Shtëpia Botuese Morava sjell botimet e saj të reja

639
Libri më i rëndësishëm i fantazisë për këtë dekadë
Titulli: Gjueti fronesh
Autor: George R. R. Martin 
Përktheu: Anxhela Çikopano
Nr i faqeve: 804
ISBN 978-9928-169-81-5
Çmimi 1800 lekë
Më në fund i shumëprituri “Gjueti Fronesh” në shqip në çdo librari. Një libër i përkthyer në më shumë se 30 gjuhë. Një përvojë që ju tregon fytyrën e vërtetë të njeriut përballë pushtetit, që do të lërë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tuaj. Për të mos u humbur!
Një libër që të mbërthen dhe nuk të lë ta lëshosh nga dora, derisa të kuptosh se si do të thuren komplotet për pushtet, në një botë ku krah njerëzve jetojnë në mënyrë krejt të natyrshme krijesa të botës së fantazisë, por ku njeriu me natyrën e vet makiaveliane përballë pushtetit është më i vërtetë se kurrë. Në “Gjueti fronesh” nuk do të gjeni kompromise, nuk do të kursehet as i miri e as i ligu kur i vjen çasti i tij. Në fund të fundit, jeta është cinike dhe ndonjëherë është pikërisht zgjuarsia për t’iu bërë ballë rrethanave të paparashikuara ajo që na bën të shkojmë përpara në botën tonë, kurse në botën kalorësiake të George Martinit kjo nuhatje të mban gjallë. Fabula është vërtetë e ngjeshur, e shkruar gjithë dinakëri në detaje, që autorit nuk i shpëtojnë kurrë, duke të dhënë imazhe të plotë, aq sa fillon ta kesh para syve të dy kontinentin e Perëndos dhe çdo tokë tjetër përtej tij. I shkruar me 8 këndvështrime personazhesh të ndryshëm, që ndryshojnë nga kapitulli në kapitull, romani vjen me një përqasje të re, që s’e bën kurrë të mërzitshëm dhe i shton ngjyrimet e karaktereve. Ja një fragment i shkurtër për të kuptuar shijen e penës së këtij autori: 
– Duhet të kthehemi, – i cyti Gerdi, teksa pemët qark filluan të terreshin. – Barbarët kanë vdekur.
– Paske frikë nga të vdekurit ti? – e pyeti Sër Uejmar Roisi me një buzëqeshje që i regëtinte në fytyrë. 
Gerdi nuk i ndenji lojës. Ishte burrë plak, i kish kaluar të pesëdhjetat dhe kishte parë boll lordë të rinj të vinin e të shkonin. 
– Të vdekurit janë të vdekur, – i tha. – Nuk kemi punë me ta. 
– Të kenë vdekur vërtet? – pyeti shtruar Roisi. – Çfarë provash kemi? 
– I ka parë Uilli, – ia ktheu Gerdi. – Nëse ai thotë që kanë vdekur, kjo më del e më tepron si provë.
Uilli e dinte që herët a vonë do ta fusnin bedel në sherr. Por po shpresonte që të ishte më mirë vonë, se herët. 
– Ime më thoshte gjithmonë se të vdekurit nuk bilbilosin, – ia preu. 
– Edhe mëndesha ime të njëjtën gjë thoshte, Uill, – ia ktheu Roisi. – Po kurrë mos i beso ato që dëgjon në gjirin e një gruaje. Mëson gjëra edhe nga të vdekurit, – jehoi zëri i tij, ca më fort nga çduhej nëpër mugëtirën e pyllit. 
– Kemi bërë rrugë të gjatë, – i tërhoqi vëmendjen Gerdi. – Kemi nja tetë a nëntë ditë që ecim dhe po bie nata. 
Sër Uejmar Roisi i hodhi një sy qiellit gjithë mospërfillje. 
– Këtë avaz ka çdo ditë në këtë orë. Mos të zënë ethet e burracakërisë në errësirë, ty Gerd? 
Uilli pa se si iu tendosën cepat e buzëve Gerdit, ia lexoi në sy zemërimin që me zor po e ndrydhte, nën kapuçin e pelerinës së tij të trashë e të zezë. Gerdi kish kaluar dyzet vjet të jetës me Rojtarët e Natës, ish arrirë e burrëruar me ta dhe nuk ish mësuar ta vinin në lojë për këto punë. E megjithatë diç tjetër ziente. Uilli po nuhaste diçka edhe më të thellë se krenaria e plagosur. Madje arrije t’ia ndieje edhe shpërshijen në gojë, një tension gjithë nervozizëm, që shkonte gjer në kufi të frikës.
