Pandi Toçe, njeriu i heshtur i veprave sublime

964
Sigal

Flasin: Luftar Paja dhe Pëllumb Dervishi: Në teatrin e  Peshkopisë, ai la gjurmë si aktor korrekt dhe modest

Megjithëse, shiheshim shpesh, nuk kam mundur kurrë t’i marr një intervistë aktorit Pandi Toçe. Kjo ndoshta pasi ai ishte njeri i heshtur, i tërhiqej reklamës, u buzëqeshte të gjithëve, por nuk donte të merrte lavde. Një njeri i thjeshtë, që nuk fliste kurrë për veten. Ndoshta kjo modesti nuk kishte bërë që të drejtoja diktofonin pranë zërit të tij plot ngjyrim mirësie dhe shumë njerëzor. Kishte vite që ai ishte në rolin e inspektorit të sallës në Teatrin Kombëtar. Një detyrë jo e thjeshtë, por që ai i dha rëndësinë e duhur. Kur njerëzit e heshtur bëjnë vepra të mëdha, atëherë fillojnë flasin të gjithë, por ai ishte brenda tij po kaq i madh gjithë kohën, pasi akte të tilla flinin në subkoshiencën e tij si visare të rralla njerëzore. Një artist që bëri dhe në fund të jetës së tij një akt të rrallë njerëzor, që shumë as e mendojnë në jetë. Dha jetën e vet, për të shpëtuar një jetë më të re. Një jetë fëminore që nesër mund të bëhet një aktor, një shkencëtar, një politikan, një fizikant që do t’i japë diçka më shumë atdheut. Kjo ndoshta ishte ideja e tij për këtë akt sublim. Këtë akt e bëjnë njerëz të ndjeshëm, me arsye, me virtyte të rralla, me bagazh intelektual, njerëz që dinë të dalin mbi veten në emër të diçkaje më humane, më njerëzore, më progresiste.

Ngjarja

 Shëtitjet në Liqenin Artificial ishin të zakonshme për të në mëngjes dhe në mbrëmje. Thuajse ishin të ëprditshem n.q.s nuk kishte impenjime në atë orar. Kështu ndodhi dhe atë ditë. Ndërsa kishte dalë shëtitje nga Liqeni Artificial, ai ka dëgjuar klithmën e një fëmije 12-vjeçar, që po mbytej. Ndihmë, ndihmë! –bërtiste fëmija i vogël. Dhe Pandi nuk ka nguruar asnjë moment dhe është hedhur për ta shpëtuar. Iu afrua fëmijës dhe mundi ta shkëpus nga kthetrat e vdekjes që po e thithnin nën llumin e liqenit. Dhe ndërsa fëmija po dilte në breg, llumi po e thithte vetë Pandin. E pabesueshme. Tashmë ai ndodhej në rrezik, por askush nuk mund të ndihmonte. Llumi i liqenit ishte shumë i tmerrshëm. Ai nuk lejonte ngjitje mbi ujë. Kështu u shpëtua një jetë fëminore, por humbi jetën një baba i dy fëmijëve, i një aktori të heshtur dhe punëshumë.

Veprimtaria

Pandi Toçe ka punuar për disa vite aktor në teatrin e Peshkopisë. Aty ai ka disa role që ngjallën respekt në artdashësit dibran. Në vitin 1991 dhe më tej, inspektor salle në Teatrin Kombëtar në Tiranë. Në këtë teatër ai u njoh me të gjithë aktorët e mëdhenj të skenës shqiptare duke lënë përshtypje të mira. Korrekt, kurajoz, fjalëpak, ai dinte ta gjente gjuhën me të gjithë. Njëkohësisht Pandi është vëllai i aktorit Vangjel Toçe dhe për disa vite kanë punuar së bashku në teatër. Por ai nuk ishte vetëm inspektor, por ndërmjet krijuesve njihej edhe për pasionin e të shkruarit, kryesisht poezi dhe drama. Këtë muaj ai tashmë larg Teatrit Kombëtar ishte në pritje të një interviste dhe një projekti ambicioz në televizionin Top-Channel.

