Prof. Gjinushi : “Kritikat ndaj Metës më kushtuan deputetllëkun dhe portofolin e ministrit”

507
Sigal

INTERVISTA/ Ideologut të së Majtës shqiptare, Prof. Gjinushit, nga shkëlqimi në politikë, i ka mbetur vetëm poltroni i zyrës

Zoti Gjinushi ka humbur vërtet, që nga ajo ditë historike për socialistë-integrim-istët, kur dy armiqtë më të betuar të kësaj epoke,  Edi dhe Iliri u puthën (kësaj here, pa u ndukur) dhe u bënë miq për kokë, (pa vënë  askush dorën në zjarr për sa kohë  do jenë miq). Askush më, nuk ka haberin se ku është Prof. Gjinushi. As në selinë e tij partiake, e cila është katandisur si kasollja e Galigatit, nuk ka më këmbë e shpirt njeriu. Bile-bile, thonë se edhe Ndre Legisi, prandaj humbi ofiqet e koordinatorit të PS-së, ngaqë nuk gjeti din e iman Prof. Gjinushit.

Por, Prof. Gjinushi,  nuk i harron miqtë e tij. Një ditë vape, jo nga vapa e gushtit, por nga vapa e merakut të humbjes pa din e iman të Prof Gjinushit, më bie cërrrrrr-cërrrrrr telefoni.  Fërkoja sytë që të besoja se ishte Prof. Gjinushi në telefon.

– Prof. Gjinushi, më thuaj. Vërtet je gjallë?- e pyeta i tromaksur, sikur më erdhi papritur fantazma e përtej botës së varrit.

– Po, pse, o i vrarë, habitesh? Nuk e  njeh as ti më zërin tim? U bëtë të gjithë Edë, e më shkruajtët te të shumtët, tani?

– Prof. Gjinushi, si ta besoj që je gjallë?

– Kush të tha ti që kam vdekë? Edi? Tani s’ka ma më nevojën mua. Nuk i duhen më demonstratat, ngaqë u puth me Ilirin. Ndaj, tani, ai, u thotë të tjerëve, se Gjinushi ka humbë, për të më lënë prapa liste.

– Prof, aman më thuaj ku je?  Të të shoh, e të të prek, që të besoj që je gjallë.

– Hajde, këtu ku thekem në diell, – më tha Prof. Gjinushi.

Vrapin e lashë te bregu i detit, aty ku dallgët rrahin shkëmbinjtë. Gjinushi ishte vërtet i gjallë. I tëri ishte ulur në një poltronë të madhe, kreu i së cilës ishte 44 cm mbi kokën e tij.

– Prof. Gjinushi, shyqyr që të shoh të gjallë,- i thashë nga gëzimi.- Po më tremb, që rri këtu, buzë greminës të detit? Mos na bësh ndonjë hata?

– Hatanë ma bëri Edi, mua. Hiçi dhe kjo poltrona më mbeti tani. Saliu më degëndisi  në një seli-kasolle, ku as korrent të ngrohem, nuk  i jep partisë time të paguajë CEZ-in.  E sikur të mos më mjaftonte ky zullum, edhe pemët e avllisë  janë vyshkur nga halli im, sa gjethet më mbulojnë këpucët kush shkel në tokë. Tani, ky Edë, që na u fut si diversant në politikë, më la tani më keq se Saliu. Pa deputetllëkun. Po edhe më keq. Më la edhe pa portofolin e ministrit. Ç’më mbeti mua nga burrëria politike? Ja kjo poltronë.

– Po pse kështu, Prof. Gjinushi? Ju një jetë të tërë ia kushtuat socialdemokratkomunizmit.

– Që kur Edi vajti dhe u puth me Ilirin, u shua ylli im.

– Prof. Gjinushi, si ndreqin  u zgjidh  kështu ekuacioni opozitar i së Majtës, me derivatin e maxhorancës së Berishës? Nuk pinë ujë as teoremat  dhe as leksionet e tua?

– Hë, ma thuaj edhe ti. A mund të kuptohet një Kuvend i së majtës socialistodemokratokomuniste pa një Gjinush deputet? A mund të perceptohet një qeveri majtiste pa Gjinushin ministër? Ja këtë çorbë politike na gatoi Edi.

– Po pse kjo katandi, Prof. Gjinushi? Zullumet e kujt paguan tani?

– Zullmet që bëra ndaj Ilirit. U lodha 4 vjet, që ta bindja Edë diversantin, se Iliri nuk është më socialist, por berishianist. Një çast, më besoi, ndaj u sulëm si skifterë mbi Ilirin në 21 janar. Por rrugës,   Edi diversanti vrau mua, që jetën time ia kushtova socialdemokratkomunizmit, por dhe  harroi  edhe të vrarët e bulevardit  Dhe darkën time Edi me Ilirin e hëngrën në Lalzë. Kjo nuk është qeveri e majtistëve që protestuan në bulevard. Kjo është qeveria e tradhtarëve të socialdemokratkomunizmit. E kuptova me vonesë. I kam rënë në qafë Saliut. Keni për ta parë. Shumë shpejt, kemi për të thënë. “Ishte lule Saliu, përpara  Ramës e Ilirit, këtyre tradhtarëve të socialdemokratkomunizmit, që më lanë me poltronë,  dhe as pa pension në politikë”.