“Rilindja” e turizmit: Çdo fillim sezoni plazhi, IKMT vërsul fadromat për shkatërrime në bregdet

572
Përparim HALILI
Skenar i paramenduar, për të larguar pushuesit shqiptarë në plazhet e botës dhe për të frenuar ardhjen e turistëve të huaj
Kjo “çudi” nuk është rastësi, që në çdo vit, në çdo në fillim të muajit maj e deri në fund të muajit gusht, IKMT vërsul fadromat nëpër qytetet bregdetare dhe plazhet e tyre, duke kthyer mjediset në gërmadha që lihen pa u pastruar…
Edhe këtë fillim sezoni plazhi, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka njoftuar se është vërsulur në bregdetin shqiptar, me pikënisje Vlorën, për të nisur shkatërrimin e objekteve të paligjshme. Dy ditë më parë, fadromat e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), kanë zbarkuar në Vlorë, për të nisur aksionin e përvitshëm të rrafshimit të objekteve të piketuara prej këtij inspektorati. Është krejt ligjore që të rrafshohen ndërtimet pa leje, jo vetëm në bregdet, por edhe në fshatrat më periferikë të vendit, ku nuk cenojnë as projekte zhvillimi urban. Por pyetja qëndron në “çudinë”, se përse këto prishje objektesh që rikthejnë gërmadhat, zhurmat, stresin, pluhurat dhe shëmtinë në bregdet, nisin dhe vazhdojnë vetëm në nisje dhe gjatë sezonit të sezonit të plazhit?! Në aksionin shkatërrimtar që do të nisë sot më 3 maj 2017, thuhet se do të prishen 3 objektet e para në zbatim të projektit të “Agupunturës Urbane”, që synon rikualifikimin e hapësirave ndërmjet pallateve, kthimin e parametrave të distancës mes objektive por edhe rikthimin e hapësirave të gjelbra. Dakord, po përse këto shkatërrime nuk u bën nga 1 Tetori i vitit 2016 e deri sot në datën 3 maj 2017? 

Kjo “çudi” nuk është rastësi, por mendojmë se është një skenar për të larguar në plazhet e botës pushuesit shqiptarë dhe për të frenuar ardhjen në Shqipëri të turistëve të huaj. Shpjegim tjetër, nuk ka! Mbasi çdo vit, ndodh që në fillim të muajit maj e deri në fund të muajit gusht, IKMT vërsul fadromat nëpër qytetet bregdetare dhe plazhet e tyre, duke kthyer mjediset në gërmadha. pas muajve të plazhit, fadromat largohen për t’u rikthyer përsëri me sulmin e tyre për rrafshimin e objekteve të tjera! Dhe jo vetëm kaq, por këto shkatërrime që bëhen nga IKMT, shoqërohen me konflikte të ashpra e të shumta mes policisë dhe banorëve, duke krijuar situatë të rënduar që detyron pushuesit të mos shkelin në këto qytete për pushime. Kush i jep këto urdhra? A është bërë bilanci, se sa humbje financiare ka turizmi bregdetar? A kuptohet se me këtë aventurë, shkatërrohet përfundimisht imazhi turistik i bregdetit shqiptar? E jo vetëm kaq, por ka dhe probleme të tjera në lidhje me ndotjet e plazheve dhe hapësirave detare. Çdo vit, në fillim dhe gjatë sezonit të plazhit, në ujërat detare shqiptare derdhen mbetje hidrokarburesh, mbetje urbane e hidhen deri kafshë të ngordhura? Kjo ka ndodhur në Vlorë, Sarandë, Durrës, Ksamil, Velipojë, Himarë, Dhërmi, Borsh, Shëngjin, Divjakë, Golem e në pothuajse në gjithë vijën bregdetare, të frekuentuar pasivisht nga pushuesit. Po kështu, në vijat bregdetare brenda qyteteve e zonave të plazhit, çdo fillim sezoni fillon edhe derdhja e ujërave të zeza, të lëshuara nga shërbimet e Ujësjellës-Kanalizimeve të bashkive. Ashtu si shkatërrimet e objekteve edhe ujërat e zeza, “çuditërisht” dalin në skenë dhe mbushin plazhet vetëm në muajt e sezonit të… plazhit!
Lajme paniku që përhapin qëllimisht gjatë sezonit të plazhit
1. AKU, njofton se në tregun e qyteteve bregdetare dhe restorante, janë futur e përdoren produkte ushqimore të skaduara dhe me rrezik për konsumatorin
2. Nga institucionet e kontrollit të shëndetit, informohet se akulli brenda ujit, që përdoret në bare e restorante, ka efekt kancerogjen.
3. “Zëra” që dalin nga zyrat e shtetit dhe të bashkive, shpërndajnë lajme për ndotje në qendrat e pushimit dhe mjediset e banimit të qyteteve e zonave turistike verore.
4. Çdo nisje sezoni turistik dhe gjatë muajve të plazhit, bashkitë nisin hapje kanalesh dhe rikonstruksion rrugësh e rrugicash, madje hapin e lënë hapur kanalet e ujërave të zeza në lagjet dhe objektet pranë dhe përgjatë vijës së plazhit.
5. Çdo nisje e vazhdim sezoni plazhi, u bëhen kujtesa pushuesve, se në plazhe kanë vërshuar grabitësit dhe duhet të ruhen nga grabitjet e dhomave të hoteleve, makinave, sendeve të çmuar e bagazheve. 
6. Çdo sezon plazhi, “çuditërisht”: gjithë stacionet e pompimit dhe të furnizimit me ujë në plazhe, pësojnë “defekt” si me komandë.
7. Çdo sezon plazhi, përhapet lajmi, se uji i detit në plazhet shqiptare është me ndotje masive, që kanë infeksione të rrezikshme edhe për jetën, sidomos të fëmijëve.
8. Çdo sezon plazhi, Policia e Qarkullimit Rrugor, kryen aksione masive në zonat e plazhit duke stresuar pushuesit me vonesat që krijohen prej trafikut që krijohet.
Sigal