Shpendi Topollaj: Talenti dhe pasioni i Gjergj Doçit, kanë krijuar një galeri të tërë personazhesh mbresëlënëse

1233
Sigal

Nga kursi i tij dolën mjaft artistë të shquar si Ndriçim Xhepa, Bujar Asqeriu, Agim Bajko, Paskualina Gruda

Talenti dhe pasioni i Gjergj Doçit, kanë krijuar një galeri të tërë personazhesh mbresëlënëse

SHPENDI TOPOLLAJ

Duke folur rreth talentit, Pablo Pikaso, ai që e shtyu si pakkush më tej artin modern, pati thënë se “Çdo fëmijë është artist. Puna është të mbetet artist kur të rritet”. Kështu ngjau edhe me aktorin e njohur Gjergj Doçi, djalin e mësuesit të nderuar Nikollë Pjetër Doçit nga Spaçi i Mirditës, i cili qysh kur ishte shtatë vjeç, u ballafaqua me skenën, duke deklamuar për punëtorët e minierës, poezinë “Adriatiku qesh” të poetit shkodran Llazar Siliqi. Dhe ja tani, pas plot 56 vjetëve, në rrugëtimin e tij të pandërprerë artistik, ai sërish del në skenat e vendit dhe të Evropës, me deklamimin e dramatizimit të veprës “Rrëfime” të të mirënjohurit At Zef Pllumit. I lindur në vitin 1956, Gjergji shkollën fillore,e kreu në vendlindje dhe më pas shkon te të afërmit e tij në Tiranë, ku përfundon arsimin shtatë-vjeçar dhe ku i lë mbresa, veç të tjerëve, mësuesja e letërsisë Lavdie Xhuvani. Vazhdon të mesmen Pedagogjike “17 Nëntori”, që drejtohej nga Vangjeli Mele e më pas nga Shpresa Kasimati dhe ku gjen mësues që punonin me aq përkushtim e profesionalizëm, si Qazim Turdiu, Zija Dajaka, Leonora Shkurti etj., të cilët duke pikasur aftësitë e tij, e nxisnin të ndiqte studimet e mëtejshme për t`u bërë aktor ose regjisor. Dhe pasi e fitoi konkursin, Gjergji nisi studimet në Institutin e Lartë të Arteve, dega dramë e aktrim. Duke pasur rektor të madhin Ibrahim Madhi, shef katedre regjisorin Esat Oktrova që kishte studiuar në Moskë dhe pedagogë të tillë si Vera Zheji, Birçe Hasko, Gëzim Kame etj., nga kursi i tij dolën mjaft artistë të shquar që do të bënin emër në skenat dhe ekranet tona, si Ndriçim Xhepa, Bujar Asqeriu, Agim Bajko, Paskualina Gruda (Shllaku), e deri te i pafati që premtonte shumë Misto Dako nga Lushnja, por që e rrëmbeu vdekja para kohe. Ai, qysh në këtë kohë aktivizohet në role të ndryshme teatrore dhe, në vitin 1980, në sallën e Teatrit Kombëtar, mbron diplomën me rezultate të larta dhe fillimisht emërohet në Estradën Profesioniste të Kukësit, ku për gjashtë vjet punon me pasion me drejtues dhe artistë si Ali Bardhoshi, Bilbil Hereni, Zehrudin e Kleopatra Dokle etj. Duke përgatitur dhe dhënë deri tetë shfaqje në vit. Duke shkuar fshat më fshat, janë me dhjetëra rolet e realizuara me shumë sukses nga Gjergj Doçi, i cili me karakteret e krijuara, përherë korrte duartrokitjet e spektatorëve të shumtë. Për më shumë se një vit, Gjergji emërohet regjisor në Shtëpinë e Kulturës Gramsh, ku përveç se vuri në skenë me një trupë amatore, pjesën “Nesër është vonë” të Ruzhdi Pulahës, bëhet dhe nismëtar i instalimit të rotativit (skenës rrotulluese), pasi bindi kryetarin e Komitetit Ekzekutiv Bajram Neza, për të kërkuar ndihmën e inxhinierëve të Uzinës aty pranë. Në vitet 1987 – 1989, Gjergji transferohet në shtëpinë e Kulturës Korçë, ku ndien nga afër ndihmën dhe përkrahjen e Artistit të Popullit, të ndjerit Stavri Shkurti, dhe ku veç të tjerash, merr