Misteret e Anita Bitrit Cilat ishin të fshetat e jetës, si nisi të imitonte që në adoleshencë Vacce Zelën dhe i konkursi i violinës

1459
Sigal

Një monografi e rrallë e Albert Zholit

– Si nisi Anita të imitonte Vaçe Zelën që në adoleshencë

– Fitimi i konkursit për violinë dhe roli i madh i Prof. Robert Papavrami

-Profesor Papavrami deklaroi se Anita do bëhej një violoniste e madhe

-Cilat ishin të fshehtat e jetës së Anita Bitrit dhe si arriti triumfin

Këto ditë del në qarkullim nga Shtëpia Botuese “Botart” monografia e rrallë “Anita Bitri, një meteor, në qiellin e këngës shqiptare” me autor shkrimtarin Albert Zholi dhe redaktor Mihallaq Qilleri.

NË VEND TË PARATHËNIES…

 

 Sigurisht, Anita Bitri u bë parakohe një emër i madh në panteonin e muzikës së lehtë shqiptare. Ky libër, megjithatë, gjithsesi nuk mund ta përmbyllë një jetë aq intensive. Me siguri shkrimtarë a biografë, miq të këngëtares apo kolegë të saj do të kenë rastin edhe më tej të shkruajnë më ndryshe. Një jetë nuk është siç e shohim, madje edhe kur e rishkruajmë vetë. Ajo ka skuta të magjishme, të cilat shpesh as individi nuk i vë re. Por, në shpërfaqjet e fuqishme si ato të Anita Bitrit, në parakalimet e mëdha e të forta të një jete, që prej adoleshencës e deri në fund të jetës, të gjithë ata që e dëgjuan dhe e shijuan zërin e saj të mrekullueshëm, gjithë ata që e takuan, e vlerësuan, e aktivizuan, ia ndjenë frymëmarrjen pas kuintave para dhe pas interpretimeve famshme, me siguri do të shënojnë ndjesitë e tyre. Këto faqe libri mund të shërbejnë edhe si shtysa për më tej, pasi jeta e saj mbetet unike, e rrallë, specifike dhe plot mistere. Ishte kjo jetë befasuese, tepër e veçantë, me kulme befasuese në kohë të shkurtër, që shërbeu si shtysë për këtë libër, sepse ka ende figura në panteonin e madh të muzikës shqiptare këngëtarë, kantautorë, dirigjentë e kompozitorë për të cilët nuk është shkruar thuajse asgjë. Por unë mendoj se jo thjesht interesimi i atyre që e deshën aq shumë Anitën, jo vetëm trishtimi që ngjalli në mbarë botën shqiptare ikja e saj aq e parakohshme, aq tragjike, por sepse vet individualiteti që krijoi në ato pak vite të interpretimeve të saj skenike, la pas vetes një ëndje të madhe kulture, energjie, entuziazmi, la pas vetes një shpresë se emri dhe kënga e Anitës do të shndriste fort në truallin thuajse të ngrirë të vendit të saj aq të bukur, la pas një dëshpërim të madh.

 

 Një këngëtare aq entuziaste, një vajzë e re e cila këmbënguli gjithmonë ta shkrinte në jetë gjithë bagazhin e vet kulturor, thuajse të gjitha hobet e çuditshme, të cilat as që kishin lidhje me njëra-tjetrën, si volejbolli, noti a gjimnastika, me ndjesitë  e interpretimeve skenike, – sigurisht zotëronte jo thjesht një këmbëngulje e vullnet, kulturë e pasion, por gjallonte brenda saj një botë e madhe idesh, ëndrrash, dëshirash, një botë të cilën nuk do të mundte të arrinte ta shpërfaqte plotësisht.

 Biografë njerëzish të mëdhenj të muzikës e artit shpesh flasim për trashëgimi gjenetike të kolosëve që do të tronditnin botën në jetën e tyre. Sigurisht askush nuk mund ta mohoj gjenetikën dhe misteret e saj të çuditshme. Por Anita Bitri ishte vajza e vetme e një familjeje njerëzish që u shkolluan pas Luftës së Dytë Botërore, siç ndodhi me qindra mijëra shqiptarë dikur analfabetë e të varfër. Kjo tip celule, përmes së cilës kanë kaluar mijëra intelektualë të ardhshëm, shpesh të nxiste, por edhe të frenonte, ishte gati të shiste edhe rrobat e trupit për shkollimin e fëmijës, por po aq ishte e paqartë se ku do të mbërrinte ai ose ajo.

