Flet Gojard Dajiu: Ju tregoj për “Koncertin Variete”, Festivalin e 11-të dhe drejtuesit e TVSH në vite

642
Sigal

Kujtimet e ish redaktorit të parë të Televizionit Shqiptar, Gojard Daiu: TVSH e asaj kohe mbetet ikonë dhe minierë arkivash

-Ju tregoj për “Koncertin Variete”, Festivalin e 11-të dhe drejtorët e TVSH

-Kemi realizuar rreth 270 Koncerte Variete

– Ndër të parët që hodhën këtë trase kanë qenë Albert Minga, Mevlan Shanaj, Fuat Bozgo,

TVSH kthehet në televizion partiak sa herë ndërrohen qeveritë

Gazeta Telegraf

Për më shumë se 4 dekada në TVSH ai është një arkiv më vete. Kujtimet e tij janë nga më befasueset, pasi plot befasi është dhe jeta e tij. Të punoje në RTSH në monizëm nuk ishte privilegj por mbi të gjitha përgjegjësi. Atë kohë gabimi nuk të falej. Punohej ditë e natë dhe shumë herë pa pagesë. Gjithë Shqipëria i kishte sytë vetëm tek TVSH.

Në kujtimet e tij vërehen detaje jetësore interesante, pasi ai ishte në shtatëshen e parë të krijimit të televizionit të parë dhe të vetëm shqiptar.

-Tashmë me pult në dorë shikon dhjetëra kanale televizive dhe nuk mund të zgjedhësh. Po TVSH e monizmit si ishte, çfarë  solli në popull? Si vjen ai në kujtimet tuaja?

RTSH ka një histori të gjatë dhe të madhe. Ishte i vetmi televizion për 35 vjet dhe si i tillë ka një arkiv, që se ka askush. Si sot më bijnë në mendje ditët e para. Ato ditë që nuk harrohen. Ditët e para kanë qenë të bukura, por të vështira. Ndër të parët që hodhën këtë trase kanë qenë Albert Minga, Mevlan Shanaj, Fuat Bozgo etj… Të gjithë në atë kohë rrinim në një zyrë dhe shkëmbenim informacione dhe eksperienca për njeri tjetrin. Fillimet e mia në TVSH këtë gjigand të medias vizive shqiptare i përkasin vitit 1970. Para se të shkoja në televizion unë fillova punë në radio si redaktor muzike, në një emision për rininë. Me magnetofon në dorë shkoja ndërmarrje më ndërmarrje, institucion më institucion për ta përgatitur sa më mirë emisionin. Ne çdo gjë e bënim në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe jo nga zyra. Pastaj sa u rregullua godina e re e RTSH mua direkt më kaluan në televizion si redaktor muzike në redaksinë e kulturës. Në fillimet e para ne ishim shtatë veta. Shefi im i kulturës ka qenë Fuat Bozgo.

 

 Një jetë të tërë në atë isntitucion  a keni ndonjë peng? Si do ta cilësosh sot TVSH?

Sigurisht që kam. Një peng që koha nuk ma lehtëson. Si peng kam që kur dola në pension të më kishin bërë një darkë përcjelljeje. Thjesht po t’u them se kam bërë rreth 270 variete, një punë kolosale. Një punë që sot nuk imagjinohet duke ditur teknikën e kohës, sistemin që jetonim dhe kërkesën e lartë të llogarisë. Për mendimin tim sot tek punonjësit e TVSH nuk ka motivim. Paguhen pak punonjësit dhe pse është televizion mëmë. Së dyti është se kthehet në televizion partiak me ndryshimin e qeverive. Kjo do të thotë që nuk është një televizion publik, por një televizion qeveritar.

 

-Flitet shumë për emisionet e para në TVSH… Punë kolsale, takime, shkresa, ide, mendime. Po për ju cili ka qenë emisioni i parë i juaji në television?

Emisioni im i parë ka qenë një koncert që e kam bërë në Peshkopi me këngëtaren Liri Rasha. Në atë kohë Liria mund të ketë qenë 17 vjeçe.  Regjisor ka qenë Mevlan Shanaj, operator Stefan Gajo,  Gjergj Shteto ka qenë operator zëri. Me Lirinë për të xhiruar shkuam në Zall Dardhë të Korçës. Pas realizimit të këtij emisioni filluam të regjistronim koncerte të ndryshme nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë. Pikërisht në këtë kohë u hodh një mendim për të bërë një spektakël me humor në televizion. Duke qenë se s’kishte shumë punonjës, që e njihnin këtë fushë dhe duke qenë se unë pak a shumë e njihja këtë sektor e mora unë këtë emision të spikatur që u quajt Koncert variete. Ky koncert filloi në vitin 1971 dhe jepej çdo të shtunë. Ishte një koncert mjaft domethënës, që përmblidhte, skeçe, parodi, këngë, grimca humoristike, recitime, pantonima, etj…Unë punoja gjatë gjithë javës për këtë emision. Mblidhja materialet nëpër estradat e rretheve, shkoja kudo ku kishte shfaqje me humor, dhe deri të premten punoja orar pa orar që t’i montoja. Shpesh herë i lajmëroja trupat e estradave që të vinin të mërkurat në Tiranë ku unë bëja xhirimet e rastit, pasi nuk kishim atë teknikë që të bënim xhirime nëpër rrethe. Deri të shtunën në drekë punoja për montazhin dhe zërin dhe në darkë pas emisionit të lajmeve jepej Koncerti Variete, i cili ritransmetohej të dielën në mëngjes. Ky ka qenë i pari emision në televizion që ishte realizuar me titra të plota. Emisioni zgjaste një orë e një çerek. Mund të them  se dhe skenarin e kisha përgatitur vetë.

