Përkthimi i parë i Biblës në gjuhën shqipe

1455
Sigal

Promovohet libri i Prof. Xhevat Lloshi: “Përkthimi i V. Meksit dhe redaktimi i G. Gjirokastritit”, Shtëpia Botuese “Onufri”, 2012.

Shtysa e parë për përkthimin e Dhiatës së re shqip ka qenë europiane. Si pjesë e programit për rilindjen e kombësive të Ballkanit, nga filologu slloven Jeremi Kopitar, që punonte në Vjenë, u përfshi më 1815 edhe përkthimi i Dhiatës së re shqip. Kjo sipërmarrje gjeti mbështetjen e orientalistit të njohur francez, baronit Silvestër de Sasi, i cili ia përcolli mendimin Shoqërisë Biblike Britanike dhe për Vendet e Huaja (BFBS) në Londër. Shoqëria kishte vetëm dhjetë vjet që ishte themeluar, nuk kishte njerëz në Londër të specializuar për gjuhët sllave dhe për shqipen. Propozimi iu kalua veprimtarit më energjik të BFBS, Robert Pinkertonit, në degën e Shoqërisë të Sankt Peterburgut në Rusi.

Robert Pinkertoni erdhi në Vjenë më 1816 për të themeluar degën e BFBS. Atje e rrahu me J. Kopitarin në të gjitha hollësitë planin e përkthimeve në gjuhët ballkanike, ndërsa patën mbështetje edhe nga të dhënat prej bisedimeve me shqiptarët në Vjenë. U arrit në përfundimin se përkthimi shqip mund të shtypej duke iu drejtuar alfabetit grek me ndryshimet e nevojshme. Botimet me këto shkronja për Perandorinë Osmane bëheshin në Venecie. Ndër të tjera doli se më 1814 atje ishte botuar një libër i përkthyer greqisht nga frëngjishtja prej historisë së gjerë të abatit francez Fleri. Përkthimin e kishte bërë Vangjel Meksi.

Me porosi të veçantë nga Ali Pashë Tepelena, V. Meksi (rreth 1770-1823) kishte studiuar për mjekësi në Napoli më 1803-1805 dhe më pas punoi si mjek i tij. Por aty nga viti 1810 ra në mëri të pashait të fuqishëm dhe u detyrua të largohej. Ndoshta në Korfuz është takuar me francezë dhe me klerikë ortodoksë, nga të cilët mori librin frëngjisht të Flerisë dhe mbështetjen që ta përkthente dhe ta botonte më 1814.

Me një dëshirë të pashuar për të arritur diçka për gjuhën shqipe, R. Pinkertoni ndërmori një udhëtim, duke kaluar edhe në bregdetin e banuar prej shqiptarësh, dhe e gjeti V. Meksin në Stamboll. Nga biseda me të zbuloi se ai madje kishte hartuar edhe një gramatikë të shqipes. I bindur edhe nga zotërimi prej tij i disa gjuhëve, nënshkroi me të më 19 tetor 1819 marrëveshjen për përkthimin shqip të Dhiatës së re. Meksi nisi menjëherë nga puna dhe me përgatitjen që kishte, e përfundoi shpejt gjatë vitit 1820. Pas kësaj çështja kryesore ishte gjetja e një redaktori dhe të përcaktohej cili variant i përkthimit në greqishten e re do të merrej për ta bërë botimin në dy gjuhët paralelisht. Ndërkohë, për shkak të trazirave të asaj periudhe, dorëshkrimet u hoqën nga Stambolli dhe u dërguan në Maltë më 1822. Vetë V. Meksi u përfshi në kryengritjen kundër sundimit osman dhe, me sa duket, është vrarë më 1823.

Shoqëria Biblike vendosi të bënte një provë, duke botuar vetëm një ungjill. Nga dorëshkrimi i V. Meksit u dërgua në Korfuz Ungjilli i Mateut. Fatmirësisht aty ndodhej i larguar nga detyra e tij peshkopi shqiptar i Eubesë, Grigor Gjirokastriti (?-1828). Me ndihmesën e përfaqësuesve të BFBS u përcaktua alfabeti për këtë botim dhe më pas u përmirësua më tej për gjithë librin. Isaak Laundzi, në atë kohë i Shoqërisë Biblike Joniane, e ndihmoi G. Gjirokastritin të përvetësonte mjeshtërinë e redaktimit dhe më 1824 u botua në Korfuz “Ungjilli i Mateut”. Varianti përfundimtar i alfabetit u vendos nga I. Laundzi pas një diskutimi të hollësishëm me T. R. Platin, i cili hartoi edhe një “Histori të përkthimeve”, si dhe me shqiptarët në Korfuz.

Ka njoftime se G. Gjirokastriti, me nxitjen e R. Pinkertonit, përgatiti shqip edhe disa broshura për t’u shtypur nga Shoqëria e Broshurave Fetare (RTS). Ai e përfundoi redaktimin e gjithë dorëshkrimit dhe e ndoqi botimin pothuaj deri në fund, kështu më 1827 u shtyp në Korfuz e para Dhiatë e re shqip. G. Gjirokastriti u largua në Athinë, por pas pak kohësh vdiq atje. Emri i tij është vënë në botimin e vitit 1827, sepse vlente si autoritet fetar për ta pranuar botimin dygjuhësh. Ndërsa në një ribotim të dështuar, sepse e ndërmori më 1858 I. Laundzi në Athinë pa ndihmën e ndonjë shqiptari, emri i G. Gjirokastritit është hequr.

