Nora Malaj: Ky botëror na dha shkëmbime kupash ndërmjet grave të pushtetshme

607
Sigal

 

Kupa e Botërorit 2014/Flasin për “Telegraf” ministrja Nikolla, zv/ministrja Malaj, zv/ministri Mazniku, Profesorët: Kule, Malaj, Kaçani, Rrokaj, Hasko, Shegani dhe Maliqari

Atmosfera e eventit më të madh dhe më madhështor të futbollit tani është shuar. Përgjatë një muaji, sytë dhe zemrat e shumë sportdashësve, anembanë globit, u fokusuan ne ekranet e televizorit për t’i përjetuar ndeshjet njëra pas tjetrës, sipas preferencave për ekipin e zemrës. Disa prej tyre u lumturuan për arritjen e ekipit të tyre në këtë apo atë fazë, apo më mirë akoma në finale. Ndërsa shumë të tjerë provuan hidhërimin, sepse ekipi i tyre u eliminua, por, në fund të fundit, këto janë rregullat e lojës. Disa parashikuan saktë dhe disa të tjerë as që nuk iu afruan fare. Por siç tha ministrja e Arsimit dhe e Sportit znj. Lindita Nikolla “topi është i rrumbullakët…”. Gjithsesi, duket se personalitetet e arsimit shqiptar e shijojnë, por dhe e njohin mirë futbollin. Pothuaj të gjithë kanë parashikuar se kupa do të vijë në Europë, ndërsa e kanë parë Gjermaninë në finale ministrja Nikolla, zv/ministrja Malaj, profesorët Kule, Shegani, Maliqari, Rrokaj dhe Hasko. Sot, drejtuesit e arsimit shqiptar komentojnë për “Telegraf” ndjesitë e tyre në finalen e Botërorit 2014.

 

Pyetjet e forumit

Gjatë botërorit

1. Po e ndiqni botërorin, si po ju duket?

2. Ekipi juaj i zemrës?

3. Parashikimi juaj, se kush do e fitojë botërorin 2014?

 Pas botërorit

1. Si e përjetuat finalen e botërorit, a e merituan 2 skuadrat të ishin finaliste?

2.a. Skuadra juaj e zemrës, Gjermania, ngriti kupën e botës. Çfarë e bëri të mundur këtë sipas jush?

2.b. A ju erdhi keq që skuadra juaj nuk ishte finaliste dhe çfarë e penalizoi, sipas jush?

 

Ministrja e Arsimit dhe e Sportit Lindita Nikolla

 Gjatë botërorit

1. Po e ndjek botërorin me një vëmendje më specifike.

Gola të bukur, skuadra befasuese, janë dy prej ndjesive të para.

2. Ekipin për të cilin bëj tifo, me të dy vëllezërit e mi, që herët, është Gjermania.

3. Pretendente? Gjermania  dhe Holanda. Por, gjithsesi është shpejt të parashikosh, ndërkohë që… topi është i rrumbullakët.

Pas botërorit (në vend të ministres)

Për shkak të angazhimeve, ministrja Nikolla, nuk mundi të tregojë dot për ndjesitë që provoi në finalen e Botërorit 2014. Por, siç duket dhe nga parashikimi, dhënë “Telegrafit” gjatë Kampionatit Botëror, ministres së Arsimit dhe të Sportit i takon moralisht “kupa”  nga stafi ynë, pasi skuadra e saj, Gjermania, ngriti kupën në këtë botëror. Sigurisht që ministrja Nikolla e ka ndjekur finalen me dy vëllezërit e saj dhe për më tepër, që një nga finalistët ishte skuadra për të cilën bëjnë dhe tifo. Dhe patjetër që është lumturuar kur ekipi i saj ngriti kupën e botës. Por, botërori mbaroi dhe jehona e tij po fanitet ngadalë. Ndërsa ministrja ka shumë për të bërë. Të shpresojmë që edhe ajo do të jetë fitimtare si skuadra për të cilën bën tifo.

Zv/Ministri i Arsimit dhe Sportit Arbian Mazniku

 Gjatë botërorit

1.Po e ndjek, por më pak se kampionatet e tjerë, duke qenë në një periudhë shumë të ngarkuar me punë në këtë kohë. Pjesa më e madhe e ndeshjeve që kam parë, kanë qenë shumë të mira, (por ndoshta ngaqë kam parë vetëm ndeshjet më të mira).

2. Unë jam tifoz i Holandës.

3. Me sa kam parë deri tani, Holanda ka më shumë gjasa për të fituar se çdo skuadër tjetër.

Pas botërorit

1. E pashë shumë ftohtë finalen e botërorit, pa ndonjë emocion, se, e theksoj, që ishte fatkeqësi që Holanda nuk ishte në finale. Finalja, edhe pse më e rëndësishmja, nuk ishte finalja më e bukur, por siç thonë “fituesit nuk gjykohen”. Argjentinës sidomos nuk i takonte të ishte një nga dy aktorët e finales së botërorit.

