Unë dua të protestoj…

Unë dua të protestoj

Vendosa të bëhem burrë,

Shembni male, shembni fusha,

Vetëm parlamentin, kurrë!

Unë dua të bëj protesta,

Kemi halle të mëdha,

Se rogat e deputetëve

Duhen çuar edhe ca!

 

Unë do ngrihem në revoltë,

Veç në emër të lirisë,

Gjithë gjyqtarët miliarderë,

Të jenë: “Nderi Shqipërisë”!

 

Do ngrihem, se nuk durohet!

U bëmë fare kanavale,

Për gjithë familjet pa punë,

Mos ketë asistencë sociale!

 

Vendosa të rebelohem,

Se nuk më duket e drejtë,

Taksat i kemi të ulta,

Duhet të çohen, urgjent!

 

Unë do ngrihem në protestë,

Këtë herë nuk bëj shaka,

Për martesat bythë më bythë,

Të ketë shpërblim në para.

Unë do ngre zërin në qiell,

Jo mor jo, s’do kthyer shpina.

Bythët që bëhen tabela,

Të shpallen, bythë heroina!

 

Unë do ngrihem me revoltë,

Jo tani nuk mund të ndal,

“Atyre që punojnë bythën,

T’iu ngrihet një piedestal!”

Do shpërthej sa s’ është vonë,

Koha ikën e kalon,

Çdo deputet i kuvendit,

Të ketë edhe një avjon!

 

Unë do ngrihem në protestë,

Mos ketë zgjedhje, do kërkoj.

Dhe me zgjedhje, dhe pa zgjedhje,

Populli e ha njësoj!

 

Unë vendosa të ngre zërin,

Kot së koti s’mund të rrish.

Mos t’i zgjidhet asnjë punë,

Atij që nuk jep bakshish!

 

Do të ngrihem në protestë,

Por ama mes nesh të mbetet,

Xhaxho plaku nga Golemi,

Mos të tallet me pushtetet.

Do të ngrihem, t’ia bëj fora

Dhe, besoj, s’do jem i pari,

Për trafikë me deputetë,

Të ngrihet dhe ca pazari!

 

Do ngrihem, sa nuk është vonë,

Ligjet i kemi eksiq! Burrat,

Gratë që kanë dëshirë,

Mund të dalin lakuriq!

 

Do të ngrihem në protestë,

Duarlidhur s’mund të rrimë!

Po nuk është ajri i ndotur,

Asnjeri mos marrë frymë.

 

Do të ngrihem dhe i vetëm,

Nuk ka kush të më ndalojë,

Të mos blejë asnjeri bukë,

Po s’është e lyer me bojë!

 

Do të ngrihem hop në këmbë,

Deri sa të bëhet nami,

Po nuk ka mishi hormone,

Mos e bleni, mos e hani!

 

Unë do ngrihem në protestë,

Muhabetin kot e zgjatim,

Kur të vdesin deputetët,

T’ua lënë fëmijëve mandatin!

 

Bashkë të gjithë në këmbë me mua,

Duhet të mbrojmë gjirizin,

Që të na sundojnë më mirë,

Ta ulim dhe ca kurrizin…!