   Luftar Paja-Artist i Popullit

Pandi Toçe ishte një njeri, i cili i përkushtuar megjithë shpirt ndaj shoqërisë artistike dhe njerëzore. Njeri me botë shumë të pasur shpirtërore.  E kam njohur 25 vjet më parë. Ky njeri ishte njeriu që e donte artin i donte njerëzit, njeriu me mundësi shumë të pakta financiare, por me vlera të mëdha shpirtërore. Këtu del dhe madhështia e tij.  Për mundësitë që kishte bënte shumë për shoqërinë. Kontributin më të madh e ka dhënë në Estradën e Peshkopisë, por në Tiranë ai mori rolin e inspektorit të sallës. Përveç dashamirësisë që kishte mbaruar Institutin e Lartë të Arteve dhe si artist që e donte artin, ai si inspektor salle i bënte për vete të gjithë dhe bënte çdo veprim në interes të artistëve. Ai ashtu siç veproi për shpëtimin e një jete ashtu ishte dashamirës dhe për artistët në skenë.  Kur e takoja gjithmonë më hidhte krahun dhe më pyeste për shumë gjëra. Fjalën e mirë e kishte si përshëndetjen fillestare të çdo bisede. Kur ishte në Peshkopi për të kisha dëgjuar fjalë shumë të mira si njeri. Ndërsa në Tiranë takimet ishin thuajse të vazhdueshme, pasi ne s’rrimë kurrë pa shkuar në Teatrin Kombëtar. Kur nuk thoshte një fjalë për vete pro di atë që në biseda me të ishte kaq i këndshëm sa të rrije me orë të tëra nuk mërziteshe.

 Pëllumb Dervishi

 Unë kam punuar me  Pandin. Ai ishte shumë kërkues, kryesisht tek vetja, por edhe tek të tjerët në punë. Donte gjithmonë të punonte. Nuk i donte gënjeshtarët. Por ai kishte dhe një virtyt akoma më heroik, akoma më sublim, atë të sakrificës së jetës, në emër të një jete më të re njerëzore. Këtë virtyt sot e kanë shumë, shumë pak.  Ai s’e zbuloi këtë virtyt, nuk e kishte nxjerr kur në pah më parë, pasi nuk i ishte dhënë rasti. Këtë akt sublim që kishte tek vetja, që flinte brenda tij ai e ruante si thesar, për të vënë në jetë në një moment si ky. Kjo ngjarje tregoi se ai kishte një veprim të thellë njerëzor. I studionte njerëzit dhe kurrë nuk imponohej në mendim. Kur thoshte diçka e thoshte me gjithë zemër. E kam takuar për herë të parë në vitin 1990 dhe deri në vitin 2004. Thuajse rrinim përditë bashkë. Ishin vitet që dhe unë isha në Teatrin Kombëtar.  Edhe në paraqitjen fizike ashtu ka qenë i bukur edhe si dhe në shpirt.  Nuk e tregonte bamirësinë dhe nderin që u bënte të tjerëve. Kishte një diçka të veçantë. Nuk rrinte kurrë, mendja diçka do t’i pillte për të bërë diçka të mirë në interes të komunitetit tonë. P.sh, e dini çka bërë ai? Ju shkoni shpesh në Teatrin Kombëtar. Aty Pandi ka mbjellë dy mollë dhe një hurmë, të cilat janë prodhuese. Pra janë tre pemë që janë prodhim i tij. I bleu dhe i mbolli me shumë dëshirë. Donte te krijonte një ambient të këndshëm. Donte gjelbërim. I donte për të gjithë. Donte të zhvillonte jetën, gjelbërimin. Ai i la ato për të gjithë la një gjurmë që nuk mund të shkulet. Kur i shihte që jepnim prodhim buzëqeshte. Pra nuk i mbolli për vete, jo. Nuk e pinte duhanin. Por kur mërzitej ndizte ndonjë rrallë. Ndërsa kur mërzitja i kalonte nga ajo e zakonshmja që kanë njerëzit ai fillonte këndonte. Ai këndonte shumë, sidomos në momentin më të keq ai këndonte si askush. Ndryshe nga të gjithë këndonte me gjithë shpirt, pasi ai ishte artistë në shpirt dhe në jetë. Kishte shumë me humor, por dhe korrekt. Këndonte me veten.  Në kokteje që bënim pas shuam shfaqjeve ai na mblidhte dhe krijonte atmosferë. Ishte njeri që të duhej afër, pasi të jepte shumë ide dhe mbrojtje. Nuk shtirej kurrë. Dy ditë para se të bënte aktin e takova në ora 11:00, si gjithmonë në Teatrin Kombëtar. Folëm për të rejat, për shfaqjet, për zhvillimet në teatër. Se ç’kishte në sytë e tij. E shikoja se diçka më fshihte, pasi isha po aq i sigurt, që atij kurë nuk mund t’i gjeje një fjalë që të qahej apo të kërkonte mëshirë. Ishte njeri që të ndodhej në hall, por kurrë nuk të qahej.  Nuk të shfaqte kurë hidhërim, kurrë si qante hallet e tij. Ai dilte gjithmonë nga Liqeni, mbasi donte ajrin e pastër, gjelbërimin, donte njeriun. Aty sikur frymëzohej. Ai kishte ter shtëpi, shtëpinë familjare, Teatrin Kombëtar dhe Liqenin artificial. Në këto tre shtëpi ai gjente qetësinë, kurajën, forcën, besimin, rrugët për të ecur përpara. Ishte njeri i veprave dhe që sillte mirësi në shoqëri.

Albert ZHOLI