pjesë së bashku me aktorin e humorit Xhevahir Zeneli, në filmin “Shkëlqimi i përkohshëm”. Vjen në qytetin e Kavajës, ku për rreth tetë vjet punon në Shtëpinë e Kulturës me kuadro mjaft të mira si kompozitori Rexhep Hasimi dhe regjisori simpatik dhe me shumë vlera Qemal Mehmeti, si dhe fiton respektin e intelektualëve dhe njerëzve të thjeshtë. Nga viti 1999 – 2002 provon fatin në emigracion, prej nga kthehet, dhe pas një ndërprerjeje, në vitin 2010 fillon punën si aktor në Teatrin “Aleksandër Moisiu” Durrës, falë edhe dashamirësisë së ish kryetarit të Bashkisë, z. Vangjush Dako. Këtu, duke pasur drejtues, dramaturgun Bashkim Hoxha, nis riafirmimi i tij, duke realizuar rolet që i besoheshin, si në montazhet poetike ashtu edhe në pjesët që viheshin në skenë. Kështu, Gjergjin e shohim të luajë te “Kush e solli Doruntinën” (varrmihësi), me regji të Laert Vasilit, “Romancë në botën e krimit” e Bashkim Hoxhës (korifej), me regji të Adelina Muça, “Martesa” e Çehovit (Çubakovi), me regji të D. Dervishit, “Elektra” e Sofokliut (kujdestari i Orestit), me regji të L. Vasilit, “Shërbëtori i dy zotërinjve” me regji të Hervin Çulit, “Ëndrra e një nate vere” me regji të D. Dervishit dhe “Askushi”, “Heronjt e viagrës”, “Këtu vallëzohet me hijet” të B. Hoxhës, “Shtëpia misterioze” me regji të Ben Apolonit, “Revizori” i Gogolit me regji të D. Dervishit etj. Po ashtu Gj. Doçi ka luajtur edhe në filmat “Gjahu”, “7 ditë”, “Konvergjenca” etj, ku spektatorit i ka mbetur në mendje loja e tij aktoreske për krijimin e karaktereve. Një vend të rëndësishëm në gjithë veprimtarinë e tij skenike, zë pjesa monodramë “Rrëfime” sipas motiveve të At Zef Pllumit e përshtatur nga zoti Bashkim Hoxha dhe e inskenuar nga Adelina Muça, shfaqur në disa vende si Durrës, Vlorë, Shkodër, Ulqin, Skoci, Maqedoni e Veriut, Kosovë etj. Së shpejti, kjo pjesë e suksesshme, e vënë në skenë edhe nga Arben Derhemi etj. do të jepet edhe në disa vende të tjera si Gllaskou, Edinburg etj. Është përkthyer nga mbesa e këtij aktori, Ledia Doçi e cila jeton e punon në Skoci dhe është titruar nga Julian Shyti. Një punë mjaft të mirë kanë bërë me posterin e saj dy artistët babë e bir, Gëzim e Indrit Domi. Çdo ditë aktorin Gjergj Doçi do ta gjesh në prova, në mjediset e Pallatit të Kulturës, duke u përgatitur për rolin e radhës dhe kushdo që e takon, do dallojë te ai thjeshtësinë dhe modestinë. Ashtu sikurse do të gjejë tek ai sinqeritetin ndaj miqve, dashamirësinë për të tjerët dhe sidomos gatishmërinë për të ndihmuar pa asnjë interes, këdo që ka nevojë për kontributin e tij në veprimtaritë që organizohen. Kur e pyet në ka ndonjë merak për ndonjë rol ende të pa luajtur prej tij, ai thotë se do të zgjidhte diçka nga 37 dramat dhe komeditë e Shekspirit. Dhe kur e pyet pse nga Shekspiri, përgjigjet: “Se ai i ka kënduar si rrallëkush të drejtës së kujtdo për ta jetuar jetën si i barabartë me të tjerët dhe sidomos për t`u ndierë përherë i lirë”. Ndaj edhe kur bisedon për atë që duhet të synojë aktori, ai përmend B. Brehtin që thosh: “Të zgjojë mendimin, të shkojë te zemra e shikuesit përmes mendimit…” Kjo mbetet edhe motua e atij që e nisi rrugën e vështirë dhe të bukur të artit qysh 7 vjeç dhe mbeti i tillë. Pra, artist, edhe sot që mbushi 63 vjeç.