte dhe aq i suksesshëm, pasi duke u përpjekur ta mbante atë neutrale me Europën, veçanërisht në periudhën e luftës Anglo-Franceze, kjo politikë e izoloi Amerikën nga tregjet ekonomike.
Në 20 vjetët e fundit të jetës së tij Tomas Xhefersoni jetoi në Monteçelo, duke u marrë me fermën e tij. Njerëzit e thërrisnin atë me respekt “Mençuria e Monteçelos”. Në shtëpinë e tij vinin vizitorë të panumërt dhe ajo i ngjante me shumë një hoteli se një shtëpie. Një nga vizitorët më të shquar të saj qe Markezi Lafajet që erdhi qëllimisht nga Franca të shikonte mikun e tij të vjetër në vitet e pleqërisë. Nga veprat më të fundit të Tomas Xhefersonit qe themelimi i Universitetit të Virxhinias më 1819.
Para së të vdiste Xhefersoni kishte lënë porosi që mbi varrin e tij të shkruhej:

Këtu është varrosur THOMAS JEFFERSON
Autor i Deklaratës së Pavarësisë
dhe
Ligjit të Virxhinias për Lirinë e besimit
dhe
Babai i Universitetit të Virxhinias

Xheferson, presidenti që dyfishoi sipërfaqen e SHBA-ve

Tomas Xhefersoni (13 prill 1743 – 4 korrik 1826) konsiderohet si një nga ish-presidentët më të respektuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai është një nga “baballarët” e themelimit të Amerikës, duke qenë njëherësh edhe autori kryesor i Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara (1776). Ai ishte Presidenti i tretë i SHBA-ve (1801-1809). Xheferson, i cili më parë kishte shërbyer si një diplomat, ka qenë Sekretari i parë i Shtetit të SHBA-ve (1790-1793) në presidencën e Xhorxh Uashingtonit. Xheferson u zgjodh zëvendëspresident në vitin 1976 në kohën e Presidentit Xhon Adams, për të qenë ai President në vitin 1801. Xheferson konsiderohet si një nga arkitektët e rritjes së Shteteve të Bashkuara, pasi gjatë presidencës së tij sipërfaqja u dyfishua. Gjatë periudhës së dytë të presidencës, Xhefersoni përgatiti draftin që ndëshkonte importimin e skllevërve në SHBA. I konsideruar si një figurë poliedrike, Xheferson ishte i interesuar thellësisht në shkencë, shpikje, arkitekturë, religjion dhe filozofi. Ai ishte një orator dhe shkrues i shkëlqyer. Pasi gruaja e tij, Marta Xheferson, vdiq në vitin 1782-n, pas 11 viteve martesë, Xheferson mbajti premtimin e saj dhe nuk u rimartua kurrë. Nga martesa e tyre lindën gjashtë fëmijë. Xhefeson vdiq në vitin 1826, në moshën 83-vjeçare. Ai është nderuar në shumë mënyra, përfshirë ndërtesa, skulptura dhe kartëmonedhën amerikane të prerjes 2 dollarë.

Nju Jork