Rezerta Reçi: “Në Arrati me shpirtra që nuk shuhen”

742
Shuhen ngadalë e në heshtjen vetmitare, me pasurinë e botës shpirtërore, me ëndrra kyçur sirtarëve, që nuk u hapën, me penelata të lëna përgjysmë, pothuajse harruar nga koha që rrjedh pambarimisht, shuhen sikur të mos kishin qenë…
Por, filmimet janë të çuditshme. Arratitë po ashtu. Të çuditshme dhe të mrekullueshme! Rishikimi i fragmenteve të xhiruara më lejon të ritakoj njerëz të dashur, me kontribute të rëndësishme në evoluimin intelektual e shpirtëror të vendit ku jetojmë,të dëgjoj zërin e tyre, timbrin e ndryshëm, mendimet e ndryshme, eksperienca të ndryshme. Bashkuar nga pasioni i njëjtë, shfaqur në fusha të bukura si aktrimi, shkrimtaria, gazetaria, koreografia, piktura, mjekësia, regjisura , sporti, shkenca etj. Më bëjnë të vë buzën në gaz me përgjigjet e tyre, të rijetoj takimet dhe momentet e bukura të kaluara me to, të kaloj me mend hartën gjeografike të shtëpive ku kam trokitur, të dyerve që më janë hapur, të ambienteve ku kam xhiruar, të atmosferës që endej ajrit . Njëkohshëm të rivlerësoj kohën e pa çuar dëm, t’u jem mirënjohëse që udhëtuan një copëz kohë me mua, që më besuan rrëfimet e tyre shpirtërore dhe të thella, duke më bërë pjesë të jetës së tyre aktive, mirënjohëse që më ridimensionuan përmes rrugëtimit individual personal dhe profesional, përmes një komunikimi që vazhdon, sepse çuditërisht më bëjnë të besoj se po i ritakoj sërish si shpirtra që nuk shuhen… Gjendet gjithmonë dikush që të të shpëtojë nga mos-harrimi! Thuaj pastaj që kësaj bote i mungon ekuilibri…
Renditja e intervistave të personazheve në libër është bërë sipas vitit të ikjes së tyre të përgjithmonshme.
I mençur dhe i suksesshëm, xhentil dhe elegant, i kulturuar dhe rrezatues, me fat tragjik, por i pamposhtur, regjisor brilant dhe i burgosur tolerant, pasionant dhe këmbëngulës, i dashuruar me teatrin dhe profesionin e tij, Mihal Luarasi të përcillte paqe dhe dituri edhe me qëndrimin, edhe me heshtjen, edhe me bisedat a komplimentet fine. Një regjisor që i mungoi skenës për afro dy dekada, por nuk harroi artin e të bërit regjisurë… A e dinte apo jo mjeku Hektor Çoçoli që do ikte pa pasur kohë të merrte ndihmën e parë mjekësore në kohën e duhur? Ikjet kanë enigmat e veta, natyrisht. Por fakti që Profesor Doktor Hektor Çoçoli, para se të ikte përgjithmonë botoi librin e jetës së tij, ku rrëfente në detaje rrugëtimin personal dhe profesional të një jete, dëshmon që ai po kujdesej për të jetuarin dhe ikjen e përgjithmonshme. Natyrisht, në subkoshiencë. Asgjë nuk shprehu, asnjë fjalë, asnjë peng, asnjë porosi dhe amanet. Iku paqësisht siç kishte jetuar… Piktorin Agim Faja e kujtoja si emër nga revistat e ilustruara për fëmijë. Peizazhit interesant, përcjellës i dijeve dhe vlerave, jo vetëm në fushën e pikturës ,ai nuk iu nda vendlindjes së tij, Shijakut, duke e shndërruar studion e tij, pse jo,edhe qytetin ku banonte , në një qendër tërheqëse të shkëmbimit të ideve, të përvojave dhe debateve me miq nga i gjithë vendi. E ruajti këtë fuqi tërheqëse piktori Faja, pothuajse deri në fund të jetës, të cilën e deshi aq shumë. Studio e tij tashmë ka brenda gjurmët dhe enigmat e një jete pasionante dhe interesante, ku strehohet edhe ky rrëfim arratik në një ditë pranvere… Këngëtarja Anida Take u përcoll përgjithmonë, shoqëruar nga zëri i vet i ëmbël, nga këngët që i këndoi dekadave. Sepse fati i artistit është i lidhur me veprën që lë pas. Në arkivin e emisionit “Arratia e Peshkut te Kuq” Anida Take ka lënë një rrëfim të plotë për jetën e saj profesionale dhe personale. Kanë qenë ditë me diell ditët e xhirimeve me Zobjën e zërit të ëmbël dhe të papërsëritshëm. Kemi folur shumë, kemi qeshur po kaq shumë dhe Anida ka kënduar për ne pasazhe këngësh pa u lodhur, me kënaqësi të madhe madje. Dhe tani, sa herë më merr malli, sa herë më shfaqet si imazh mungese, diku poshtë pallatit te rruga Myslym Shyri, ndez kasetofonin e makinës dhe dëgjoj këngët e Anidës. Ikja më bëhet e pabesueshme plotësisht, sidomos kur shoqërojmë këngën e Nënës ne të tria: Anida në qiell, mami im në krevatin e saj të lëngimit dhe unë, që i shtrëngoj dorën njëkohshëm të dy Zonjave. Sa të kam dashur e do vazhdoj të të dua fisnikja, zërralla, e ëmbla, e mrekullueshmja Anida Take!
Botues: Shtëpia Botuese Albas

Sigal