 

Po në festivalin e 11-të çfarë pozicioni kishit? A ju  dënuan pas këtij Festivali?

Në këtë Festival të shumë diskutuar unë isha redaktor muzike, për televizionin, sepse kishte redaktor edhe për radio Tiranën. Mua më çuan në Rrëshen, Aleksandër Lalon në Kukës, Françesk Radin në Pukë, etj…Thuajse të gjithë pjesëmarrësit u dënuan . Ishte një periudhë e vështirë për mua. Po largohesha nga TV dhe nga Tirana që s’isha larguar kurrë.

Kur u rikthyet sërishmi në televizion?

Në vitin 1975, kjo për arsyen se Koncerti Variete nuk po realizohej si duhej. Kjo ishte arsyeja pse më thirrën prapë në televizion. Mua në atë kohë më zëvendësoi Kadri Metohu. Kjo punë kishte një radhë, që unë ja kisha marrë dorën sikurse unë kisha krijuar dhe lidhjet e mia. Fillova sërishmi si redaktor i Koncertit  Variete: punë të cilën e vazhdova deri në vitin 1980. Në këtë vit u bënë  ca lëvizje në televizion dhe mua më çuan në Prezë si përgjegjës i kulturës i zonës Prezë, Vorë, Marikaj. Këtu punova pesë vjet  deri në vitin 1985. Pas këtij viti punova si metodist në Pallatin e Kulturës  ku bëja koncerte të mëdha për televizionin. Në vitin 1990 më emëruan Drejtor të kinemave të Tiranës dhe pas  dy vjetësh sërishmi në televizion me Koncertin Variete, i cili dalëngadalë filloi të sfumohej dhe filluam koncertet e mëdha me Vera Grabockën. Në këto spektakle kam qenë redaktor dhe koordinator me Vera Grabockën si “Rreth fatit për 12 javë”.

Në aspektin e realizimet të spektakleve kur e ke parë veten më keq në televizion?

 

Eh! Në një  spektakël që pata bërë në televizion me Ylli Pepon, “Fituesja e fitueseve” , një spektakël me tre puntata,  ku ishin 12 fitues të anketave të radios dhe nga prej tyre nxirrnim këngën më të mirë të vitit. Ishte një spektakël shumë interesant me elementë të  ndryshëm si karikaturistë dhe këngëtarë të tjerë jashtë konkurrimit, që bëri bujë. Filluan të qarkullojnë fjalë se ky emision është kopjuar nga emisionet italiane. të Rafaela Kara. Filluan menjëherë kritikat nga KQ, sepse emisioni ishte shumë i avancuar për kohën, sepse thoshin kanë kopjuar Rafaela Karanë që në fakt kishte një lloj kopjimi. Desh na pezulluan nga puna.

Sigurisht shumë ditë të bukura por cila ka qenë dita më e vështirë në televizion?

Ka qenë dita kur u bë mbledhja dhe po kryqëzohej ish Drejtori i Përgjithshëm i RTSH, Todi Lubonja, pas Festivalit të 11. Atë ditë erdhën në RTSH, Ramiz Alia dhe Fadil Paçrami.  Në këtë Festival Todi ishte Drejtor i Përgjithshëm, ndërsa Mihallaq Luarasi ishte regjisor i Festivalit. U mblodhëm në sallën e madhe. Ishte një ditë e zymtë. Më vinte keq që e shihja Todin në atë gjendje. Ishte një njeri shumë i përgatitur. Por ishte dhe ana tjetër, sepse ky Festival ishte një tavë shumë e madhe ku dhe unë isha pjesë e kësaj tave që e mora dhe unë pjesën time. Të gjithë kishim frikë. U bë një zallamahi e madhe. Todi u mbrojt edhe me veprat e Enver Hoxha, por si duket orientimet ishin të dënohej. Por ditë të vështira kisha frikë çdo të hënë se mos merrnin nga KQ për Koncertin Variete se mos kisha bërë ndonjë gabim.

Ka pasur raste që të kanë kritikuar?

P.sh. Njëherë nxora Flutura Çangun në një Koncert Variete me një bluzë gjysmë të bardhë gjysmë të zezë. Direkt mori në telefon nga KQ shoqja Nexhmije Hoxha, e cila tha që: Ç’ishte ajo ekstravagancë në veshjen e asaj drejtueses së Koncertit? Sa çudi, sepse ne tregonim shumë kujdes, madje i hiqnim të gjitha unazat, byzylykët, varëset kur dilnin në prezantim. Këto ishin shfaqje të huaja, shfaqja borgjezo-revizioniste. Për këtë veshje mora një vërejtje për pushim nga puna.