Çlirim Hoxha: Sot shiten më shumë librat që u bëhet më shumë publicitet në mediat vizive

716
Sigal

PERSONAZH/ Flet Drejtori i Bibliotekës “Shevqet Musaraj” Vlorë, Çlirim Hoxha

Qyteti piktoresk i Vlorës dhe pse nuk përbën qytetin e dytë për nga numri i popullsisë në Shqipëri, ai zë vendin e dytë për leximin e librave dhe frekuentimin e Bibliotekës së qytetit. Një qytet libradashës nga gjiri i të cilit kanë dalë me mijëra intelektual që i kanë dhënë emër Shqipërisë. Por në këtë intervistë, më shumë jemi përpjekur të nxjerrim në pah problemet e librit në këtë qytet, shpërndarjen, librat më të lexuar, reklamën që i bëhet librit, pjesa që zë libri për fëmijë në lexueshmëri dhe sa ka mundësi libradashësi me rrogën e tij të blejë libra.

 -Vlora sa është e dashuruar me librin?

– Vlora e ka pasur traditë leximin e librit dhe me gjithë tranzicionin dhe ngjarjet e rënda të ndodhura gjatë viteve të demokracisë, kjo traditë nuk humbi.

A është një ndër qytetet më të lidhura me librin?
– Sipas Shoqatës së Botuesve Shqiptar, Vlora vjen e dyta pas Tiranës në shkallë kombëtare për leximin dhe blerjen e librit. Vetëm gjatë hapjes së panairit të parë të librit në Vlorë, në vitin 2000, shtëpitë botuese bënë një xhiro prej rreth 50 milion lekë të vjetra në vetëm tre ditë që panairi qëndroi i hapur.

Cilat libra janë më të kërkuar?
– Librat më të kërkuar janë ato të letërsisë artistike, ku trendi është ndaj letërsisë së huaj.

– A është i shtrenjtë libri sot me rrogat e shqiptarëve?
– Libri konsiderohet i shtrenjtë sot nga çmimi, për shkak të nivelit të ulët ekonomik dhe papunësisë.

-Po libri për fëmijë a ka zënë vendin e duhur?
– Edhe libri për fëmijë është i kërkuar, por sot autorët që shkruajnë për fëmijë janë pakësuar ndjeshëm.

– A gjendet çdo libër që del në Tiranë edhe në Vlorë?
– Në libraritë e Vlorës gjendet çdo libër që del dhe botohet në Tiranë, por mund të porositet në një nga libraritë e qytetit nëse mungon momentalisht.

A ka probleme shpërndarja e librit? Si mund të shpërndahet ai më mirë?
– Sa për shpërndarjen e librit ai mbetet një problem më vete sepse përpara viteve 90 e bënte shteti, kurse sot të pakta janë shtëpitë botuese dhe agjencitë e shpërndarjes së librit.

Reklama një problem me vete, jo çdo krijues e ka këtë komoditet dhe pse prodhon libër cilësor….

– Sot shiten më shumë librat që u bëhet më shumë publicitet në mediat vizive dhe të shkruara, paçka se libri mund të jetë i dobët, kurse autorët serioz dhe librat e këndshëm lihen në hije. Kemi ndeshur në bibliotekën tonë raste kur kemi blerë disa kopje të një romani të publikuar bujshëm në media, por kur lexuesit e kanë lexuar kanë mbetur të zhgënjyer nga ajo që pretendohej.

– Sot po shihet një fenomen i çuditshëm, ku publicistika po sfidon letërsinë e mirëfilltë, sepse gazetarët që botojnë publicistikë punojnë në media të fuqishme dhe u bëhet publicitet 24 orë non stop.

– Sa është numri i lexuesve në bibliotekën e Vlorës?

– Biblioteka publike “Shevqet Musaraj” Vlorë, ka rreth 5000 lexues të regjistruar gjatë një viti dhe rreth 20 000 frekuentues me një qarkullim vjetor të rreth 65 mijë libra, revista dhe gazeta.