Prof. Lush SUSAJ: 103 vjet, nga qeveria e parë

659
Historia është shkruar për ta studiuar e nxjerrë mësimet e duhura, në lidhje me sukseset dhe gabimet e bëra në rrugën e krijimit dhe funksionalizimit të një shteti të balancuar e të besuar përmes përfaqësimit dhe gjithëpërfshirjes në administratë dhe vendimmarrje.
Historia jonë është një histori e manipuluar dhe deformuar rëndë, sepse për vite me radhë është shkruar dhe përdorur sipas interesit të ngushtë të sundimtarit dhe klanit nepotik e krahinor të radhës.
Sëmundja përçarëse e shkatërruese e nepotizmit dhe krahinizmit, nuk është një sëmundje e re dhe e panjohur më parë. Nepotizmi, krahinizmi, arroganca dhe fiktiviteti nuk mund të konsiderohen dhe të trajtohen si fenomene apo dukuri të një shoqërie dhe politike postkomuniste. Përkundrazi, janë fenomene degraduese që vijnë duke u trashur që nga mesjeta. Nepotizmi dhe krahinizmi janë mekanizma të njohur që në këto 103 vjet pavarësi, kanë vepruar duke shkaktuar dhimbje e përçarje, mungesë respekti dhe besimi, varfëri dhe prapambetje të gjithanshme të administratës, legjislacionit dhe gjithë jetës politike e shoqërore të vendit.
Ndodhi kështu, sepse…
Ndodhi kështu, sepse asnjëherë nuk u mor për model aksioni politik e gjithëpërfshirës që kulmoi me shpalljen e pavarësisë dhe as qeveria e parë e balancuar, përfaqësuese dhe demokratike që doli nga kjo ndërmarrje e gjerë politike e shoqërore e shqiptarëve. Dihet mënyra se si nepotizmi dhe krahinizmi depërtuan, duke e goditur në mënyrë fatale qeverinë e parë demokratike e barëkombëtare të Vlorës. Bashkë me të, u godit rëndë e ardhmja territoriale, shtetërore dhe politike e shqiptarëve në rajonin e Ballkanit.Me 5 dhjetor 1912, Konsulli Lejhanec nga Vlora i shkruan Barchtoldit, ku i thotë se: “Kabinetin Shqiptar e përbëjnë Ismail Kemal Vlora, president i qeverisë dhe ministër i jashtëm. Monsinjor Nikolla Kaçorri, nënpresident dhe ministër pa portofol. Mehmet Pashë Kalkandele (Deralla), ministër i luftës, Mufid bej Libohova, ministër i punëve të brendshme. Abdi bej Toptani, ministër i financave. Mit’hat bej Frashëri, ministër i punëve publike. Luigj Gurakuqi, ministër i arsimit. Peter Poga, ministër i drejtësisë. Lef Nosi, ministër i postë-telekomunikacionit dhe Pandeli Cale, ministër i bujqësisë, industrisë dhe tregtisë”.

Sot pas 103 vjetësh, mendoj se është koha për të kuptuar moralin dhe themelin e shëndosh të krijimit të kësaj qeverie, përfaqësuese që jetoi shumë pak e që për fat të keq, modeli dhe fryma e saj nuk u përsëritën më, në këto 103 vjet të mbushura me qeveri dhe qeverisje që më shumë se demokratike, ishin klanore, nepotike e krahinore. Më poshtë, në telegramin e datës 5 dhjetor, 1912, shkruhet: “Në këtë kabinet, përbërja fetare është 5 myslimanë, 2 katolikë dhe 3 ortodoks”. Për fatin e keq, kjo traditë nuk u respektua dhe nuk u ridimensionua në dritën e zhvillimeve të mëvonshme europianizuese. Përkundrazi u shkelmua nga të pangopurit që në këto 103 vjet e deshën të gjithë pushtetin për veten e tyre. Në kabinetin e parë qeveritar ishin përfshirë mendjet më të ndritura të kohës, ishin përfshirë intelektualët më të mirë të krahinave dhe grupeve shoqërore e fetare të vendit. Në qeverinë e parë demokratike, në asnjë rast nuk pati përfaqësim me injorantë dhe as me gojëkyçur që pranojnë fiktivitetin apo pjesëmarrjen për fasadë e garniturë.
Përfaqësimi, cilësia dhe besueshmëria e qeverive
Përfaqësimi, cilësia dhe besueshmëria e qeverive të këtyre 103 vjetëve, jo vetëm që nuk u përmirësuan, përkundrazi, klanet nepotike e krahinore, e degraduan deri në përplasje dhe konflikte të hapura sociale për të cilat kurrë nuk u bë një analizë e plotë dhe e sinqertë.nGoditja e parë ndaj përbërjes dhe funksionimit të qeverisë së parë demokratike e gjithëpërfshirëse (goditje që është reflektuar në të gjithë qeverisjen e këtyre 103 vjetëve), u dha në mënyrë skuthe me intrigat që shkaktuan dorëheqjen e parevokueshme të nënpresidentit, Monsinjor, Nikoll Kaçorrit. Është një dorëheqje, që në këto 103 vjet nuk u studiua dhe nuk u kuptua si sinjali apo si akti i parë i qëndresës dhe burrërisë intelektuale për të mos e pranuar fiktivitetin, fasadën dhe as lojën e qeverisjes dhe zgjidhjes së problemeve me kafe, me tarafe fisesh e krushqish dhe as me korrupsion dhe me koka turku. Pas dorëheqjes së Ismail Vlorës, dhe ardhjes së Vidit, është krijuar një qeveri provizore e përbërë nga: Turhan Pash Përmeti, president dhe ministër i jashtëm, Esat Toptani ministër i luftës dhe ministër i brendshëm, Mufit Libohova, ministër i drejtësisë, Prenk Pasha, ministër i punëve publike, Hasan Prishtina, ministër i postë-telekomunikacionit, Azis Vrioni, ministër i bujqësisë dhe arsimit. Dihet se në këtë periudhë të rëndë të historisë sonë kombëtare, në dorën e Esat Pashës (si njëshi i matrapazërisë politike të asaj kohe) ishte përqendruar shumë pushtet. 