 Jeta e njeriut është gjithashtu një cikël rastësish, të cilat zmadhohen ose mbyten në detin e askundit për shkak të pamundësive, për shkak të ëndrrave që digjen në ditën e dytë të së vërtetës, sikundër formësohen, tronditen, përçahen, ribashkohen përsëri përmes dhimbjesh. Sidomos arti është një fushë talenti e ndjeshmërie të lartë njerëzore. Anita Bitri për fat e kaloi periudhën e sukseseve të saj të para e stimuluar jo vetëm nga prindërit e vëllezërit, por edhe nga shoqëria totalitariste e viteve 1980, kur ajo nisi të shkëlqente, investonte fuqishëm në këto talente të reja edhe sikur njerëzit të mos kishin as bukë të hanin. Kemi kohë të flasim për kufizimet ideore, për ngushtësinë e të kundruarit të artit me gjerësinë dhe individualizimin, me format muzikore dhe lirinë e shprehjes së vargjeve, me lëvizjet në skenë e deri te dekoret standarde e të politizuara. Por një vajzë si Anita Bitri kishte, ama, të drejtën ta përçonte zërin e saj tek ata që e dëgjonin në sallën e madhe a të vogël, të incizohej në radio a të filmohej në televizionin e vetëm kombëtar dhe kjo sigurisht e bënte aq të njohur…

 Në këtë atmosferë sa intime po aq edhe shoqërore në qytetin e Vlorës do të binte në sy një vajzë e re, jo fort e gjatë në trup, por gjithsesi e bukur, me një zë brilant që do të mrekullonte specialistët, por edhe artdashësit. Qysh në moshën gjashtë vjeç ajo do të ishte nxënësja e pedagogut të shquar Robert Papavrami në veglën e violinës. Dihet mirë tashmë se kush ishte mjeshtri Papavrami. Atë e bëri tepër të njohur jo vetëm talenti i të birit, violinistit të famshëm Tedi Papavrami, por skrupuloziteti me të cilin ai përparonte nxënësit e vet, që nga Liceu artistik “Jordan Misja”, në Tiranë e deri në shkollat e muzikës nëpër rrethe. Qe fat sigurisht për vogëlushen Anita Bitri që të kishte për pedagog këtë emër të rëndësishëm të violinës. Robert Papavramin e kujtojnë edhe sot qindra nxënës e studenët të tij në orkestrat e mëdha a të vogla simfonike të vendit apo edhe gjetkë.

 Ky qe një hap domethënës, një fat. Një violinë është një violinë, jo aq si vegël muzikore, por për lirizmin që buron nga telat e saj. Ky ushqim depërtues në ndjesitë e një fëmije e që rritet me të, sigurisht nisin e shtohen shije, ide, nota, fluturime pindareske, përplasje krahësh të një zogu a të një fluture, përpëlitje këto të shpirtrave të ndjeshëm.

 Anita do të dilte të interpretonte para spektatorëve pikërisht me këtë vegël aq fisnike, me këtë instrument që në fillim ndoshta ishte më i gjatë se trupi i saj prej gjashtëvjeçareje.

 Ky libër për jetën e saj nis këtu… Me tingujt e magjishëm të një violine. 

 Deri te tragjedia e madhe, te ngjarja e përditshme pabesisht banale, që i mori gjithë malin e ëndrrave, gjithë librin e veprave, të gjitha lajtmotivet e këngëve, bukurinë e vargjeve, pasionin e zërit të saj, familjen e gjithçka të shtrenjtë dhe…i dogji!

 Autori

Kush ishte Anita?



 

“… Anita Bitri pa diskutim kishte prirjen e saj natyrore, por dhe që diti të kapej shumë mirë me aspiratat e rinisë dhe të muzikës që ajo këndonte. Një vajzë e shkathët, rrezatuese, me një temperament të jashtëzakonshëm, me një potencë interpretuese vërtet për ta pasur zili, në të njëjtën kohë, një shpresë e aspiratave për çlirimin e këngës shqiptare nga të gjitha ato kanune që e mbanin atë në disa korniza ende të së kaluarës dhe që duheshin kapërcyer. Jo rastësisht Anita Bitri shkëlqente në koncertet e stinës së të ardhmes, siç është pranvera…”

 Zhani Ciko, muzikolog, – Mjeshtër i Madh

 

Si nisi të imitonte Vaçe Zelën

 

 Adoleshenca është një vorbull formimi, është si një cikloid stuhish kozmike që dikur formojnë planetët, apo shpërndahen përgjithmonë. Kjo periudhë mbushet me drama të vogla e të mëdha, me miqësi të forta apo të zbehta, me dashurinë e parë plagosëse, me qortimet e prindërve e të afërmve, me dyshimet e mëdha ndaj vetes.