2. Përsa i takon skuadrës sime, Holandës, kjo është pak histori fati ose më saktë vendimesh jo të marra siç duhet nga trajneri Van Gaal. Nëse gjatë gjithë kampionatit mori vendimet e duhura, në ndeshjen me Argjentinën (në çerekfinale) u duk sikur luajti gjatë gjithë shtesës, jo për të fituar, por për ta çuar ndeshjen drejt penalltive. Me pak fjalë, nuk rrezikoi sa duhet. Unë vazhdoj të them se Holanda kishte sivjet skuadrën më të mirë të mundshme, me shumë përgatitje dhe me shumë kualitete. Holandë-Gjermani, do të ishte qenë finalja perfekte, por nuk ndodhi. Kjo ngelet në ndoshta…

 

Zv/Ministrja e Arsimit dhe Sportit Nora Malaj

 Gjatë botërorit

1. Kampionatin botëror po e ndjek me shumë vëmendje, aq më tepër që jam dhe zv/ministre e Arsimit dhe e Sportit, por edhe për faktin që ndeshja të jep një energji pozitive dhe një frymë socializmi në të gjitha grupimet sociale e shoqërore. Mendoj që deri tani, botërori na ka dhënë ndeshje të bukura më një numër të shumtë golash dhe do të veçoja ndeshjet, ku doli fituese Italia dhe Gjermania.

2. Unë tifozerinë e bëj për Brazilin, ndonëse dhe në ndeshjen e parë fituese dhe në atë me Meksikën nuk ka dhënë maksimumin e saj, ndonëse shpresoj shumë të dalë në finale.

3. Mendoj se kupa edhe këtë herë do të jetë në Europë dhe për mua pretendente do të jenë Gjermania dhe Italia.

 Pas botërorit

1.Botërori është festa më e bukur e futbollit dhe, sinqerisht, mund t’ju them se më dha shumë emocione si sportdashëse. Ky botëror tregoi se nuk kishte ekipe të mëdha apo të vogla, por skuadra që garojnë në grup, si Kosta Rika e të tjerë dhe ekipe të mëdha që na dhanë emocione të paparashikuara. Finalja ishte nga shfaqjet më të bukura të botërorit dhe duhet thënë  që Gjermania e meritoi kupën e botërorit. Është shumë bukur që kupa erdhi në Europë dhe kjo na bën krenar të gjithë neve, që jemi pjesë e kontinentit të Europës. Parë nga spektri gjinor, më pëlqeu pafund, që në krye të shtetit që fitoi kupën është kancelare një grua e fuqishme si zonja Merkel dhe në kontinentin tjetër një presidente e nderuar si Dilma Vana Rousselff e Brazilit që dhuroi kupën e vendit pritës. Ky botëror na dha shkëmbime kupash ndërmjet grave të pushtetshme.

2. Natyrisht, më erdhi keq që skuadra e zemrës, Brazili, nuk arriti të shkojë në finalen e botërorit. Po, realisht, në këtë botëror ata nuk paraqitën formën e tyre më të mirë. Ndoshta ka ardhur momenti për një ringritje të skuadrës. Gjithsesi, si skuadër pretendonte, ata shkuan deri në çerekfinale dhe është në nderin e çdo admiruesi të sportit të vlerësojë dhe të përgëzojë fituesin dhe të ngushëllojë humbësit, duke shpresuar që dështimi i radhës të jetë motiv për një mobilizim më të madh në të ardhmen. Ndaj është i bukur botërori, se krijon adrenalinë dhe socializon popujt, duke zhdukur edhe gjuhën edhe kufijtë. Shembulli më i bukur është festa që u organizua në qytete të ndryshme nga tifozeria shqiptare që ishin me skuadrën gjermane. Gjithsesi, kupa u dha në Brazil, ndaj dhe vlera e Brazilit është e tillë, se kur themi “Botëror”, në subkoshiencë nënkuptojmë “Brazil”.

 

Rektori i Universitetit të Tiranës Dhori Kule

 Gjatë botërorit

1. Patjetër që e ndjek.

2. Holanda që shkatërroi Spanjën, kampionen në fuqi. Edhe pse holandezët nuk e kanë fituar kurrë botërorin, ata janë një kombëtare, që futbollin e kanë traditë.

3. Për të qenë realist, mendoj se botërorin 2014 do e fitojë Gjermania. Duket se janë grup solid dhe kompakt. I mendoj si favoritë në këtë kampionat.

