Naxhi Kasoruho/ Festivali i Gjirokastrës, manifestim madhështor i artit tonë popullor

792
Sigal

Dasma e folkut shqiptar po afron dhe duhet filluar nga përgatitjet sepse është tepër vonë

Para disa ditësh Prof. Fico u bë i pari dasmor që mori daullen e madhe dhe goditi fuqishëm duke zgjuar institucionet, organizatorët, specialistët, artistët popullor, rapsodët e bartësit e traditave folklorike e deri të buçasin bedenat e kalasë historike të Gjirokastrës. Si lajmëtar se dasma e folkut shqiptar po afron dhe duhet filluar nga përgatitjet. Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës është manifestimi më madhështor ku artisti i madh popull në kalanë historike në sofrën e këngës, në atë podium madhështor, në panteonin e folkut ka shpalosur me tërë pasionin e shpirtit artist, këngët, vallet, ritualet, baladat, kostumet befasuese shumëngjyrëshe dhe tërë trashëgiminë folklorike që prindërit dhe prindërit e prindërve tanë e kanë bartur, evoluar dhe trashëguar në breza si pjesë e identitetit tonë kombëtar.

Si dëshmitar okular nga festivali në vitin 1968 e deri më sot, si Udhëheqës Artistik i grupeve popullore që përfaqësonin rajonin e Gjirokastrës në këto festivale, e pres me emocion dhe përgjegjësi intelektuale e artistike këtë festival, për të kontribuar e qenë pjesë e këtij eventi të jashtëzakonshëm të dasmës së madhe të folkut shqiptar me mendimin e një specialisti pranë këngëtarëve popullorë dhe me botimin e Librit të Festivalit për të cilin po punoj dhe ta promovoj në Kalanë e Festivalit në ditët e Dasmës Folklorike Kombëtare. Masiviteti, larmia e varianteve melodike, raportet e drejta të folklorit tradicional e atij bashkëkohor, kostumet e shndritshme, tematika që zë një hapësirë kohore nga lashtësia deri në ditët tona, si dhe korifenj virtuozë të traditës e të rinj, janë dukuri pozitive dhe pasuri e vyer e këtij manifestimi folklorik. Në folklorin e ekspozuar në këto festivale u mbështetën për punën studimore shkencore dhe artistike profesorët: Ramadan Sokoli, Andromaqi Gjergji, Agron Fico, Ramazan Bogdani, Afërdita Onuzi, Agron Xhangolli, Beniamin Kruta, Çesk Zadeja, Tish Daia, Feim Ibrahimi, Limos Dizdari etj, që i  evidentuan në veprat e tyre duke dhënë një kontribut të shkëlqyer për kulturën tonë kombëtare. Janë ngjitur në skenën e Festivalit krenaria e Kombit, artistët popullorë si: Ndue Shyti, Demir Zyko, Vaçe Zela, Mentor Xhemali, Ermioni Mërkuri, Laver Bariu e qindra artistë të shkëlqyer popullorë që me talentin e tyre vendosën gurrë margaritari në trashëgiminë kulturore kombëtare.

Le të na shërbejnë këto festivale pararendëse si shembuj dhe eksperiencë pozitive për të organizuar festivalin e ardhshëm në të gjitha parametrat e lartë artistikë. I takon institucioneve qendrore që merren me drejtimin e këtij manifestimi të fuqishëm të artit popullor si dhe drejtuesve vendorë të angazhohen maksimalisht e me përkushtim për ta realizuar  me sukses këtë festival.

Për këtë!

• Të aktivizojmë në stafet artistike të çdo qarku specialistët më të mirë dhe me eksperiencë në këtë fushë.

• Të gjurmojmë në trashëgiminë folklorike për të evidentuar këngë e valle të veçanta të bukura e të paekspozuara më parë.

• Përveç korifenjve të traditës të mbështesim këngëtarët e rinj e t’i promovojnë ata në festival.

• Të ruajmë raportin e drejtë midis folkut tradicional e atij bashkëkohor.

• Të pasqyrojmë në festival folkun e të gjitha trevave të çdo qarku duke ruajtur raportin midis çdo rrethi.

• Krahas grupeve popullore të traditës të ngjiten në skenën e festivalit edhe grupe të reja të këngëve e valleve me interpretues të talentuar.

Për t’i realizuar këto kërkesa na duhet të fitojmë kohën e humbur. Kanë kaluar katër muaj nga koha kur Ministrja e Kulturës znj. Mirela Kumbaro deklaroi organizimin e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës më 4-9 Prill 2015 në kalanë e festivalit, në qytetin e gurtë. Nga ajo kohë e deri më sot nuk është shkruar asnjë rresht në gazetat e shumta të përditshme si dhe asnjë minutë në emisionet televizive për t’i bërë jehonë e për të treguar mënyrën e organizimit, komunikimit, pjesëmarrjes e gjithçka që bëhet me përgatitjet në gjithë vendin. Kanë ngelur edhe 90 ditë deri më 4 Prillin e vitit 2015 kur do të çelet Festivali i Gjirokastrës, prandaj le ta dëgjojmë me vëmendje jehonën e daulles që i ra Profesor Agron Fico. Të ngrihemi në këmbë e të vrapojmë me dashuri, pasion, dinjitet drejt kalasë së festivalit për të realizuar madhërishëm Dasmën e Folkut Shqiptar. Le të na ndjekë në këtë rrugëtim artistik jehona e këngës: “Na buron nga zemra/ Kënga më e mirë/ Në Kalanë e Festivalit/ Plot me mysafirë./ Ç’ erdhën sot në vatrat tona/ Kaq zambak e kaq shqiponja,/Nga Saranda tek Valbona./ Thoja shqipe thoja,/ Hidhe vallen shtruar/ Këndoni o male/ Sup më sup bashkuar.

Udhë të mbarë artistëve popullorë për në Festivalin e Gjirokastrës.