 Këtij cikloidi nuk mund t’i shpëtonte as Anita Bitri. Ndonëse ishte koha kur pedagogët e saj mendonin se talenti i adoleshentes qe më i madh në violinë sesa në këngë, ajo në vetvete besonte se kënga qe pjesë e shpirtit të saj. Nuk mund të shpërfilleshin në atë kohë edhe mendimet ende fëmijërore për famën, për paraqitjen në skenë, jo ashtu grumbull e diku mes instrumentistësh, por vetëm, me prarimin tënd në sy të qindra spektatorëve, me një orkestër të madhe që të nxit e shoqëron, ballë për ballë me sallën e zhytur në gjysmë errësirë, e rrethuar dhe ndriçuar nga prozhektorët e skenës.

 Jo rrallë here ajo hynte tinëz në dhomën e prindërve ku kishte, përveç të tjerash, edhe një pasqyrë të madhe ku bënte tualetin e lehtë nëna e saj. Atje kyçte derën nga brenda dhe niste e pozonte e interpretonte, niste të imitonte këngëtarë të rinj a të vjetër, e sidomos të madhen Vaçe Zela. Ky emër, ai zë, ajo buzëqeshje e madhe, ato flokë që tundeshin herë majtas e herë djathtas, do të bëheshin ikona skenike e Anita Bitrit. E rrethuar tashmë edhe prej besimit të saj te Zoti te Fati ose te Destini, siç e quante ajo, besonte se një ditë do ta takonte atë grua të madhe, do përulej para saj, ndoshta do t’i puthte dorën, do t’i thoshte se e adhuronte për zërin, por edhe qëndrimin skenik, për komunikimin me njerëzit në sallë, për famën e madhe që gëzonte. Pse jo, mund t’i thoshte edhe se ëndërronte të bëhej një ditë si ajo. Se këtë e pati ndjerë prej kohësh, se e kishte dëgjuar në mendime prej vetë Zotit dhe se u besonte thellësisht opinioneve të bukura të njerëzve që e rrethonin për talentin e saj.

 Parandjenja ishte një veti tjetër që prodhonte vetëdija e saj pas së cilës pat nisur të besonte gjithashtu. Ajo thuajse e dinte se çfarë do të ndodhte pas një dite, pas një jave, paskëtaj… Dhe kjo lloj telepatie nisi të jetonte në shpirtin e saj, në mendimet e saj. Asaj i duhej vetëm të punonte për ta shtyrë të lëvizte sa më shpejt drejt çastit të pritur. Kulti i madhështisë nisi të formësohej. E përfytyronte veten para pasqyrës së dhomës së prindërve të saj, por edhe kur ishte në skenë, e vetme e priste orkestrantët të mblidheshin, se si gjëmonte salla emrin e saj, sesi përvëlonin pëllëmbët e duarve të spektatorëve nga duartrokitjet dhe, ashtu, vetiu, ajo përkulej me nderim, ndonëse e dinte se në sallën e Kinoteatrit të Vlorës atë orë nuk kishte asnjë spektator dhe karriget e zbrazëta të trishtonin. Por ky ishte vetëm një çast. Sepse, befas, nga paskuintat do dëgjoheshin ca hapa, ca zëra, fjalë pa kuptim si… Anita aty je, dhe gjithçka të humbiste e të bëhej pluhur.

 Mirëpo nga që kjo etje mbetej e madhe, e rëndonte gjithmonë e më shumë në mendimet e saj, nga që ky zjarr dëshirash sikur po vononte shumë, dikush i kumtoi se që të ndodhnin të gjitha këto, nevojitej një përkrahje. Dhe një përkrahje vjen nga një emër, nga lavdia a madhështia e një familjeje, e një fisi. Ajo niste e vështronte rreth e rrotull gjindjes së njerëzve të saj e akullohej kur kuptonte se asnjëri prej tyre nuk qe dikush, nuk kishte lidhje të afërta me pushtetin, me shtetin, me artin. Nga ana e babait ata ishin pothuajse të gjithë ushtarakë e pa asnjë lidhje me ëndrrat e saj, nga e ëma kishte mbetur vetëm një teze e madhe në moshë për të cilën nuk dinte thuajse asgjë.

