Sigal

Më 20 gusht në Tomorr do të ushtojë kënga e Grupit Folklorik “Demir Zyko”. Simbolet e këngës qytetare Dule Malindi, Teuta Skrapari, Dashuri Hysaj, Antoneta Doko, Shkëlqim Beshiri dhe Behar Spahiu

NGA Kastriot Caka

Kënga skraparase në breza ka jehuar si sirenë e shpirtit. Skraparasit e kanë pasur në breza si ngushëllim por dhe si kënaqësi të shpirtit. Me këngën ai shkonte në luftë, shkonte në punë e kudo. Ngushëllohej dhe gëzohej. Sa e sa këngëtarë që mbetën anonimë kanë bërë histori në këngë duke kënduar në skenat “mbretërore”, në ara, në male dhe në lëndinat me trëndelinë. Tregojnë për këngëtarin e madh Demir Zyko se këndonte që fëmijë, në fshatin Gjerbëz të Skraparit. Aje tek ruante bagëtinë ngjitej në një majë shkëmbi dhe ia merrte këngës. Nga honet e thella oshtinte zëri bilbil i Demirit, teksa nëna e dëgjonte dhe merrte mesazhin që djali ishte shëndoshë e mirë. Kështu erdhi në vite kënga duke u rritur dhe përmirësuar . Festivalet folklorike kombëtare, po nxirrnin në skenë, këngëtarë të shquar si Demir Zyko dhe Medi Kushe, këngëtarët e Strorës, si Belul Strora dhe Asllan Ibro, si dhe dhjetëra e dhjetëra të tjerë, që me zërin e tyre melodioz kanë tundur skenat e festivaleve kombëtare. Këngëtari Demir Zyko mbeti legjenda e këngës popullore, zëri i tij mbahet dhe përhapet deri në botë nga shqiptarët. Xhevahir Spahiu “mbreti” i vargjeve në këngë, thuri nga vargjet më të bukura, të gjithë këngëtarët bridhnin të rrëmbenin vargjet e Xhevos së madh e që sot kanë mbetur perlat e këngëve skraparase. Xhevua dinte të zgjidhte vargje të bukura të thesarit popullor. Xha Demiri ishte në hall një herë kur do këndonte një këngë në festivalin e Gjirokastrës dhe vajti i kërkoj ndihmë Xhevos. Po e kemi gati i tha Xhevua, o Demir, a ka më e bukur se kënga “Mbeçë more shokë mbeçë”. Dhe kështu u bë, ajo mbeti e përjetshme në fondin e këngëve shqiptare me zërin brilant të Demir Zykos. Të gjithë mundohen ta imitojnë Demirin, por vetëm sa e gërvishtin, ai mbetet ikonë unike e këngës dhe përjetësisht i papërsëritshëm.

Po sot ç’bëhet me këngën?

Edhe sot me gjithë mangësitë ka një angazhim dhe përkushtim, ende ecet në rrugën e traditës, kënga skraparase ruhet, tabani dhe motivet e saj. Këngët e të parëve këndohen nga këngëtarë të rinj, që ata e kanë ruajtur dhe kënduar me pasion. Kemi këngëtarë me të cilët Skrapari krenohet. Ata marrin pjese në festivale kombëtare, pse jo edhe në aktivitete jashtë vëndit, si në Ankona, e Fermo të Italisë. Shqiptarët emigrantë atje në bashkëpunim dhe me shqiptarë të hershëm arbëreshë kanë ngritur shoqatën “Skënderbeg”. Janë emigrantët si Nebi Muça, Gëzim Zira, Granit Muça, Petrit Seiti, Hamit Corrogjafi e të tjerë që kanë gjallëruar jetën e shqiptarëve atje, kanë ngritur bustin e Skënderbeut dhe në shtator do organizohet një event në nder të shenjtërimit të Nënë Terezës. Këngëtari popullor Shkëlqim Beshiri nga Tërpani i Beratit që i pëlqen të thotë me shaka: “Jam nga Skrapari!”, është një nga ata që e frekuenton shumë këtë shoqatë, pasi ka dhe djalin atje. Ai merr pjesë shpesh në aktivitetet e kësaj shoqate me këngët e tij burrërore dhe epike që pëlqehen shumë. Së shpejti, thotë ai do bëjmë një koncert në Fermo ku do marrin pjesë këngëtarët si: Behar Spahiu, Dule Malindi, Dallëndyshe Hysaj, Antoneta Doko dhe të tjerë. Shqiptarët aty janë bërë të nderuar dhe respektuar. Granit Muça konkurron në këshillin e komunës, ata janë bërë pjesë e atij komuniteti, ku merren vendime në interes të tyre. “Kam bërë shumë këngë për Skraparin, thotë Shkëlqimi, për trimat, heronjtë, në variantin e polifonisë skraparase. Këngën e Skraparit nuk do ta lëshoj, do t’ua kaloj edhe fëmijëve të mi, sepse është e bukur, ka emocion, do ruajmë traditat dhe te ruajnë tabanin kombëtar.” Në Kalabri do bëjmë një koncert me këngë popullore që e kemi biseduar me këngëtarët e grupit Folklorik “Demir Zyko”, ishalla e realizojmë, duke kërkuar dhe mbështetje tek ndonjë sponsor!. Skrapari dhe krahina e Beratit ka shumë djem të mirë që janë dhe biznesmenë, por ende nuk ua kemi parë hairin.”

