Përmendorja ajrore e një shenjtori të gjuhës shqipe

695
Mustafa Berati
Tek nisja këtë përkujtesë për shenjtorin e shkollës shqipe, Dhaskal Todri (ose ndryshe Theodhor Haxhifilipi) nga Elbasani, m’u kujtua pa dashje, në një rrëshqitje të sekondës, filmi shqiptar “Udha e shkronjave”. Dija edhe një gjë tjetër, se skenarin e këtij filmi jo pa sukses për kohën, e shkroi një tjetër elbasanas i mirënjohur, Dhimitër S. Shuteriqi. Midis këtyre dy apoteozave, të jetës dhe të filmit, shpaloset plot dramaticitet jeta plot trazime e Dhaskal Todrit. Shekulli në të cilin ai jetoi plot ëndrra të cunguara nga pushtimi osman , pak a shumë është jeta e një martiri të gjuhës. Ishte një periudhë kohore plot terr fantazmagorik, plot frikë nga e kaluara, plot dhembje nga e tashmja. Në ekstremet e kësaj kohe të mugët biblike u shfaq befasisht edhe jeta e vepra e këtij heroi të madh, përpiluar rreth e qark në identitetin e gjuhës shqipe. Dhaskal Todri ka lindur rreth vitit 1730 në Elbasan. Punoi shumë kohë si mësues në shkollën greke të Elbasanit midis viteve 1751-1801, kryente detyrën e ofiqarit në ruajtjen e kodikut të Shën Mërisë në kishën e kalasë. Në këtë detyrë u emërua mbasi mbaroi studimet në Akademinë e Voskopojës. Në këto vite shërbimi pranë lutjeve liturgjike të mbajtura me stoicizëm në gjuhën amtare, atij shpeshherë i dilte para syve misioni i vështirë i botimit të tyre, i përhapjes në gjuhën e shqiptarëve, gjë që u bë edhe pikësynimi kryesor i tij: Kërkonte me çdo kusht të krijonte modelin e një predikimi shqiptar, për të mënjanuar detyrimisht edhe vuajtjet e një predikimi të huaj, grek. Kishte jetuar me këtë ëndërr për gati 50 vjet duke kryer, si zakonisht, detyrën e një shambelani të ndershëm të kishës së kalasë. Për ta mistifikuar këtë ëndërr madhështore, ai krijoi edhe një alfabet shqip me 53 shkronja. Provat, në përshtatje me këtë çelës të ri tregonin se diçka po ndryshonte në skemën e errët turkoshake të kohës. Diçka po vezullonte në shpirtrat e mirë, diçka po rijetonte nën atë shekull hibrid osman. I mbushur me entuziazmin e vetes, miqve të kishës, miqve të shkronjave të sapodala nga “furra” e ëndrrave të tij, i përcjellë nga shpresa e elbasanasve për një shkollë shqipe dhe libra shqip, një mëngjes të mugët, i ndjekur nga oshtima e kambanës së kishës, ai u nis drejt Gjermanisë ose Alemanit, siç i thoshin në Elbasan. Rruga duhet të ketë zgjatur mjaft duke mos harruar se ai ishte në apogjeun e moshës së tij. Koha e zgjatjes nuk dihet, por njihet koha e kthimit të tij, një kthim më i vështirë se nisja, sepse në ato arka që sillte ai qenë fshehur gjërat më të lemerishme për Perandorinë Osmane dhe Patrikanën greke, gjëra aq të tmerrshme sa atë e kishin shpallur një heretik të madh të kohës së tij. Si me Xhordano Brunon, do të ndodhte i njëjti kryqëzim urrejtjesh të vjetra, i njëjti mllef i pafund. Ndërsa Xhordano Bruno vdiste në turrën e druve për të mbrojtur idenë e rrumbullakësisë së tokës, Theodhor Haxhifilipi u muros për bukurinë e shkronjave shqipe në një humnerë të panjohur midis Elbasanit dhe Voskopojës, i djegur pabesisht me gjithë arsenalin e 53 shkronjave të tij, i rrethuar po nga ajo urrejtje armiqsh të paepur, i futur në skafandrin e tij të një rilindësi të madh në vitin 1805. Jam përpara kujtimit të tij si para një monumenti që nuk ekziston fizikisht, por që ndodhet brenda shpirtit të çdo shqiptari të ndershëm; meritat e tij nuk mund të klasifikohen kurrë dhe me asgjë, veçse me një nderim plot kuptim, sepse teksa flasim sot lirisht shqip, buzët na i ndrydh vikama e kohës së tij plot zinxhirë tiranikë. Ky është Dhaskal Todri, ky është monumenti i tij eterik në shpirtrat e çdo bashkëkombësi të ndershëm e të shenjtë dëshmori i parë i shkollës shqipe.
Sigal