 Pas botërorit

1. Mendoj se finalja ishte e merituar për të dyja ekipet, për më tepër që Gjermania ishte dhe brenda parashikimit tim. Ky kampionat tregoi se futbolli europian ka avancuar ne teknikë duke lënë pas futbollin e Amerikës Latine. Shoh, që procesi i globalizimit shfaqet dhe në futboll. Shkolla gjermane e futbollit tregoi se nuk fiton më individi, talenti i veçuar, por skuadra dhe loja në skuadër.

2. Nuk më erdhi keq që skuadra ime nuk doli në fitore, e kisha parashikuar këtë. Por kjo s’do të thotë që unë e tradhtoj Holandën, për të cilën bëj tifo.

 

Rektori i Universitetit të Arteve Petrit Malaj

Gjatë botërorit

1. Po e ndjek me kureshtje këtë botëror, por jam shumë i zhgënjyer nga disa skuadra të mëdha. Gara e Brazilit nuk më ka pëlqyer.

2. Tifoz jam me Italinë.

3. Brazili mund të fitojë, por nuk jam i bindur.

 Pas botërorit

1. Finalen e botërorit e kam shijuar shumë mes miqsh në një nga lokalet e qendrës në Tiranë, e mbipopulluar me të rinj. Një atmosferë e shkëlqyer në shoqërinë e një birre të mirë dhe të ftohtë! Kishte një entuziazëm të papërshkruar, pasi gati 80 % e njerëzve aty ishin me Gjermaninë, madje dhe miqtë e mi në tavolinë. Përsa i takon meritës së finalistëve, për mendimin tim, Gjermania e meritonte, ndërsa Argjentina jo, mund edhe të mos ishte në finale.

2. Nuk u mërzita që Italia nuk ishte në finale, se e mendoja që në fillim që kështu do të ndodhte. Mendoj se Italinë e penalizoi taktika e trajnerit që nuk ishte optimale, por edhe skuadra nuk funksionoi.

 

Rektori i Universitetit Politeknik Jorgaq Kaçani

Gjatë botërorit

1. E ndjek kampionatin me kënaqësi. Është sporti më popullor dhe më i thjeshtë, se nuk kërkon gjë tjetër veçse një top dhe skuadra ngrihet. Pikërisht, te thjeshtësia qëndron dhe madhështia e këtij sporti.

2. Si çdo brez që ka nostalgjitë e veta, edhe në futboll nostalgjia e brezit tim është Holanda.

3. Do fitojë ai ekip që mundi kampionen në fuqi, Spanjën, me rezultatin 5-1, pra Holanda.

 Pas botërorit

1.Emocione dhe kënaqësi. Të dyja skuadrat, me historitë e veta në futbollin botëror e merituan finalen. Gëzohem që kupa erdhi në Europë dhe Gjermania e meritoi plotësisht.

2. Më erdhi keq që Holanda nuk doli në finale dhe që nuk u kurorëzua. Megjithatë, mori atë që meritonte…

 

 

Dekani i Filologji-Historisë Shezai Rrokaj

 Gjatë botërorit

1. Po e ndjek. Është një botëror me efektivitet, me shumë gola dhe me surpriza, ku mjaft ekipe janë në fazën e plakjes si: Portugali dhe Spanjë dhe të tjerë që po rilindin si Holanda. Anglia dobët, ndërsa Franca jo me shkëlqim.

2. Tifoz? Varet nga ekipi që luan në një ndeshje. Por skuadra ime është Italia.

3. Parashikoj se fituesi do të jetë midis Gjermanisë, Italisë, Brazilit dhe Holandës.

Pas botërorit

1. Deri diku besoj se 2 skuadrat e meritonin të ishin finalistë, sidomos Gjermania, sepse Argjentina e kishte grupin më të lehtë, veço këtu Holandën.

2. Italia ishte dobët, për fat të keq. S’ka qenë më keq se kaq! Duhet rigjetur shpirti italian, nervi “azzurro”. Ekipet italiane po mbahen më shumë me lojtarë të huaj. Duhet promovuar më shumë produkti “made in italia”, në mënyrë që të fitohet lidership, stimul, nerv e prestigj. Efekti global dha më shumë rezultat tek ekipet e “vogla” dhe ka dëmtuar ekipet me emër.

 

Dekani i Drejtësisë Altin Shegani

 Gjatë botërorit

1. Po, e ndjek me shumë vëmendje. Ky botëror po dëshmon se themelet e futbollit europian janë të konsoliduara. Janë superiorë, dinamikë, teknikë dhe për më tepër rezultativë. Skemat e futbollit europian janë të racionalizuara në funksion të realizimit të qëllimit. Ndërsa ekipet e Amerikës Latine po luajnë me skema të lexueshme dhe për më tepër nuk janë rezultative.