Në këtë qeveri të diktuar prej Esatit dhe të gjitha qeveritë e këtyre 103 vjetëve, nuk u la ndonjë hapësirë as vend për ndonjë intelektual të njohur e të certifikuar. Në këtë mënyrë, ne më pak se 18 muaj, qeverisë së parë demokratike e gjithëpërfshirëse, iu shkul çdo gur themeli dhe çdo mundësi për qeverisje demokratike. Që atëherë e deri me sot, nepotizmi dhe krahinizmi, kanë goditur e shkatërruar përfaqësimin, besueshmërinë, funksionalitetin dhe deri ekzistencën e qeverive dhe të shtetit shqiptar. Edhe në 30 maj 1914, është bërë një rifreskim tjetër i kabinetit qeveritar duke larguar Esat Pashën dhe duke ofruar Akif Pashën si ministër të brendshëm. Në këtë rast, Filip Noga u emërua si ministër i Financave, ndërsa Mit’hat Frashëri si ministër i Punëve Publike dhe Abdi Toptani si ministër i Bujqësisë dhe minierave. Që në ditën e parë të shpalljes, ky kabinet nuk ngjallte asnjë shpresë, sepse nxinte nga nepotizmi, ishte një kabinet pa meritë dhe pa përfaqësim kombëtar. Në këtë mënyrë nga kabineti i parë tek i treti, e deri tek i fundit i këtyre 103 vjetëve, cilësia dhe besueshmëria e qeverive dhe qeverisjes pësoj rënie dhe degradim deri në diktatura çnjerëzore. Ngjarjet e periudhës 1912-1913 që kulmuan me dorëheqjen e Ismail Vlorës më 22 janar 1914, duhen kujtuar dhe analizuar për të hartuar e jetësuar strategjitë e duhura për veprime të sinqerta politike, shoqërore e kulturore ndaj mendësisë dhe trashëgimisë mesjetare dhe asaj komuniste nga burojnë nepotizmi, krahinizmi, hipokrizia, fiktiviteti dhe gjithë të këqijat e këtyre 103 vjetëve.
Në çdo përvjetor
Në çdo përvjetor, politika, institucionet dhe njerëzit e ditur të këtij vendi, duhet të bëjnë një bilanc dhe krahasim me vendet e tjera për të kuptuar më mirë faktin se, Shqipëria dhe shqiptarët, pas 103 vjetëve pavarësi, meritojnë të administrohen dhe të qeverisen nga idetë dhe projektet zhvillimore të elitave dhe institucioneve të dijes e jo nga klanet që mëzi qëndrojnë në këmbë për shkak të mungesës së besueshmërisë ndaj tyre. Fridrih Niçe (1882), Profesor i Filozofisë në Universitetin e Bazelit, ka shkruar: “Atë që me zor qëndron në këmbë, njeriu duhet ta rrëzojë….unë e di, që gjërat më të rëndësishme ndodhin, kur nata duket e qetë”. Shqiptarët, njëlloj si më parë dhe në këto 103 vjet, kanë mbijetuar dhe do të mbijetojnë si shtet, si komb dhe si kulturë, jo për ndonjë meritë të politikës dhe administratës, por për shkak të asaj që thotë Lamartini: “ky komb e ky popull nuk merret nëpër këmbë… Kjo është toka e heronjve të të gjithë kohërave… Homeri aty gjeti Akilin, grekët Aleksandrin e Madh, turqit Skënderbeun, njerëz këta të së njëjtës racë, të të njëjtit gjak”.

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 02.12.2015
Sigal