 Nga ana tjetër ajo nisi të kuptonte se shkolla, të mësuarit, violina, apo kënga, ishin për të atin veç….mësime! Përtej këtij koncepti ai nuk shkonte dot. Ajo nuk e kuptonte dot se si ai burrë i madh, të cilin ajo e adhuronte nuk pati pranuar një herë ta shoqëronte në koncertet e saj, ta priste në fund të tyre, ta përqafonte e ta puthte për interpretimet, pse jo, le të thoshte edhe ndonjë vërejtje. Dhe të mendosh se shtysa e vetme qe një farë xha Muço, mik i familjes, i cili e nxiste vazhdimisht të punonte pa u lodhur, të thoshte me entuziazëm se ajo do të behej artiste e madhe… Xha Muçoja i mirë! Babai asnjëherë! Dhe si mund ta harronte një çast kur, të mbledhur nën çarçafin që na mbronte nga dielli në Plazhin e Vjetër, Xha Muçoja, po, po ai Muço Delo Balili, “Hero i Punës Socialiste”, ashtu i gjatë e i hollë, i rrezitur nga dielli, u ngrit një çast dhe i tha Skënder Bitrit.

 – A mund të na japësh leje ti Skënder që unë e Anita të shkojmë sonte në një konkurs? Ti po deshe eja, po deshe jo…

 Muço Delua i thërriste artiste, ndonëse nga shprehja e fytyrës së babait ajo e ndjente se ai jo vetëm nuk e besonte, por edhe nuk e pëlqente. Sepse ai kurrë nuk kishte kënduar ndonjë këngë tjetër përveç ndoshta ndonjë kënge partizane të mbetur nga Lufta. E megjithatë, vite më pas, miqtë e saj të muzikës e artit, do të habiteshin shumë kur të konstatonin se Anita Bitri nuk dinte të këndonte as labçe, ndonëse ishte bijë nga Labëria.

 Dhe e fitoi atë konkurs si nga më të mirat konkurrente. Përqafimi i parë qe i xha Muços, këtij personazhi sa real, sa shpirtgjerë, e po aq ekzotik e të një  labi të vërtetë, Nuk e harroi kurrë atë ditë…

 

Fitimi i konkursit për violinë dhe roli i madh i Prof. Robert Papavrami

 Nuk u konsiderua asgjë e habitshme fitimi i atij konkursi në violinë. Dihej prej të gjithë pedagogëve të saj, se Anita Bitri po të donte mund të fitonte çdo lloj konkursi. Gjithsesi po rritej e zbukurohej. Shumë njerëz besonin se ajo mund të bëhej madje edhe një dirigjente orkestre me emër, më i çuditshmi edhe për hobet e saj, i thoshte një ditë se, pse jo, edhe si aktore mund të ishte shumë e mirë dhe, po të ndodhte kështu, mund të priste duart e t’ia dhuronte dikujt tjetër që ëndërronte të bëhej violinist. Sepse si e adhuruara e Bert Papavramit pati dhënë koncert me shumë sukses në moshën 7-vjeçe. Këtë njeri, Papavramin, ajo do ta adhuronte gjithë jetën e saj të shkurtër. Sepse mes tyre u ndërtua një marrëdhënie e çuditshme; jo vetëm pedagog – nxënës, por edhe shokë të mirë, madje edhe miq. Në kujtimet e saj ajo do të shkruante se i mbante mend mirë kur ai e kthente në shtëpinë e saj me motoçikletën e tij. Ishte dimër, por e mbështetur e gjitha pas trupit të tij të madh, vajza ndihej ngrohtë dhe e sigurt aty pas shpatullave të profesor Papavramit. Sigurisht çapkënia bënte edhe gabime. Edhe ndonjë shpullë e kishte ngrënë…

 Këto ndryshime të befta në jetën e saj, e përkëdhelur gjithandej, por edhe e qortuar përditë, sidomos nga prindërit e vëllezërve të saj, ndodhitë e çuditshme që ndodhnin pikërisht ashtu siç i pati ëndërruar ajo, forcoi jo vetëm besimin te Zoti, por edhe te mendimi se ajo ishte një qenie ku telepatia qe një prani gjenetike. Çdo zhvillim që ndodhte, çdo lavdërim, koncert, udhëtim, takim, ajo i thoshte vetes se gjithnjë e kishte pritur këtë çast, e kishte menduar ditë ose javë më parë dhe, nga që të tilla ngjarje po dendësoheshin, tashmë ishte e bindur se çdo dëshirë e lindur spontanisht, çdo ëndërr do të realizohej. Pyetja dhe dhimbja ishte se kur do të realizohej… Në jetën e saj të mëtejshme shumë ëndrra do të vërtetoheshin, shumë ngjarje të mëdha do ta shoqëronin, madje edhe nga ato që nuk i pati menduar asnjëherë… Gjithsesi, jeta vërtetoi se jo të gjitha i pati menduar… Telepatia e saj nuk kishte arritur të gjente diçka …përtej të zakonshmes që do të ndodhte vite më pas…