2. Unë bëj tifo për Gjermaninë.

3. Mendoj dhe shpresoj që këtë botëror ta fitojë Gjermania.

 Pas botërorit

1. E kam ndjekur finalen me kureshtjen qe prodhon e papritura në futboll dhe me shpresën e besimin se do të triumfonte shkolla europiane e futbollit. Mendoj se Gjermania, absolutisht që e meritoi finalen. E dëshmoi me gjithçka prezantoi në këtë kompeticion, në nivele individuale dhe sidomos në nivel kolektiv të harmonizimit të gjithçkaje, në funksion të arritjes së qëllimit.

2. Finalja, në fakt, duhet te ishte: Gjermani- Holandë. Finales nuk duhej t’i mungonte Holanda. Por këto janë të papriturat në futboll. Ngritjen e kupës nga Gjermania e bëri të mundur: dëshira e zjarrtë për fitore, vullneti pozitiv për ta bërë të mundur, shpirti luftarak dhe disiplina  e hekurt.

 

Dekani i Arkitekturë-Urbanistikës Andrea Maliqari

 Gjatë botërorit

1. Kur kam kohë, me thënë të drejtën i kam ndjekur.

2. Që nga viti ‘74 jam tifoz me Holandën. Ndeshja e parë ishte mirë. Dhe, siç thonë “dita e mirë duket që në mëngjes”. Të shpresojmë që s’do kemi vranësira rrugës.

3. Ndeshjet e para nuk i përcaktojnë nivelet e skuadrave dhe varet se me kë luajnë. Në historikun e kampionatit botëror ka skuadra që nuk e kanë shprehur nivelin e tyre që në fazat e para, por më pas kanë treguar nivel tjetër. Vështirë të përcaktosh fituesin në këtë moment. Të gjithë thonë që Brazili është pretendenti, edhe si organizatori i këtij kampionati. Gjermania dhe Holanda nuk janë keq për të qenë objektiv.

Pas botërorit

1. Janë 2 gjëra krejt të ndryshme: të qenurit sportdashës dhe të gjykuarit me objektivitet. Gjermania këtë botëror tregoi se ishte ekipi më kompakt dhe me rritje nga ndeshja në ndeshje, ku kulmin e arriti në ndeshjen me Brazilin, që përfundoi me rezultatin 7-1. Ndërsa Argjentina tregoi një skuadër, e cila më shumë shkatërronte sulmin e skuadrave të tjera për të arritur rezultate. Por, Gjermania e meritonte vërtetë.

2. Ndërsa skuadra ime e preferuar Holanda tregoi vlera, edhe pse me rezultatet e ndeshjeve të fundit u pa që nuk do të ishte finaliste, sidomos në ndeshjen me Argjentinën që ishte një ndeshje e dobët dhe për të cilën vendosi fati. Ekipe si Holanda s’duhet që t’ia lenë ndeshjen fatit. Pra, përveç ndeshjes me Argjentinën të tjerat ishin të këndshme.

Por, futbolli në ditët e sotme është bërë matematikë fiton ai që gabon më pak dhe jo ai që bën lojë të bukur.

Dekani i Inxhinierisë së Ndërtimit Gëzim Hasko

 Gjatë botërorit

1. Patjetër, që e ndjek. Unë jam vetë sportist. Por zakonisht ndjek këto 2 ndeshjet e para, se ato pas mesnate nuk i ndjek dot, përveçse kur bëhet fjalë për një ndeshje që s’duhet humbur.

2. Tifoz jam me Holandën, sepse është i vetmi ekip që ka një futboll total dhe e kanë zili të gjithë ekipet e tjera, madje dhe ajo veten, se deri më tani ka fituar vetëm nga talentet.

3. Parashikimi është pak i vështirë, por besoj, ose më mirë të them, dëshiroj që kupa do të vijë në Europë.

 

Pas botërorit

1. Finalen e ndoqa shumë i relaksuar, për më tepër që më doli parashikimi, kupa erdhi në Europë…

2. Holanda luajti me yje të tillë si: Roben, Shnajder, Van Persi, por fatkeqësisht jo si ekip. Gjithsesi, ia vlen të thuhet se Holanda në këtë kampionat solli një risi në lojën shtesë, që kishte një portier vetëm për penalltitë dhe kjo është meritë e trajnerit. Holanda nuk ishte në finale se nuk ishte një ekip i lojës totale, por edhe fati e penalizoi. Edhe yjet e këtij viti, siç janë lojtarë të mëdhenj edhe kanë humbur raste, të cilat e penalizuan Holandën.