Botimi i së parës Dhiatë të re për gjuhën shqipe ishte një ngjarje kulturore e filologjike me rëndësi, sepse e dokumentonte si gjuhë të aftë edhe për përdorim letrar, duke përballuar një tekst si gjithë simotrat europiane. Ndërsa shërbeu për futjen e gjuhës shqipe në shërbesat fetare, ajo nxiti edhe interesimin për shqipen e shkruar te popullsia shqiptare përgjithësisht. Njëkohësisht u bë zanafilla e një tradite të rëndësishme përkthimesh, të cilën e vijuan K. Kristoforidhi, Gjerasim e Gjergj Qiriazi, F. Noli e Thanas Sina.

Botuesi ishte Shoqëria Biblike e Londrës. Ajo e shihte atë si vepër fetare, të caktuar për qëllime ungjillëzuese, që bënte pjesë në një plan të gjerë me përmasa botërore. Njerëz si J. Kopitari, R. Pinkertoni, A. Tomsoni e shihnin edhe si mjet të veçantë për të lëvruar gjuhën e shkruar me qëllim që të përhapej arsimi, si hapi i parë drejt ngritjes kulturore dhe rilindjes së një populli.

Libri nisi jetën e vet të pavarur, si tekst i mirëfilltë i gjuhës së shkruar të njërit prej popujve më të lashtë të Ballkanit, duke luajtur rol të jashtëzakonshëm për njohjen e shqipes në gjysmën e parë të shek. XIX nga shkenca filologjike europiane. Interesimi i dijes europiane për shqipen iu drejtua atij si burimit më të vlefshëm dhe të besueshëm. Mjafton të përmenden emrat e J. Ksilanderit, J. Falmerajerit, J. fon Hanit, F. Bopit, G. Majerit.

Shënimi poshtë titullit “nën kujdesin e Grigorit, kryepeshkopit të Eubesë” e shndërroi autorësinë e përkthimit në një enigmë gjatë një shekulli e gjysmë. Në arkivat e BFBS është ruajtur një visar i gjerë i kësaj pune për gjuhën shqipe. Më 1972 aty u gjet jo vetëm dokumentimi i gjithanshëm i kësaj pune, por edhe një numër dorëshkrimesh me vlerë.

Nxjerrja në dritë e këtyre dorëshkrimeve dhe e dokumenteve të tjera ka rëndësi të madhe jo vetëm për historinë e gjuhës së shkruar shqipe e historinë e gjuhësisë shqiptare, por edhe për kulturën shqiptare në përgjithësi. Faktet e qarta tregojnë se në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë në Shqipëri ishin krijuar kushtet dhe ishin pjekur forcat intelektuale jo vetëm për të bërë përpjekje, por edhe për të zgjidhur me sukses detyra të ndërlikuara të gjuhës së shkruar në një kontekst të gjerë kulturor. Përkthimet e Biblës në veçanti nuk ishin kështu një ndërmarrje e njëanshme. Pjesëmarrja e personaliteteve dhe e shoqërive të huaja dëshmon për një përputhje fatlume të interesave të tyre me kërkesat e lëvizjes shpirtërore shqiptare, lëvizje e cila do të zgjerohej si valangë në Rilindjen kombëtare.

Këto zbulime i nxjerrin gjuhësisë së sotme shqiptare një detyrë të dyfishtë: së pari, është e domosdoshme të vijohen kërkimet në këtë drejtim, pasi të dhënat e reja na japin indikacione të tjera premtuese. Së dyti, studimi i hollësishëm tekstologjik i dorëshkrimeve, duke përfshirë edhe krahasimet me botimet dhe karakterin e redaktimeve në vetë dorëshkrimet, jep një lëndë të vlefshme për historinë e gjuhës së shkruar shqipe dhe për historinë e alfabetit të shqipes. Këtyre detyrave u shërben edhe ky libër, bashkë me botime të tjera të autorit. Të dhënat e reja dokumentare i ndryshojnë e i pasurojnë disa faqe të filologjisë sonë, duke përfshirë edhe historinë e letërsisë shqipe. Besojmë se ato paraqesin interes edhe për albanologët, që punojnë në këto fusha. Më 1972 pata fatin të zbuloja dorëshkrimet dhe dokumentimin; me këtë libër jam përpjekur të zbuloj Meksin – përkthyesin dhe Grigorin – redaktorin.

Vangjel Meksi nuk është thjesht i pari përkthyes i suksesshëm i Biblës shqip, ai është një figurë e shquar e kulturës shqiptare në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, puna e të cilit pati jehonë dhe ndikim si në Shqipëri, ashtu edhe në opinionin botëror. Vepra e tij ka vend të caktuar në historinë e gjuhës së shkruar shqipe. Grigor Gjirokastriti dha ndihmesën e tij të pazëvendësueshme, që të bëheshin botimet shqip dhe të fitonin autoritet. Me punën e tyre ata të dy bënë një hap vendimtar në lëvrimin e shqipes së shkruar dhe janë paraardhës të Rilindjes në këtë fushë.

Botimi i Dhiatës së re shqip më 1827 ishte fryt i fillimeve të rilindjes ballkanike. Ringjallja e popujve të Ballkanit, natyrisht, do të ndodhte kur Perandoria Osmane po merrte të tatëpjetën, por njëkohësisht ajo nuk u bë pa ndihmën e kulturës europiane që nga iluminizmi e deri te romantizmi, që nga rrjedhojat e Revolucionit Francez e deri te ardhja e Bajronit në Shqipëri te Ali Pashë Tepelena. Këtë libër e bënë shqiptarët me ndihmesën e drejtpërdrejtë të europianëve; e përdorën shqiptarët, madje duke e kthyer në pikënisjen e një tradite, dhe mori vlerësimin më të lartë të shkencës europiane.