Uilli vetë ndihej po aq në ankth sa edhe ai. Kishte qëndruar katër vjet tek Kufindarësi. Herën e parë që kishin dërguar përtej, të gjitha rrëfimet e vjetra i ishin ngjallur në kokë dhe desh i kishte shkuar barku ujë. Më vonë tallej me këtë. Pas qindra inspektimeve tani pa frikë mund të quhej veteran dhe zona e shkretuar, që jugorët e quanin Pylli i Shtrignive nuk fshihte më tmerre për të. 
Deri më sot. Sonte seç kishte një gjë ndryshe. Ky terr fshihte një si teh që po ia ngrinte qimet përpjetë. Për nëntë ditë me radhë ishin ngjitur drejt veriut, veriperëndimit e pastaj sërish për në veri, çdo ditë e më larg Kufindarësit, qepur këmbë pas këmbe një bande barbarësh mizorë. Çdo ditë kishte qenë më e mbrapshtë se ajo që i paraprinte. Por e sotmja dukej më keq nga gjitha. Një boricë e acartë frynte nga veriu dhe i bënte pemët të shushurinin si të ishin të gjalla. Uilli kish gjithë ditën që ndjente një palë sy mbi shpinë, sytë e diçkaje të akullt e të pamëshirshme, që nuk është se i donte të mirën. Edhe Gerdi e kishte ndjerë. Uilli donte me gjithë shpirt t’u grahnin kuajve me galop e ta mbanin frymën veç tek zona e sigurt e Kufindarësit, por këto nuk ishin nga ato shqetësime që mund t’i ndaje me komandantin. 
Le pastaj me një komandant si ky i tyri. 
I cilësuar nga kritika si “Libri më i rëndësishëm i fantazisë për këtë dekadë”, apo “Një sagë e shkëlqyer me një fabul të ndërlikuar gjithë krijimtari, padyshim që “Time” ka të drejtë kur thotë: “Nga ata që ndjekin traditën e madhështisë së fantazisë epike, Martin është pa dyshim më i miri. Në fakt, mund ta themi me gojën plot se ka ardhur çasti ta shpallim Tolkien i Amerikës”.
Vjen në shqip romani novator i Giuseppe Pontiggias
Titulli: Të lindur dy herë
Autor: Giuseppe Pontiggia
Përktheu: Agim Doksani
Nr i faqeve: 192
ISBN 978-9928-169-80-8
Çmimi: 900 lekë
I hidhur dhe dramatik, por edhe grotesk e komik, ironik dhe pasionant, ky roman rrëfen marrëdhënien e një babai me djalin e tij me aftësi të kufizuara. Teksa i prin udhën nëpër grackat e jetës të birit, nga lindja në adoleshencë, babai mëson nga djali artin e të jetuarit jo për të qenë “normal”, por vetëm vetvetja. Rreth dy protagonistëve rrotullohet një dorë personazhesh që mishërojnë reagimet e ndryshme karshi handikapit: mos përgatitjen dhe cinizmin, ndrojtjen dhe marrëzinë, por edhe dashurinë e pakufishme dhe solidaritetin altruist. Kjo ndodh nga që fëmijët me aftësi të kufizuara “lindin dy herë: të parën të papërgatitur për botën, të dytën duke iu besuar inteligjencës dhe dashurisë së të tjerëve”. Duke hequr dorë nga të gjitha tundimet patetike apo vetëngushëlluese, Giuseppe Pontiggia na dhuron një roman novator, plot jetë dhe emocione, që është në gjendje të përballojë me qartësi një temë që ka të bëjë me gjendjen e njeriut.
“… kam provuar t’i mbyll sytë një hop dhe t’i çel prapë. Kush është ai djalë, që ecën duke u epuar përgjatë murit? E shoh për herë të parë, është një i paaftë fizikisht. Mendoj sesi do të kish qenë jeta ime pa të. Jo, nuk mundem. Mund të përfytyrojmë shumë jetë, por jo të heqim dorë nga e jona”.
Sigal