Behari Spahiu

Ky këngëtar simpatik tashmë është bërë i pëlqyeshëm për publikun e këngës. Ku nuk e sheh Beharin në shumë e shumë evenimente, festa, dasma dhe gëzime familjare. Në festën e madhe të Tomorit, në gusht Behari, Dulja, dhe të gjithë këngëtarët e grupit folklorik “Demir Zyko” do mbajnë me ditë të tëra festën e malit dh këngët e tyre do pushtojnë këtë mal të madh dhe gjigant. Behari ka plane për të bërë disa vidioklipe për shenjtorët, Ali Gostivari dhe të tjerë.

Teuta Skrapari

Me zërin e saj brilant e kemi parë në sa e sa skena me koncertet e mrekullueshme, duke kënduar e bashkëpunuar me këngëtarë të njohur si Petrit Lulo e të tjerë. “E kam trashëguar, këngën thotë Teuta, nga gjyshi Ceke nga Strora, një ndër këngëtarët e shquar të festivalit të Gjirokastrës. Unë jam betuar – thotë ajo – që kurrë nuk do ta braktis këngën, me të do të vdes.” Teuta edhe pse ka 4 fëmijë dhe me shumë halle familjare nuk heq dorë nga kënga, kënga për të është pjesë e shpirtit, krahas halleve ajo jeton për ditë me këngën, ka bërë disa këngë të reja si dy “Mbretëreshat shqiptare” dhe disa kolazhe këngësh dasmash të regjistruara tek Folku, në radio e televizione.

2 këngëtare kushërira; Dashuri Hysaj dhe Antoneta Doko

Ndërsa rrinë të heshtura gjatë bisedës dhe flasin pak, e marrin fjalën në fund. Ato janë këngëtare që zbukurojnë skenat me bukurinë dhe zërat e tyre melodiozë. Këngëtarë që rrezatojnë talent, edukatë dhe kulturë. Këngët e tyre janë të veçanta në traditën popullore. Dashja thotë nuk heq dorë nga tabani popullor, nga tradita e këngës skraparase. “Ma pëlqejnë shumë këngën, dhe jam e kënaqur, por jemi të ngarkuara shumë me punë se nuk jetohet vetëm me këngë!”.

Të gjithë këngëtarët janë optimist në të ardhmen, kemi besim thonë ata se drejtuesit e shoqatës “Tomori” do na mbështetin që të realizojmë sa më shumë koncerte për ta mbajtur gjallë këngën. Kemi besim te Z. Engjëll si drejtues i shoqatës, duke qenë dhe drejtues në mendja se do na mbështesë në promovimin e këngës sonë, në evenimente të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit.

Një konsideratë të lartë shprehin ata dhe për dirigjentin dhe presidentin e ansamblit folklorik “Demir Zyko”, i cili ka qenë gjithmonë i angazhuar dhe i përkushtuar për të na promovuar në aktivitete të ndryshme duke kontribuar me të gjitha mënyrat.